Në fillimet e nacionalizmit shqiptar
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Në fillimet e nacionalizmit shqiptar Gjinia: Histori. Autori: Nathalie Clayer. Shqipëroi: Artan Puto. Shtëpia botuese: Përpjekja. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 696. ISBN 978-99943-02-53-1
"Në fillimet e nacionalizmit shqiptar tregon historinë e afirmimit të identitetit shqiptar në kuptimin modern të termit, sipas të cilit ndërtimi i identitetit shihet si një proces gjithnjë në ndryshim dhe i përcaktuar nga rrethana historike e politike.
Libri na shpjegon se procesi i krijimit të identitetit kombëtar shqiptar ka zënë fill, ashtu si në shumë kombe të tjerë të Ballkanit, në shekullin e XIX, i kushtëzuar ngushtësisht nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Ai na tregon dinamikën e këtij procesi, konstruksionet e ndryshme të shqiptarisë dhe simbiozën e tyre me projektet e tjera nacionale të Ballkanit. Ai na tregon rolin e përkatësive të ndryshme fetare të shqiptarëve në këto projekte, rolin e rrjeteve të ndryshme të veprimtarëve të shqiptarizmit brenda dhe jashtë vendit, rolin përcaktues të fuqive të huaja si Austro - Hungaria dhe Italia për të na çuar deri në ngjarjet në prag të pavarësisë kur duket se ngjizet një projekt dominant.
Nathalie Clayer ka shkruar një histori të shqiptarizmit të çliruar nga ideologjia nacionaliste, e cila materialin historik e përdor për të ndërtuar mite nacionaliste. Në imagjinatën kolektive shqiptare të ushqyer nga një mitologji me një qasje thelbësore ndaj identitetit, shqiptaria, si ndjenjë e identitetit kombëtar, është trajtuar si thelb i popullit shqiptar, si një "bërthamë e pandryshueshme që ka qenë e njëjtë që nga pellazgët e ilirët e deri në ditët tona, ndërkohë që periudha të tëra historike, të tilla si shtrirja e Perandorisë Romake në Lindje apo deri edhe komunizmi, janë parë si aksidente që nuk e kanë ndryshuar këtë thelb.
Ky libër na ndihmon shumë për të kuptuar historinë tonë të vërtetë, procesin e lindjes së miteve nacionale në shekullin XIX, por edhe për t'u çliruar nga ankronizmat e pavërtetësitë e tyre. Po ashtu, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë konfliktet e së djeshmes, ai na ndihmon të kuptojmë edhe konfliktet e së sotmes.