Jump to content

Natasha Ahmetaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Natasha Ahmetaj financiere shqiptare. Dr. Natasha Ahmetaj mban pozicionin e Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë që nga data 6 maj 2015, dhe është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2014. [1]

Ajo u rizgjodh si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 31 mars 2022 dhe si Zëvendësguvernatore e Dytë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në datën 6 prill 2022.

Dr. Ahmetaj u diplomua si ekonomiste, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1987. Më tej, ka marrë titullin “Master në Ekonomi” në vitin 2000 dhe më pas “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë në vitin 2004, po në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1994, nis karrierën akademike si lektore e lëndëve ”Makroekonomi”, ”Mikroekonomi” dhe ”Ekonomi Monetare” deri në vitin 2001. Gjatë kësaj periudhe, ka shërbyer edhe si Përgjegjëse e Departamentit të Administrim-Biznesit, e më pas si Dekane e Fakultetit të Tregtisë, në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Në sektorin bankar e nis karrierën në vitin 2001 kur emërohet Drejtore e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Dega Vlorë. Edhe në këtë sektor, karriera e Dr. Ahmetaj sheh një sërë rritjesh, dhe disa nga pozicionet e larta që ka mbajtur përfshijnë Drejtore e Divizionit të Rrjetit, si dhe Administratore e Bankës Kombëtare Tregtare, pozicion që e ka mbajtur deri në zgjedhjen e saj si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në vitin 2014 .

Gjatë karrierës së saj të gjatë, Dr. Ahmetaj ka kryer një sërë kualifikimesh të thelluara pranë institucioneve akademike dhe financiare të rëndësishme.

Dr. Natasha Ahmetaj është autore e një numri artikujsh dhe botimesh shkencore me fokus në çështje të ndryshme në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror.


  1. ^ https://www.bankofalbania.org/Rreth_Bankes/Organizimi/Keshilli_Mbikeqyres/Natasha_Ahmetaj-Zevendesguvernatore_e_dyte.html