Jump to content

Pëllumb Bitri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pëllumb Jani Bitri, ka lindur në vitin 1928 në një familje të thjeshtë elbasanase. Pas çlirimit të vendit, Prof. Pëllumbi u diplomua në mjekësi dhe në filozofi në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1954, ai u kthye në atdhe dhe u emërua shefi i katedrës së Anatomisë Patologjike, që e drejtoi për shume vite me radhë dhe me nivel të lartë, duke krijuar shkollën shqiptare të Anatomisë Patologjike, ku u formuan profesionalisht me dhjetra specialistë dhe me dhjetra mijëra studentë. Prof. Pëllumb Bitri është autori i tekstit “Patologjia Morfologjike”, teksti i parё historik i Fakultetit tё Mjekёsisё. Në kohën kur u botua ky libër voluminoz, ai ishte 38 vjeç; i ri në moshë, por me formim dhe përvojë tё pasur profesionale dhe shkencore. Prof. Pëllumb Bitri është personaliteti publik, intelektuali i shquar, patrioti i çështjes tonë kombëtare. Prof. Pëllumb Bitri mbetet simbol i pedagogut, që me dinjitet dhe aftësi profesionale e shkencore kontribuoi në edukimin dhe formimin profesional të dhjetra mijëra mjekëve, në veçanti me botimin e shumë teksteve universitare, të monografive dhe studimeve shkencore. Prof. Dr. Pëllumb Bitri është personifikim i intelektualit, që me kurajo ndoqi rrugën e së vërtetës, të progresit social, kulturor dhe shkencor të shoqërisë shqiptare, duke u bërë protagonist dinjitoz i saj. Ai gjithë jetën luftoi dhe punoi për një mjekësi të fortë, shkencore e të zhvilluar në nivelet bashkëkohore, duke u renditur ndër figurat e shquara të historisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Trashëgimia profesionale, shkencore dhe kulturore e Prof. Pëllumbit është një thesar me vlera të veçanta për kombin tonë. Kontributet në fushën e mjekësisë, të pedagogjisë dhe të shkencës, janë vlerësuar dhe nderuar me çmime kombëtare, me urdhra dhe dekorata të shumta, që shprehin qartë vlerat e larta shkencore të veprave që ai krijoi. Këto aftësi ai i vuri në dispozicion të shoqërisë shqiptare nëpërmjet veprave të tij, me studimet e shumta të botuara dhe të prezantuara në konferenca e kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Njëzet vjet më parë ai emigroi familjarisht në Spanjë, ku jetoi e punoi në Bilbao. Dhe në Spanjë, Profesor Pëllumbit ia vlerësuan aftësitë e tij pedagogjike dhe shkencore dhe e pranuan si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Publik De Pais Vasco, ku dha leksione dhe drejtoi seminare me studentët. Për aftësitë e tij të shquara didaktike dhe shkencore, Prof. Pëllumb Bitri u zgjodh anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit. U nda nga jeta më 13 nëntor 2016, në qytetin e Bilbaos, në Spanjë.


  • Pse është i dëmshëm duhani - 1958
  • Karakteristika morfologjike e dizenterisë së fëmijëve në moshën e herët :autoreferat i dis. për kërkimin e gradës "Kandidat i shkencave njekësore" - 1962
  • Pathologjia morfologjike - 1966
  • Patologjia e përgjithëshme (bashkautor) - 1970
  • Patomorfogjeneza e dizenterisë në fëmijë - 1973
  • Patologjia morfologjike (Bot. i 2-të) - 1975
  • Patologjia e përgjithshme : për specialitetin infermieri të shkollës së mesme mjekësore (bashkautor) - 1975
  • Patologjia e përgjithëshme : për specialitetin infermieri dhe obstetrikë-gjinekologji të shkollë së mesme mjekësore (bashkautor) - 1979
  • Anatomia patologjike (bashkautor) - 1981
  • Hepatitet dhe cirrozat - 1983
  • Probleme të anoksisë perinatale : analizë anatomopatologjike - 1983
  • Patologjia morfologjike : korrelime morfoklinike : për mjekët klinicistë - 1985
  • Patologjia e përgjithshme : për shkollat e mesme profesionale : mami-infermier : infermier (bashkautor) - 1986
  • Manuali i histopatologjisë (bashkautor) - 1986
  • Patologjia gjinekologjike dhe obstetrikale (bashkautor) - 1986
  • Patologjia e përgjithshme : për shkollat e mesme profesionale : mami : infermier (bashkautor) - 1988
  • Patologjia e organeve të tretjes : (korelime morfoklinike) - 1989
  • Anatomia patologjike (V.1) - 1996
  • Patologjia : (dëmet e strukturave dhe të funksioneve që shkaktojnë sëmundjet) - 2009