Jump to content

Ndajfolja

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Ndajfolje)

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shkak, qëllim, sasi: Shembull: Bora shkruan bukur, qartë dhe saktë. Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër: Ata u ngritën shumë herët atë ditë. Për nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh: mënyre, vendi, kohe, shkaku dhe sasie. Disa ndajfolje ashtu si dhe disa mbiemra marrdhëniore nuk kanë shkallë.

Ndajfoljet e mënyrës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanore mënyre: Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (në mënyrë të natyrshme) me të gjithë. Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:

  • mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm
  • menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur etj., që tregojnë ecurinë e veprimit: Dritani u ngrit papritur.
  • cekët, gjerë, gjatë, thellë, ulët që tregojnë përmasa: Toka duhet punuar thellë.
  • bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht: Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht.

Ndajfoljet e vendit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalore plotës vendi. Tregojnë vendin ku kryhet një veprim a ku ndodh një ngjarje, vendin për ku drejtohet një lëvizje, vendin nga i cili largohet dikush a diçka, vendin nëpër të cilin kalohet. Ndajfoljet kryesore të vendit janë:

  • afër, larg, lart, pranë, rreth, djathtas, prapa.
  • majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj., që tregojnë vendin ku kryhet veprimi: Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).
  • ku, nga: Ku po shkon? Nga je edhe pse ke ardhur? Në të vërtetë "ku" dhe "nga" janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi.

Ndajfoljet e kohës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanore kohe. Ndajfoljet kryesore të kohës janë:

  • dikur, dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit: Erdha sot (ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).
  • njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar: Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

Ndajfoljet e shkakut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku. Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi: Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët? Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon? Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

Ndajfoljet e sasisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie. Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:

  • shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi: E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë. Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.
  • fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.

Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.

Shkallët e ndajfoljeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: afër, larg, vonë, herët, etj. Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.

  • Shkalla pohore: Miri ecën shpejt.
  • Shkalla sipërore: Miri ecën shumë shpejt.
  • Shkalla krahasore e barazisë: Miri ecën aq shpejt sa Genti.
  • Shkalla krahasore e sipërisë: Miri ecën më shpejt se Genti.
  • Shkalla krahasore e ultësisë: Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.