Jump to content

Organizata Evropiane e Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

EUROSAI - është akronimi për Organizatën Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. EUROSAI është një nga Grupet Rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, (INTOSAI), që përfshin Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) e 186 vendeve dhe është një ndër organizatat mbështetëse të Kombeve të Bashkuara.

EUROSAI u krijua në 1990 me 30 anëtarë (SAI-t e 29 shteteve europiane dhe Gjykatës Europiane të Audituesve). Tashmë, anëtarësia përbëhet nga 50 SAI-e (49 SAI-e të shteteve europiane dhe [1][2][3][4] dhe Gjykatës Europiane të Audituesve[5]).

Megjithëse EUROSAI është më i riu ndër 7 Grupet Rajonalë të Punës së INTOSAI-t [6], idea e organizatës Europiane të SAI-ve daton që prej themelimit të INTOSAI-t në vitin 1953. Hapat e parë konkretë drejt krijimit të EUROSAI-t, u hodhën në 1974 gjatë Kongresit të VIII të INTOSAI-t në Madrid. Ndërmjet viteve 1975 dhe 1989, SAI-t e Italisë dhe Spanjës, duke u mbështetur në Komisionin e Kryetarëve të SAI-ve të vendeve të Komunitetit Ekonomik Europian, përgatitën projekt statutet e para të EUROSAI-t. Në qershor 1989, Kongresi i XIII i INTOSAI-t, i zhvilluar në Berlin, miratoi “Deklaratën e Berlinit” duke përfshirë marrëveshjen për krijimin e Organizatës Europiane të SAI-ve. Në nëntor 1990, u zhvilluan në Madrid(Spanjë), Konferenca Konstitutive dhe Kongresi i I-rë i EUROSAI-t. Gjatë këtij aktiviteti, u zgjodhën Presidenti i parë dhe Bordi Drejtues i EUROSAI-t, u diskutuan dhe u miratuan Statutet, si dhe u përcaktua selia dhe Sekretariati i Përhershëm.

Objektivat e organizatës, përcaktuar në Nenin 1 të Statuteve, janë promovimi i bashkëpunimit profesional ndërmjet SAI-ve anëtare dhe organizatave të tjera [7], nxitja e shkëmbimit të informacionit dhe dokumentacionit, zhvillimi i studimit të sektorit të auditimit publik, nxitja e krijimit pedagogjik universitar për këtë temë dhe puna drejt harmonizimit të terminologjisë në fushën e sektorit të auditimit publik.

EUROSAI e zhvillon aktivitetin e tij nëpërmjet tre organeve, Kongresit, Bordit Drejtues dhe Sekretariatit.

Në bazë të Statuteve të organizatës, Kongresi i EUROSAI-t është autoriteti suprem i organizatës dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët. Ai mblidhet çdo tre vjet. Deri më tani, janë zhvilluar kongreset si vijon [8]:

  • 1990: Madrid, Spanjë (Konferenca Konstitutive)
  • 1993: Stokholm, Suedi
  • 1996: Pragë, Republika Çeke
  • 1999: Paris, Francë
  • 2002: Moskë, Federata Ruse
  • 2005: Bon, Gjermani
  • 2008: Krakovë, Poloni [9][10]
  • 2011: Lisbonë, Portugali [11].

Kongresi i ardhshëm i vitit 2014, do të zhvillohet në Hollandë.[12].

Në bazë të Statuteve, Bordi Drejtues i EUROSAI-t është i përbërë nga tetë anëtarë: katër anëtarë të përhershëm (Titullarët e SAI-ve ku janë zhvilluar dy Kongreset e fundit, Kryetari i SAI-t ku do të zhvillohet Kongresi i radhës dhe Sekretari i Përgjithshëm i EUROSAI-t), si dhe katër anëtarë që përzgjidhen nga Kongresi për një periudhë 6-vjeçare (dy anëtarë rinovohen çdo tre vjet). Titullarët e SAI-ve që janë pjesë e Bordit Drejtues të INTOSAI-t dhe janë anëtarë të EUROSAI-t, marrin pjesë gjithashtu në Bordin Drejtues, si vëzhgues.

Sekretariati drejtohet nga SAI i Spanjës (Tribunal de Cuentas)[13], që është gjithashtu edhe selia e EUROSAI-t.

Kongresi i VIII i EUROSAI-t në Lisbonë, miratoi Planin Strategjik të EUROSAI-t 2011-2017. Ky plan përcakton misionin, vizionin dhe vlerat e organizatës:

  • Misioni: EUROSAI është organizata e Institucioneve Supreme të Auditimit në Europë. Anëtarët e saj punojnë së bashku në mënyrë që të forcohet më tej auditimi i sektorit publik në rajon, duke kontribuar kështu në punën e INTOSAI-t.
  • Vizioni: EUROSAI promovon qeverisjen e mirë, duke përfshirë përgjegjshmërinë, transparencën dhe integritetin. Ofron një kuadër dinamik për bashkëpunimin dhe mbështet anëtarët në plotësimin e mandateve të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
  • Vlerat: Pavarësia, integriteti, profesionalizmi, besueshmëria, gjithëpërfshirja, bashkëpunimi, inovacioni, qëndrueshmëria, respekti për mjedisin.

Bazohet në katër objektivat strategjike që reflektojnë nevojat dhe prioritetet e anëtarësisë së organizatës:

  • Objektivi I – Ngritja e Kapaciteteve: Ngritja e kapaciteteve të SAI-ve do të thotë zhvillimi i aftësive, njohurive, strukturave dhe mënyrave të punës që e bëjnë një organizatë më efektive, të mbështetet mbi pikat e forta ekzistuese dhe të plotësojë mangësitë. EUROSAI është i angazhuar të lehtësojë zhvillimin e SAI-ve të fortë, të pavarur dhe shumë profesionalë.
  • Objektivi II – Standartet Profesionale: Në mënyrë që të zhvillojnë detyrat e tyre me kompetencë dhe profesionalizëm, SAI-t kanë nevojë të përditësojnë kuadrin e standarteve profesionale ndërkombëtare. INTOSAI po zhvillon një grup standartesh të tilla. EUROSAI do të promovojë dhe lehtësojë zbatimin e tyre nga anëtarët e tij sipas nevojave dhe detyrave përkatëse të tyre.
  • Objektivi III – Shkëmbimi i Njohurive: Në mënyrë që të forcojë auditimin e sektorit publik, përgjegjshmërinë, qeverisjen e mirë dhe transparencën në rajon, EUROSAI synon të përmirësojë shkëmbimin e njohurive, informacionin dhe eksperiencat ndërmjet anëtarëve të tij dhe partnerëve të jashtëm.
  • Objektivi IV – Qeverisja dhe Komunikimi: Në mënyrë që ta kryejë misionin e tij me efektivitet dhe të rrisë kapacitetet e veta për përballimin e kërkesave të anëtarëve, EUROSAI ka nevojë që të menaxhohet mirë. Modeli aktual është hartuar në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe komunikimit efektiv. Ky model gjithashtu reflekton qëllimet strategjike, nxit përfshirjen sa më të gjerë të të gjithë SAI-ve në punën e organizatës, si dhe krijon lidhje të forta ndërmjet organeve të EUROSAI-t që janë të përfshira në zbatimin e planit strategjik.
  1. ^ Gjykata Europiane e Audituesve - http://www.nik.gov.pl/en/international-cooperation/ Arkivuar 6 qershor 2014 tek Wayback Machine
  2. ^ What is EUROSAI?-http://www.riigikontroll.ee/Globaalnekoost%C3%B6%C3%B6/EUROSAI/tabid/156/language/en-US/Default.aspx
  3. ^ International Relations - http://nao.gov.mt/page.aspx?id=74 Arkivuar 29 maj 2013 tek Wayback Machine
  4. ^ EUROSAI - http://www.asz.hu/en/international-relations/multilateral/eurosai Arkivuar 6 qershor 2014 tek Wayback Machine
  5. ^ European Court of Auditors - http://eca.europa.eu/portal/page/portal/cooperation Arkivuar 25 dhjetor 2013 tek Wayback Machine
  6. ^ Organizata Europiane e Institucioneve Supreme te Auditimit - http://www.intosai.org/news.html Arkivuar 25 qershor 2014 tek Wayback Machine
  7. ^ ECIIA Marrëveshjet e Nënshkruara të Bashkëpunimit me EUROSAI - http://www.eciia.eu/about-us/news/eciia-signs-cooperation-agreement-eurosai Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine
  8. ^ PREVIOUS CONGRESSES - http://www.eurosai.org/eng/congress-previous.asp Arkivuar 1 shtator 2011 tek Wayback Machine
  9. ^ VII. EUROSAI Congress, Krakow Poland (5. 6. 2008) - http://www.rs-rs.si/rsrs/rsrseng.nsf/I/KA434517B5B899F16C12574640051783D Arkivuar 7 janar 2014 tek Wayback Machine
  10. ^ Three years of Polish Presidency in EUROSAI - http://www.nik.gov.pl/plik/id,2789.pdf Arkivuar 21 shkurt 2014 tek Wayback Machine
  11. ^ VIII EUROSAI CONGRESS –http://www.eurosai2011.tcontas.pt/Pages/Welcome.aspx Arkivuar 29 dhjetor 2014 tek Wayback Machine
  12. ^ EUROSAI Presidency 2014 – 2017 - http://www.courtofaudit.nl/english/International_activities/Projects/EUROSAI_Presidency_2014_2017 Arkivuar 15 dhjetor 2014 tek Wayback Machine
  13. ^ THE INSTITUTION AND ITS ANTECEDENTS - http://www.tcu.es/ Arkivuar 23 shkurt 2014 tek Wayback Machine