Jump to content

Oda e miqve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Oda e miqve është mjedisi më paraqitës në banesën tradicionale shqiptare, vendi ku priteshin miqtë sidomos në rastet e ngjarjeve e të ceremonive familjare. Zë vendin më të mirë në kompozimin e banesës dhe dallohet nga pajisjet e trajtimi i pasur dekorativ. Vend qendror ka oxhaku në banesën fshatare, i cili shpesh është vetëm dekorativ në atë qytetare. Tipare të veçanta të odës së miqve janë gdhendjet në dru në pjesë si tavanë, dollapët e murit, musandrat, dyert etj., zbukurimi i oxhakut, dhe në disa raste pikturimi i mureve. Janë të përmendura për zbukurimet në dru veçanërisht banesat në Shkodër, Berat, Gjirokastër, Prizren, Gjakovë dhe Elbasan. Me futjen e mobiljeve oda e miqve thjeshtohet dhe dora-dorës zhvishet nga punimet dekorative.