Njeriu si një tjetër

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Njeriu si një tjetër libër me autore Natasha Lako. Botuar nga "Uet Press" në vitin 2023. Libri ka 236 faqe. ISBN 978-9928-388-23-0

Shënime: Ese


Mbi librin:

Në këtë libër ka shkrime që e kanë nisur botimin prej vitit 1996, si dhe shënime të pabotuara që po shfaqen për herë të parë. Por, kronologjia sipas vitit të botimit të shkrimeve të ndryshme që lidhen me ngjarje artistike letrare, nuk e tejkalon dot kronologjinë e një trashëgimie që udhëton deri në ditët tona nën shkëlqimin e humanizmit evropian, që te shqiptarët mori rrugë prej Marin Barletit, Gjon Buzukut e për të arritur te të gjithë punëtorët e gjuhës shqipe dhe te të gjitha arritjet botërore, si kërkim individual artistik në shprehjen e një riqytetërimi të vazhdueshëm. Këtë e dëshmon edhe loja aktoreske që mban gjallë vepra të pavdekshme.

Të bisedosh me autorë të periudhave të afërta ose të largëta, por edhe me lexuesin e sotëm, nuk do të thotë se merr përsipër punën e një lajmësi të vonuar, pasi nuk ka vepër që nuk jep gjithnjë rilexime të reja, si zbulime që vijnë prej gjendjes ku lexuesi vendos veten. Njeriu vjen si një tjetër njeri, si pasojë e lirisë së identifikimit të pafund në një udhëtim shekullor që vjen deri në ditët tona. Por, edhe të mësohesh me veten nuk është e lehtë.

Ndonjëherë, lexuesi e ka më lehtë të lidhë krijimtarinë me perceptimet kolektive, kur vetë themelet krijuese të saj shkëlqejnë në shfaqjen e botës personale të njeriut, në dëshirim, në përballje e fitore; perceptime që nuk prekeshin lehtë dhe thellë në periudhën e një kolektivizimi të përgjithshëm mendor, të atyre periudhave shekullore që u ngritën në piedestal gjatë totalitarizmit, i cili filloi të shembej vetëm në fillim të viteve ‘90.

Edhe rileximi ka sjellë më pranë ato botë që mund të quheshin të largëta, vetëm se autorët nuk kanë pasur rast ta njohin njëri-tjetrin. Leximi afron botë të ndryshme, siç afron edhe aktorët, të cilët gjejnë gjithnjë një vete tjetër në rolet që janë krijuar nga autorë, gjer edhe të lashtësive.