Jump to content

Në Dimal "Festa e Rakisë, Verës e Rrushit"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Në Dimal Festohet Tradita e Rakisë, Verës dhe Rrushit

Më 19 gusht 2024, në qytetin e Dimalit u organizua festa tradicionale e rakisë, verës dhe rrushit[1], një ngjarje që ka marrë tashmë një vend të rëndësishëm në kalendarin e festave lokale. Kjo festë mblodhi bashkë prodhuesit nga të gjitha zonat e Bashkisë Dimal, të cilët kishin rastin të ekspozonin varietetet e ndryshme të produkteve të tyre, duke dëshmuar një vit të mbarë për prodhimin.

E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, “Festa e Rakisë, Verës dhe Rrushit” [2] vazhdon të promovojë dhe ruajë trashëgiminë e pasur kulturore të kësaj zone. Në shëtitoren e Dimalit, prodhuesit kishin ngritur stenda të improvizuara ku ekspozuan varietete të ndryshme të rrushit, rakisë dhe verës, duke pasqyruar kështu cilësitë dhe llojet e shumta që ofron kjo zonë e pasur. Festës iu shtua dhe një atmosferë e gjallë, e shoqëruar nga muzika tradicionale shqiptare, e cila e mbushi sheshin me tingujt e saj karakteristikë. Një element tjetër i veçantë ishte edhe demonstrimi i mënyrës tradicionale të shtypjes së rrushit, një rit që i kujton vizitorëve përkushtimin dhe mjeshtërinë e brezave të kaluar.

Prodhuesit e përfshirë në festë vlerësuan rolin e saj jo vetëm si një aktivitet që promovon dhe ruan traditat, por edhe si një mundësi për të rritur shitjet e produkteve të tyre. “Neve na shërben mirë, sepse me të merremi dhe kemi dalë me rezultate të mira[3]. Na ushqen dhe kemi mbajtur shtëpitë, familjen,” u shpreh njëri prej tyre, duke theksuar se bashkëpunimi me lokale të ndryshme i ka siguruar një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tij.

Një tjetër prodhues shprehu kënaqësinë e tij për rritjen e shitjeve gjatë kësaj periudhe: “Kur merr pjesë në aktivitete të tilla, rritet shitja. Tregu me shitje ka qenë me fat, se Tirana më ka marrë shumë mall. Kam bërë 30 kuintal raki.”

Festa nuk ishte vetëm një promovim i produkteve, por edhe një reflektim mbi historinë dhe kulturën e kësaj zone. Një prej prodhuesve të pranishëm theksoi se kjo festë, pavarësisht elementeve moderne, ka rrënjë të thella historike: “Në këtë trevë qarkullojnë histori që është festë 1000 vjet para Krishtit, bashkon popullin. Me ritet e festat arrijmë në konkluzionin që kemi një popull që di të ruajë historinë!”

Dimali është i njohur për pemëtarinë dhe bletarinë, si dhe për traditën e gjatë të prodhimit të rakisë dhe verës. Fshati Vokopolë ka pasur punishten e parë të rakisë dhe të verës në zonë, ndërsa në fshatin Allambrez ka funksionuar për rreth 40 vjet një punishte me karakter ballkanik për prodhimin e verës. Trashëgimia e prodhimit të rakisë karakteristike shqiptare ka kaluar ndër breza dhe vazhdon të ruhet e të përsoset nga familjet e Dimalit.

Kjo festë, me ngjyrat dhe shijet e saj, vazhdon të jetë një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke forcuar identitetin kulturor të Dimalit dhe duke mbështetur prodhuesit lokalë në rrugën e tyre drejt suksesit.


  1. ^ https://shqiptarja.com/lajm/mbahet-ne-dimal-festa-tradite-e-rakise-veres-e-rrushit-prodhuesit-ekspozojne-variatetet/
  2. ^ https://www.balkanweb.com/organizohet-ne-dimal-festa-e-rakise-veres-e-rrushit-prodhuesit-te-kenaqur-me-prodhimin-por-cmimet-e-shitjes-te-jene-me-te-larta/#gsc.tab=0/
  3. ^ https://www.youtube.com/watch?v=jwHcrCHIXjk/