Jump to content

Ndërtimi gjeologjik i Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ndërtimi gjeologjik tregon përbërjen shkëmbore të truallit në një hapësirë të caktuar gjeografike. Shkëmbinjtë e truallit shqiptar karakterizohen nga ndryshueshmëria e lartë e përbërjes kimike, fortësia, qendrueshmëria, mosha, si dhe nga strukturat tektonike që janë krijuar gjatë regjimit në shtypje, ose në tërheqje. Larmia e shkëmbinjve tregon, jo vetëm proceset gjeologjike që i kanë formuar, por edhe historinë gjeologjike të truallit shqiptar. Gjatë evolucionit morfotektonik ka ndodhur krijimi i formave të relievit shqiptar dhe transformimi i tyre sipas periudhave gjeologjike.

Pozita gjeografike e albanideve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Albanide do të quajmë të gjithë tërësinë litologjike e strukturore të truallit shqiptar brenda kufijve politikë të Republikës së Shqipërisë.[1] Ato janë formuar gjatë orogjenezës alpine, i cila krijoi një nga brezat më malor të rruzullit tokësor.[2] Albanidet bëjnë pjesë në brezin e rrudhosur alpino – mesdhetar, në degëzimin jugor të këtij brezi. Ato shtrihen në segmentin e rrudhosur mesdhetar Dinarido Albanido – Helenid, duke zenë vend në sektorin midis Dinarideve në veri dhe Helenideve në jug.

Ndërtimi gjeologjik i Shqipërisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Albanidet, si gjithë vargu Dinarido – Albanido – Helenid, ndahen në pjesën e brendshme dhe atë të jashtme. Kriteri bazë i kësaj ndarje është magmatizimi.[3] Pjesa e brendshme dallohet për zhvillim intensiv të procesit të magmatizimit, kurse në pjesën e jashtme magmatizimi mungon krejtësisht.

Trualli shqiptar karakterizohet nga llojshmëria e theksuar e shkëmbinjve, mosha e të cilëve fillon nga era e paleozoit dhe arrin deri në kuaternar. Albanidet e brendshme plotësohen nga zona tektonike: Korabi, Gashi dhe Mirdita. Kjo pjesë e truallit shqiptar ka shkëmbinjtë më të vjetër, sepse janë formuar hershëm. Në zonën tektonike Korabi shkëmbinjtë më të vjetër janë formuar gjatë periudhave Ortovik dhe Silur. Ndërsa në zonën tektonike të Gashit gjejmë shkëmbinj të krijuar në peiudhën e Karboniferit dhe të Permit. Shkëmbinjtë më të vjetër në zonën tektonike Mirdita janë me moshë Triasik e Jurasik (era e Mesozoit).

Albanidet e jashtme përbëhen nga zonat tektonike: Alpet, Krasta – Cukali, Kruja, Jonike, Sazanit dhe Ultësira Pranadriatike. Hershmëria litologjike e këtyre zonave tektonike fillon nga shkëmbinjtë:

–  terrigjeno-karbonatikë[5] të periudhës së Permit (P) era e Paleozoit dhe gëlqerorët[6] e Triasit (T₁) era e Mesozoit në zona tektonike Alpet;

– flishi i egër dhe gëlqerorët shtresëtrashë nerikë të Triasit[7] T₂ të mesëm (era e Mesozoit) në zonën tektonike Krasta – Cukali;

– gëlqerorë të periudhës Kretës[8] (era e Mesozoit) në zonën tektonike Kruja;

– evaporitet dhe gëlerorët neritikë[9] të Triasit T₃ të sipërm (era e Mesozoit) në zonën tektonike Jonike;

– dolomitet dhe gëlerorët neritikë[10] të Triasit T₃ të sipërm (era e Mesozoit) në zonën tektonike Sazanit;

– molasat[11] e tortonianit N²₁ (era e Kenozoit) në zonën tektonike Ultësirës Paramalore.

Mosha e shkëmbinjve gjatë kalimit nga trevat perëndimore drejt atyre lindore bëhet më e madhe. Ndërsa në Ultësirën Ndërmalore shtresat shkëmbore që hasen janë depozitime liqenore[12] ku ndërthuren konglomeratet, ranorët e argjilat me moshë Pliocen – Kuaternar.

Shkëmbinjtë e truallit shqiptar janë të ndryshëm nga përbërja: sedimetarë, magmatikë dhe metamorfikë.

Shkëmbinjtë sedimentarë janë të përbërë nga formacionet:

–  terrigjene: rreshpe, ranorë, kuarcite e konglomerate;

– karbonatikë: gëlqerorë, gipse, anhydride etj.

Shkëmbinjtë magmatikë diferencohen në:

–       magmatikë ekstruzivë të tipit efuzivë dhe piroklastikë

–       magmatikë intrusivë.

Shkëmbinjtë metamorfikë janë në shtrirje më të pakët, si psh., në majën më të lartë të Korabit.

Kjo shumëllojshmëri litologjike shpjegon pasuritë e mëdha e të shumta nëntokësore si psh., kromi, bakri, hekur-nikeli, nafta, gazi natyror, qymyrguri, fosforitet etj.

Ndikimi i litologjisë në krijimin e formave të relievit është mjaft i madh. Shkëmbinjtë terrigjenë kanë fortësinë më të ulët ndaj forcave ekzogjene relievimodeluese. Në lindje dhe në brendësi të Shqipërisë terrigjenët e tipit molasë mbushin gropat, dhe luginat lumore. Kurse në pjesën perëndimore këto formacione ka raste që ndërtojnë edhe kurrizet e ulta malore dhe kodrat.

Shkëmbinjtë gëlqerorë kanë fortësi më të madhe dhe zakonisht përbëjnë kurrize e blloqe malore dhe malësi. Ndërsa shkëmbinjtë magmatikë që dallohen për fortësi e qendrueshmëri edhe më të lartë zakonisht përbëjnë masive malore, vargmale ku lartësia mbi nivelin e detit është shumë e madhe.

Albanidet janë formuar përmes një evolucioni të gjatë e mjaft të ndërlikuar të zhvillimit gjeotektonik. Si në gjithë vargun Dinarido – Albanido – Helenid rajonalizimi tektonik krahinor i albanideve bazohet në intensitetin e shfaqjes së magmatizimit, që diferencon zonat tektonike në pjesët e brendshme dhe të jashtme të albanideve. [13]

Pjesa e brendshme plotësohet nga:

  Zonat tektonike                                dhe Nënzonat:

– Korabit (Ko),

– Gashit (G) dhe

– Mirdita (M).                                     a) ofiolitike (M₁)

                                                           b) karbonatike (M₂)


Pjesa e jashtme tërësohet nga zonat tektonike të

– Alpeve (A),                                      a) Malësia e Madhe (A₁)

                                                           b) Valbona (A₂)


– Krasta – Cukali (K-C),                    a) Cukalit (K-C₁),

                                                           b) Krastës (K-C₂),

                                                           c) Dibrës (K-C₂),

                                                           d) Spiten-Lisnës (K-C₃),

                                                           e) Vermoshit (K-C₄),


– Krujës (K),

– Jonike (J),

– Sazanit (S),

– Ultësira Ndërmalore (Gr),

– Ultësira Paramalore (U).

Përveç rajonizimit sipas evolucionit gjeotektonik dhe intensitetit të magmatizimit thyerja tektonike Shkodër – Pejë i diferencon zonat tektonike në veri dhe në jug të saj.

Në veri të thyerjes tektonike Shkodër – Pejë gjejmë zonat tektonike të Gashit dhe Alpeve Shqiptare. Ndërsa në jug të kësaj thyerje tektonike kemi zonat tektonike të Korabit, Mirditës, Krasta – Cukalit, Krujës, Jonike, Sazanit dhe Ultësirat Ndërmalore dhe Ultësirën Paramalore.

Zonat tektonike të albanideve kanë shtrirje gjeografike përtej kufijve politikë drejt Dinarideve në veri dhe Helenideve në jug, sepse zhvillimi gjeotektonik nuk njeh kufij politikë.


[1] Vranai Aleks. Shallo Minella Xhomo Abedin: Gjeologjia e Shqipërisë, Shtëpia Botuese shblu, Tiranë 1997, fq 19

[2] Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë: Gjeografia fizike e Shqipërisë, Monografi, Vëll I, Tiranë 1990, fq 42

[3] Vranai Aleks. Shallo Minella, Xhomo Abedin: Gjeologjia e Shqipërisë, Shtëpia Botuese shblu, Tiranë 1997, fq 19

[4] Litologjia është disiplina shkencore që merret me studimin e karakteristikave fizike të shkëmbinjve, të tilla si: ngjyra, struktura, madhësia e kokrrizave dhe përbërja kimike.

[5] Vranai Aleks. Shallo Minella, Xhomo Abedin: Gjeologjia e Shqipërisë, Shtëpia Botuese shblu, Tiranë 1997, fq 98

[6] Po aty, fq 101-102

[7] Po aty, fq 133

[8] Po aty, fq 146

[9] Po aty, fq 164

[10] Po aty, fq 164

[11] Po aty, fq 195

[12] Po aty, fq 38

[13] Po aty, fq 203