Përdoruesi:46.99.67.210/JAM I MADH
Xhemë Karadaku
JAM I MADH
(Vjersha për fëmijë)
2014
__________________
ATDHEU...
A duhet atdheun ta dua
Sa pika ujë ka një krua,
Sa gjethe ka nëpër pyje
A sa qiellin me plot yje?
A të duhet ai aq shumë
Sa ka peshq në një lumë
Sa ka kallinj në ara gruri
A sa burrëria e një burri?
A të duhet atdheu vallë
Sa ka plot gurëz në zallë
Sa ka n’botë fije të barit
A sa trimëria e luftëtarit?
Atdheu, sa fort të duhet,
Sa legjenda që s’thuhet,
Sa drita e diellit e hënës
Apo sa dashuria e nënës?
Këto pyetje kanë përgjigje
Veç me zemër-jo me ligje:
-Oh, atdheun - jetë e mot
Më fort se dje - duaje sot!
LAJMET ...
(Nga facebook-u)
Në facebook nga Prevalla
Një Gjarpër na bëri të fala
Nëpër shkrepa e në gurë,
Sapo ndërrova një lëkurë!
Lëkura e re tash m’trashet
E, pastaj m’hiqen telashet
Unë të gjatë e kam bishtin
E di kujt ia drejtoj gishtin...
Në facebook lart nga Boga
Një Ujk shëtit nëpër roga:
-Le ta dijë fort mirë Kosova
Qime zezën sa e ndërrova!
Ndërrova qimet-jo zanatin
Qengjat le ta rrisin shtatin
Oh, sa mjegull nëpër natë,
I kam dhëmbët sikur shpatë!
E në facebook nga Shala
Një Arush tregon përralla:
-Nuk po rrihet më n’shpellë
Më mirë të hyj në zgafelle!
Aty bashkë me arinj polar,
Gërmojmë argjend edhe ar
Lajmi-top sekret për bletë
Se s’na lënë vend në jetë...
Eh, një ditë kur ra rrufeja,
S’pati më këso lajme t’reja
U prish rrjeti në internet,
Facebook-u mbeti shkret!
GJYSHI...
-U lodha, u mbusha frymë,
N’mjekër m’ ka rënë brymë,
Flokët bardh si mal me borë
Dhe shkopi m’u ngjit n’dorë.
-Fjala n’gjuhë po m’ lidhet,
Njëra këmbë po m’dridhet,
N’rrugë hapin sa herë e qes
Po kam frikë, diku po mbes.
Njëqind ëndrra natën i shoh
Ditën njerëzit nuk po i njoh,
Dhe gazetën e lexoj vështirë
Shkurt e shqip-nuk jam mirë
-Këto fjalë gjyshi kur i foli,
Zemra vendit sa s’më doli,
Desh më vluan edhe trutë,
Si ndryshoi për një minutë?
Kur m’pa gjyshi ashtu keq
Drejt vetes pak më tërheq,
N’drejtim t’gjyshes - me sy
-Janë për të - s’janë për ty.
E gjyshja sikur diplomate:
-Deri parëz asgjë nuk pate,
Ishe mirë e ishe shëndosh,
Sherr t’madh ke mjekrosh.
-Oh, qe sa vite m’ke burrë,
Nuk besove njëherë kurrë,
Për ty isha dhe jam bandill,
Beso së paku për Një Prill...
MATEMATIKË +...
-M’thuaj gjyshe për besë
Dy plus dy, si bëjnë pesë?
Matematika ka pak sherr
Një nga xhepi po na merr!
-E, ndonjëherë dua të di
Dy plus dy, pse bëjnë tri.?
Matematika - një në xhep,
Ndryshe logjika nuk e jep.
Më trego të lutem gjyshe:
E njëjta gjë - pse ndryshe?
Eh, si të them kësaj here:
-Matematikë + dallavere!
DIALOG...
Beni: -Urra, urra. Më fal o gjysh: u pshurra!
Gjyshi: -Atje në qershi edhe kjo t’bëri vaki?
Beni: -Provova kot, isha lart, nuk zbrita dot!
Gjyshi: -Hë, ore, tash, qershitë si do t’i hash?
Beni: Me kujdes i mbledh, e n’pjatë i hedh...
Gjyshi: Dhe sa çel e mbyll sytë, ato i kullufit?
Beni: Jo, jo, mirë i laj dhe me gjyshin i ndaj!
Gjyshi: -E moti një trutharë-i hëngri palarë!
Beni: -Histori e vjetër-ai kishte gjysh tjetër!
Gjyshi: -Përgjigje diplomatike-dënimit i ike!
Beni: -E di, e di. Sa ha dajak-më mirë qershi!
BORA...
Një ditë borë kur ia nisi,
Polemika brenda krisi...
Bërtiti Beni menjëherë:
-Bora është sikur sheqer
Hidhet gjyshja n’bisedë:
-Bravo Beni, je legjendë.
Kërcen Arta -Ç’flet o tip?
Bora është bash si krip...
Edhe gjyshi hyn n’debat:
-Gjeni si Arta s’ka n’fshat.
Rehat Beni nuk u bë hiç:
-Bora e kripa janë armiq!
-E me sheqerin, tha Arta,
Bora ka raporte t’zjarrta?
Atyre gati u shteroi zëri,
E bora bardh krejt e bëri.
Kur polemika u bë e fortë
U dha mami nga një tortë
Shpejt njëzëri u vendos:
-Bora është sikur KOKOS.
JAM I MADH...
Një ditë dola në livadh,
Dhe bërtita: JAM I MADH!
Një buburrec kapa n’kokë,
Dhe e hodha mirë përtokë...
Hipa mbi grumbull dheu:
-Trim si unë s’ka Atdheu!
Ditën tjetër në mal dola:
-JAM I MADH, me zë fola!
Një hardhucë - befasisht,
Desh e lashë fare pa bisht.
I theva do degë të thata:
-Jam Tarzani-fort piskata!
Tjetrën ditë shpatit zbrita
-I MADH JAM, atje bërtita!
Kur ndala pak te përroska,
I shastisa nja tri bretkosa.
Klitha fort në maje guri:
-Nuk bën nëna kësi burri!
JAM I MADH-kjo po shihet
Pse ky titull s’po më njihet?
GURËT...
Para se të ikte një baba i sëmurë,
U la dy djemve një grumbull gurë!
Pastaj dy djemtë, gjatë u përlanë,
Ç’të bënin më ta, dakord s’ranë...
Një ditë dikush, zgjidhjen ua gjeti:
Secili gjysmën le ta marrë për veti.
Djali i parë, thonë, me gurët e vet
Bëri një mur t’lartë, krejt hukubet.
Mur në formë rrethi, pa ide fare,
Vetëm një derë, pa asnjë dritare.
I vetmuar djali, jetonte aty brenda
Hahej me përralla, hahej me rrena.
E djali i dytë nuk u mendua shumë,
Me gurë ndreqi një urë mbi lumë.
-Andej e këndej, tha, ne jemi tanët,
Përjetë mes vete i bashkoi dy anët.
E uruan njerëzia: Sa vepër e rrallë!
Me urën e tij u bë legjendë e gjallë.
LIGJËRATA...
U deh njëri pas mesnate
Iu bë fytyra si surrat pate
Në tel gruaja: Eja n’shtëpi!
Ku e ka shtëpinë s’po e di...
Përpara i dalin rrugë plot
Nga të nisej s’e dinte dot.
Një hap para-dy hapa pas,
Hop, policët erdhën befas!
-Dukesh pak si i molisur,
Në këtë orë, ku je nisur?
Përgjigjet njeriu i ngratë:
-Oh, jam nisur n’ligjëratë!
-Mos po bën me ne shaka
Ligjëratë kaq vonë ku ka?
-Disa i thonë-shkollë nate
Ndodh shpesh në pallate
Në shtëpi hapin sa e qes,
Ligjërata-deri në mëngjes
Oratorin të gjithë e dinë,
Po tash si ta gjej shtëpinë?
LAPSI...
Një ditë Beni, në një shitore
Bleu një laps dhe një fletore
Me fletoren e lapsin kuqezi
U kthye Beni, vrap në shtëpi
Në tavolinë, nisi pa bërë zë
T’i bëjë detyrat një nga një.
-Më prit, tha, o Shkolla ime!
Atje mësuesi, i gjeti gabime.
Nervoz Beni: laps e kënaqe
Dhjetë gabime, në një faqe!
Me lot në sy, ai del nga ora
Dhe niset shpejt te shitorja.
I thotë shitësit: -Pse o dreq,
Ma ke dhënë lapsin e keq...
Ku ke parë laps n’këtë jetë
Dhjetë gabime në një fletë
Qeshet shitësi e bën hoka:
-S’ka faj lapsi - ka faj koka!
URIMI...
Kur lind fëmija
Qeshin muret,
Ngjallet shtëpia
Gëzohen gurët
E, si ta urojmë,
Cilit t’i ngjajë?
Babit o mamit,
Apo njërit dajë!
Si kush të bëhet,
Si ta urojmë pra?
T’i ngjajë ndoshta
Ndonjërit xhaxha
A t’i themi vallë
U bëfsh si Boletini
A u bëfsh i rrallë,
Sikur poet Naimi...
Sikur Azem Bejta
A si trime Shota,
O si mbret Agroni
Që ta njohë bota...
Hë, si ta urojmë,
Oh një vocërrak?
Përgjigjen e dha:
I mençur një plak.
Çdo voci në jetë,
Uroja një dëshirë:
-Le t’i ngjajë kohës!
Nuk ka më mirë...
DIMRI...
Erdhi shkurti pa fare borë
S’mbahet mend tha gjyshi
Për zotin jemi bërë horë,
O dikujt i ka rënë mësyshi
Ishin doherë dofarë plaka
Fërfëllizë e bënin natyrën
Tash u tretën - i mori flaka
Apo fshehur e kanë fytyrën
Gjyshja shikoi me mërrola,
-Ti plak m’i marrsh pleshtat,
Sall një fjalë tash po e fola,
O, krejt bardh i bëj kreshtat
Qeshi gjyshi me zë t’lartë
-Ti mua m’i marrsh t’ligat,
Shikoje qiellin krejt i thatë,
Na i ka ndalur edhe rigat...
-Boll ju burrat hodhët vrer,
Kot i lypni tash tri ditë hua,
E ka bërë zoti dimrin verë,
Rrofshin plakat me to s’ka...
Po këndon gjyshi prej inatit,
E lëmon mjekrën e bardhë:
-Me lot Plakat i qajnë fatit,
Nuk e lanë dimrin me ardhë!
MOLLA...
U nis Beni sot për n’shkollë
Fap me sy ia bëri një mollë!
U ngjit lart, atje në një degë
Te molla e kuqe sikur shegë.
E preku mollën pak me dorë
Iu dridh zemra në kraharor...
-Hej, t’papjekur, mos e nduk,
Dikush i foli e prapë u zhduk
Nga erdhi zëri s’e mori vesh,
Diçka në zemër i doli ndesh...
Dhe nga pema zbriti në tokë,
Prapë n’shkollë iku me shokë
Molla e kuqe atje në rremb
Benit në shpirt po i dhemb...
Kohë e keqe - fort po tutet,
Krimbi në zemër mos i futet.
LAJMET RAFAL...
Gjyshi po kënaqet,
Me nipin te shkolla,
Ia puth të dy faqet,
Kuq ia bën si molla...
Përdore e mban,
Ia ledhaton flokët
E pyet për mësuesin
E pyet për shokët.
-Dikush sot mësysh
T’paska rënë o sherr,
Rri strukur si këlysh,
Një zë nuk e nxjerr!
E, Beni i heshtur,
S’ishte kurrë si sot,
Asnjë lajm gjyshit,
Për be nuk ia thotë!
Gjyshi si përherë,
E di mirë ku prekë:
-E ëmbël si sheqer,
Çupëza me bistekë
I çilet goja trimit,
Del Shkup e Shkodër,
Gjyshi prej gëzimit
Po kërcen si lodër...
-Lum gjyshi për ty,
Zemra m’u bë mal
Oh sa bukur lajmet,
Tash m’i the rafal...
ZËNKA...
Po ecnin dy burra
Rrugës nëpër pyje
E shikonin qiellin,
Mbushur plot yje...
Nisën një bisedë
Me gaz dhe qeshje
Dikur sikur trimat,
Bënë marrëveshje!
Uh, marrëveshja
Habiti edhe pyjet:
Njëri mori qiellin,
E tjetri i mori yjet!
Pastaj nën një lis,
Burrat u shtrinë,
Të dy plot ëndje
Shihnin “pasurinë”
Pronari i yjeve:
-Sa gëzim i madh,
Oh, delet e mia,
Kullotni në livadh!
Pronarin e qiellit
E nxiu hidhërimi:
-Hiqi delet shpejt
Livadhi është imi!
Fjala nxori fjalën
E s’u morën vesh
U kapën për fyti,
U bënë përshesh...
Një sorrë, thonë,
Nga një degë lisi,
Mendermethanë
Me glasa i qëndisi!
ZGJIDHJA...
Në ankand:
Dy drejtorë,
Disa mësues,
E profesorë...
Oh, sa shumë
Ankandi zgjati
Asnjë ofertë,
Për ta nuk pati
Absurd i madh
Thanë të tjerë
Pse askush sot
Nuk do “vlerë”
Dikush qeshi
Me zë të vogël
Askush s’blen
Dushk për gogël
Doli papritur
Njëri n’katund,
Një propozim
E dha në fund...
Ideja, thonë,
Ishte e paparë:
-Vrik të kthehen,
N’klasë të parë.
HEROI
Kur e shikon
Mamin Heroi
Seç gurgullon
Sikur ujë kroi
Sytë i ndrisin
Sikur dy diej:
-Dëgjo, mami,
Shiko këndej.
I thashë gjyshit
Qe, unë u rrita
Tash me mua,
Të kalon dita!
Gjyshi me të
Fort po kënaqet
Mezi po pret
T’ia puth faqet.
Oh, me Heroin
Vjen edhe liria,
Gëzohet gjyshi,
Shndrit shtëpia.
TUTA, TUTA...
Beni po mburret: E bëj tmerrin!
N’oborr turret, s’e ndal sherrin.
Herë me shpatë, herë me shtiza
Luftë të gjatë, ka nisur me miza.
Pulës me lara, përballë kur i del,
Krahët përpara, i hap si një gjel
Si atlet pastaj, ia dha një vrapi,
E zu maçokun, për veshë e kapi
Fjalët e gjyshit: A je or n’mend?
Te koka e Benit, nuk zunë vend.
Oh, dhe këlyshin, mirë e lodhi,
Si duket bishtin, fort ia drodhi...
Tepër qenushi, klithi nga sikleti,
E me kthetra, pak e përshëndeti
Ben trimi, mori frikë nga këlyshi
Me lot n’faqe vjen vrap te gjyshi
E ngucë gjyshi, i lëshon batuta:
-Ah, tuta, tuta, ha dardha t’buta!
DIKUSHI...
Nëse do të jesh dikushi,
Bëje mendjen-vile rrushi
Mëso fort - lëri dokrrat,
Për çdo ditë rriti kokrrat!
Kur kokrrat mirë t’piqen
Ato prej viles vetë hiqen.
Në zjarr zemre bëhen verë
Përjetë ato do t’kenë vlerë
Se për verën që moti dihet
Nuk vjetrohet-po përt’rihet.
Pastaj mbushi mijëra gota
Verën tënde ta shijojë bota.
Nëse deh me këtë v(l)erë
Je dikushi-dimër dhe verë.
E nëse s’do të jesh dikushi,
Bëhu, pra, njëfarë babushi...
-Cili, në jetë, është babush?
-Ai që s’i ka tri kokrra rrush!
TEMA...
Hapi Beni një shitore,
Jo për t’shitur akullore!
Nuk shet djathë e as ve
Po shet Beni vetëm ide...
Mbi tavolinë-plot letra
Me ide t’reja e të vjetra
Një ide gjyshi i pari bleu
Po fleta bardh-s’i pëlqeu
-Këtë ide s’e marr vesh
E paske bërë përshesh...
Fleta bardh-ide e thatë,
Kot fare i dhashë paratë
Lodhe gjysh pakëz kokën
Ose pyete më mirë loken
Syzet gjyshja sapo i vuri
Iu skuq fytyra si purpuri.
-Merre letrën e rri rehat,
Kjo gjë fare s’do debat...
Ide gjeniale ore burrë:
Temë për doktoraturë...
FESTA...
Mijëra njerëz në protestë,
Dikush qeshi: qenka festë...
Ushtoi njerëzia: duam punë!
Krejt sheshi u mbush furtunë.
Bërtet bujku: e duam farën!
Plot grurë ta mbushim arën.
Aty minatorët me helmeta:
-Pa punë fare na shkoi jeta...
Edhe pleqtë shkopat i tundin
-Deri kur po na hani mundin?
U bënë tok fusha e kreshta,
-U tha rrushi nëpër vreshta!
Mllef të madh nxori rinia,
-Nuk na duhet kështu liria?
Çlirimtarët lëshojnë jehonë:
-Vallë ku mbeti lufta jonë...?
Aty dikur dhe hajnat dolën
Por krejt ndryshe ata folën...
Fytyrëfshehur si n’karneval
Protestuesve u thanë: ndal!
-Kush ju ka faj, që s’keni fat,
Ne po kemi punë-ditë e natë.
-Urra, sheshit, ushtoi njerëzia
Sa shpejt u zgjidh papunësia...
I madh e i vogël gjetën punë
Ua thyen maskat me bastunë!
Në fund, thonë, kjo protestë
Vërtet u kthye në një festë...
DEBATI...
Ndodhi një herë në një vend,
Një seancë fëmijësh n’kuvend.
Kryesuesi nisi me fjalë t’mira
Rendi i ditës: njëqind dëshira.
Pa leje fjalën e mori njëri krah
Me lapsa në dorë u nisën dikah.
Pa marrë leje edhe krahu tjetër
Bardh si bora dorëzuan një letër
Në mes të sallës, u ngrit njëri,
Krejt si krrokamë, seç i doli zëri
Me vrull dikush u turr në debat,
Një kollë e keqe nuk e la rehat.
Në fund u ngrit, njëri sa grima,
Bëri debat, sall me fishkëllima.
E një kaçurrele tha hiç pa frikë:
-Boll u bë debati-duam muzikë!
Kryesuesi në rend e vuri violinën
Oh, zëri i saj e ngriti adrenalinën...
I harruan shpejt brenga dhe halle
E lanë debatin nisën këngë e valle
Lajmi gjithkah u dha përmes telit:
-Seanca e fëmijëve - sipas modelit.
FRIKACAKËT
Ditën jam urtak
E natën jam trim
S’më frikon terri
Më ndrit ylli im...
Me shtratin-anije
Detit i bie përmes
(Dihet në ëndrra)
Deri në mëngjes...
Njësoj dhe motra
Krejt m’ka ngjarë,
Në dhomën tjetër
Si trime e paparë...
Gjithfarë ëndrra
Kokën ia bluajnë,
Dert s’e ka aspak
Syrin s’ia luajnë...
Gjyshi me gjyshen
Secili ka një shtrat
Nuk rrinë fort larg
Por jo dhe aq ngat...
Kohëve të fundit
Ata u bënë trima
S’po i frikon nata
Shiu as vetëtima...
Veç babi e mami
Ata fort po tuten
Tok në një shtrat
Natën po struken...
DASHURIA
Kur t’i terron sytë
Në jetë dashuria,
Rrathë dhe katrorë
Të duken sikur vija
Ah thonë dashuria
Është fort e zonja
Shpesh t’i përzien
Numra e shkronja
Ndodh ndonjëherë
Kur përpara t’fshin,
Çdo kodër me lule
Të duket rrafshinë
Në jetë ka ngjarë
Jo vetëm një herë
Del pelin e hidhur
Kur ti e do sheqer.
Moti një vërejtje
Jeta e bën me dije
Dashuri e urrejtje,
I ndan veç një fije
Sigurisht këto fjalë
S’do t’i marr t’kota,
Po pa dashuri, vallë
Çka na duhet bota?
Andaj me padurim
Po pres të rritem,
Në magjinë e saj,
Thellë do t’zhytem.
DHURATA...
Një qytetar, i cili jetonte në Saraj,
T’i shiste n’treg, nxori tre papagaj.
Ia behu një njeri, zotëri me kollare,
Kur i pa papagajt, ah u mahnit fare
Nga dëshira, iu rrëqethen qimet,
Shkurt pronarit: sa i kanë çmimet?
-I pari, i tha, njëqind lekë për besë
Se e di Iliadën me pikë e me presë...
Të dytin për dyqind, shkurt e blen
Se përveç Iliadës, e di dhe Odisenë!
Treqind lekë fiks, çmimin e ka i treti
Papagall më të zoti, s’ka krejt qyteti...
-Çarë di ky, pyeti njeriu me kollare?
-Është shefi i tyre-nuk di asgjë fare.
-Merri lekët, tha, këtë të tretin dua,
Shefit tim dhuratë-s’është për mua!
BISHTI...
Fjalë e urtë e ditur
Dardha-bishtin prapa
-Ore, a ka të ngjitur,
Apo larg me hapa...?
-Atë bishtin e parë
Moti ia kanë prerë
Atëherë kur ra borë
Fërfëllizë dhe erë...
Borë tjetër kur reshi
Erdhi prapë e trisht,
Dikush kap për veshi:
-Ku bën ti pa bisht...?
Tjetër bisht sërish,
Shpejt asaj i ngjiti!
Oh, dardhë e brishtë
Këtë kurrë s’e priti.
Mori frikë në jetë
Dardha po dridhet,
Fati i saj i shkretë,
Për bishti po lidhet.
Molla plot mërzi
Foli një paradite:
-Çka vjen n’kojshi
Në shtëpi-prite...!
TRENI...
Xha Ibishi, tre djemtë i ka në kurbet
Me ta në telefon bukur shpesh flet...
Sivjet u gëzua, zemra iu bë sa një det
Në shtëpi me djemtë Festën po e pret
Të parin e pyeti: bir me çka do t’vish?
-Do të vij me veturë, një tip micubish!
Për këso veture, xha Ibishi s’ka haber
Po me rëndësi djali të vinte këtë herë.
Me të dytin kur foli, herët një mëngjes,
I tha se do t’vinte me makinë mercedes
I qeshi fytyra plakut, si fytyrë fëmije:
-Ah, tha, mercedesi, është sikur anije!
Të tretin e pyeti: Ti bir, me çka po vjen?
-Kësaj radhe babë, unë do t’vij me tren!
U mendua pastaj plaku, me vete po flet
-Punë na paska nxjerrë, ky tren adalet...
Nuk e lodhi kokën, xha Ibishi i shkretë
I lumtur në telefon i tha djalit të tretë:
-Vërtet oborrin, bir, nuk e kemi t’madh,
Po, e parkojmë trenin poshtë në livadh.
NCUK E NCUK...
Ishte zgjuar babi që me natë
N’kopsht punonte me lopatë
Vapë e madhe, muaji gusht,
I piknin djersët sa një grusht
Unë dy gurë nuk i lija n’vend
Desh e lashë babin pa mend!
U nis drejt meje si një skifter
Unë i thashë: kjo s’është fer!
-Pse s’është fer more picimul
Unë këtu mbill - ti atje shkul!
-Lehtë e ke punën me një çun
Tregohu trim tash tjetërkund!
Po vinte mami, me një kafe,
Nisi babi, krejt, do tjera llafe!
Babi me mamin ncuk e ncuk...
Unë punën time-shkel e nduk!
MARTESA…
-Babi, a m’tregon diçka drejt
A është martesa e shtrenjtë?
-Nëse e ke fjalën veç për para,
Kjo varet xhepin kush sa e ka.
Nëse ndryshe mund të thuhet
Për martesën gjithnjë paguhet.
-Oh, edhe ti babi e bëre namin
Pse, ende paguan për mamin?
-Martesa, bir, është si shkolla
Ajo nuk kërkon vetëm të holla!
Obligime të tjera dalin shpesh
Kur të martohesh e merr vesh.
-Kaq e vështirë qenka martesa
Kurrë s’do t’martohem qebesa!
-Ngadalë, mos u ngut more bir,
Se martesa është edhe e mirë…
ROBOTI...
Diku në qytet, vendosën një robot,
Ti i bën pyetje-ai përgjigjen ta thotë!
Pyet njeriu i parë: Ku e kam gruan?
-Këtu afër teje - me vajzën po luan...
Vërtet në mes sheshi, nënë e bijë,
Me balonë po luanin, krejt afër tij...
Njeriu i dytë i tha: Ku e kam djalin?
-Ka dalë në livadh po e shalon kalin...
Edhe ky në telefon me djalin kur foli
Përgjigja e robotit e saktë sërish doli...
-Ku e kam babanë?- e pyet një i tretë
-Baba yt moti, paska ndërruar jetë!
I ra grusht robotit: A je mirë ç’po thua
Baba i vdekur? Ai qe ku është me mua.
-Dituria jote o robot, qenka krejt pus,
Ta paska bluar ‘trurin’ keq një virus...
Pa pikë fytyre roboti, ia flet një fjalë:
-Pyete pak nënën, mos u ngut o djalë!
LAKMIA...
Sa herë s’e zgjidh një detyrë mirë
T’i shpëtoj gazepit e kam vështirë
Lëre që fytyra më shkon te shokët
Po dhe mësuesi m’i “ndreq” flokët.
Copë e grimë kur e thyej një gotë
Të shpëtoj lehtë-kjo është e kotë,
I madh e i vogël e marrin mundin
Flokëve pluhurin seç ma shkundin
Një çupe n’klasë kur ia bëj me sy
Ajo vrapon tek unë, pa një pa dy
Për muri të klasës më zë ngushtë
Me flokët e mia mbush një grusht
Shpesh me top kur lozim n’fushë
Ndodh një tjetër e kap për gushë
Natyrisht dhe ai tregon kulturën
Bukur mirë ma dredhon frizurën!
Kur e marr ngrykë motrën e vogël
Dhe ajo bën lojë me flokët e mia,
Sytë më dalin jashtë sa një gogël,
Nga piskama ime dridhet shtëpia
...Një ditë fort e pata mëri veten
E shikoj gjyshin-ai lexon gazetën,
Një fije floku nuk ia pashë n’kokë
Sa shumë e pata lakmi, o, shokë...
VIRUSËT…
-O, bobo plakushi
Rri veç n’internet
Botës i ra mësyshi
Fundi po na prêt…
Fjalët sikur furtunë
Gjyshit n’krye i ranë
-Oh, ç’na doli punë
Gjyshe bëre belanë…
Po gjyshi fort i qetë
Nuk e prishi surratin
E lëshoi një raketë...
E dridhi dhe shtratin
I hapëm tri dritare
E hapëm dhe derën
-O, njeri, dalsh fare,
E prishe atmosferën
U nervikos gjyshja,
Ashpër nisi debatin
E gjyshi në internet
Nuk e ndali “chat”-in
-Uh, tha,atmosferën
Dert e ka ndokush?
Ç’t’i bëj kompjuterit
Me virus u mbush...
FLOKËT...
E pyet nipi gjyshin në vesh:
-A quhen edhe flokët lesh?
Qesh gjyshi me gjithë zemër
I quan ato me tjetër emër...
-Flokët, nip, janë bari i kokës
Janë sikur livadhi sipër tokës
Nipi, pyetje tjetër, bën sërish:
-Pse dikush flokët i ka si plish?
-Flokët janë sikur degët e lisit
Varet ku rriten-prej mjedisit...
Nuk e zë nipin vendi-vend:
-Flokët, gjysh, a kanë mend?
Përgjigjet gjyshi si vërdallë:
-Flokë t’mençura-pak si rrallë!
Se t’mençurat s’rrinë n’kokë
Sikur gjethet bien në tokë...
E kuptova gjysh këtë gallatë:
-S’rritet floku n’kokë të thatë!
Kënaqet nipi kur bën hoka,
E gjyshit fort i vizëllon koka!
AS PULA, AS VEJA...
Sa e vjetër është ideja:
-E para pula, apo veja?
Plot fjalë dhe teorema
Po nuk u zgjidh dilema
Një natë diku në fshat
Në një kotec u bë debat
Po krenohej pulë Lara:
-Dihet: pula ish e para!
Zogu i vogël ciu me gojë:
-A bën unë t’hyj në lojë?
-Pse bre nënë ashtu fole
M’thuaj, pra,ti nga dole?
Befas pula u zu ngusht
Për pak i ra zogut grusht...
Filloi Lara sërish debatin
-Ka-ka-ka, e lodhi fshatin
Dikur flatrat i rrahu gjeli
Pulës në fyt fjala i ngeli!
-Pse e lodhni kokën kot,
Kjo gjë dihet jetë e mot!
Punë e kryer, o t’shkretë
I pari gjeli -në këtë jetë!.
DEBAT PLEQSH...
Në një stol në mes sheshi
Debat pleqsh të zë veshi:
-Dikur thuhej: avash-avash
Qengji rritet bëhet dash
-Te ne ndodhi tjetër mesele
Qengjat tanë u bënë dele...
-Delet që ndahen nga tufa
I përlan ujku, tha xha Cufa
-Ndryshe tash, tha Marashi
Delen tona i hëngri dashi...
-Çka po flet ore, a je mirë,
U bë ujku dash me brirë...?
-Jo, ore, është ujku i vjetër
Vetëm gëzofin e ka tjetër!
-Po ku mbetën gjuetarët,
A kujtohen pak për t’parët?
-Për të parët? S’u ha palla!
Në gjah dalin me pushkalla.
E vërteta dhe më e hidhur:
Me pushkalla e duarlidhur...
-Të gjithë e dinë t’vërtetën
A s’e lidhën këta vetveten?.
-Ai që veten njëherë e lidh...
Askush në botë nuk e zgjidh!
Epilog pleqsh në mes sheshi:
-Me nder nesh: U përzi leshi!
PORTRETI...
Lapsin, ngjyrat edhe fletën
Në një sprovë e vura veten
S’më tha kush, desha vet
T’i bëja babës një portret
Mbahu, thashë, lum ti djali
M’u duk vetja njësoj si Dali...
Ai në oborr rrinte nën hije
Unë nisa tinëz vijë pas vije
Sytë e kaltër sikur uji i Drinit
Mustaqet krejt si t’Çaplinit
Faqet trash sikur tuli i bukës
Kësulën bardh si maja e Sukës...
Hundën kërryl sikur kërrabë
Kreshpëruar si një shkabë...
E mbusha portretin karakter
Vrap te mami - menjëherë...
E shikoi mami me bisht syri!
-Fol, i thashë, ta hajë i biri...
-Hiqmu qafe, tha, ore dreq
Ku është baba kaq i keq...?
FAJTORI...
Babi në kokë pak me gisht:
-Më ke marrë inat, seriozisht!
Unë them: ditë, ti thua: natë
Unë rri i qetë, ti bën shamatë
Unë ec poshtë-ti ec përpjetë
Si ta plakim bashkë një jetë?
Unë t’jap dritë, ti kërkon terr
Pse mes nesh gjithë ky sherr.
Po s’e hoqe zanatin e vjetër
Më mirë gjeje një babi tjetër!
Oh, sa u bëra si qengj i butë
Papritmas babit i vluan trutë...
Më bërtiti fort me sëkëlldi:
-Pse më ke marrë kaq mëri?
Befas si trim përballë i dola,
Më në fund një fjalë ia fola:
-Pse t’kam mëri, ti e di vet,
Përditë babin po ma “vret”!
Këtë mësim të rrallë kur e mori
E kuptoi babi kush është fajtori
Pastaj në kokë e vuri gishtin:
-Edhe unë,tha, ia nxora bishtin!
Me lot në faqe m’i puthi sytë
Dhe u përqafuam fort të dytë...
PINOKU...
Jo rrallë mami bërtet:
-Ti veç përralla po flet!
Edhe babi para një jave:
-Oh, me përralla m’thave!
Daja m’tha para një dite:
-Me përralla më mërzite!
Shpesh thotë edhe halla:
-Na ngopi ky me përralla!
Sot m’tha një shoqe klase:
-Me përralla seç më plase!
Rrugës dëgjova një fjalë:
-Përralla të rras ky djalë!
Kjo punë-shkurt e shqip:
-Na lodhe rrena more tip!
I them gjyshit: dëgjo Pinok,
Unë të paskam edhe shok...
DARDHË ME BISHT...
Një natë i dhashë liri vetit:
Shëtita valëve të internetit
Zateta një mike nga Australia
Veshur si zebër krejt vija-vija
Në Facebook i bëra kërkesë
Mik më pranoi - pa vonesë
Më tha mami: bir a je n’veti?
Ku po shkon atje-përtej deti
Ç’po thua mami, po flet seri
Jam këtu afër te kompjuteri...
Me miken n’fillim si zakonisht
Bëmë bisedë krejt miqësisht...
Por ngadalë ndërroi politika
Nisën disa zemra me tri pika...
Puthje të zjarrta merr e jep
E vumë Facebookun n’gazep
Një ditë shoqja nga Australia
Nisi tek unë mesazhe t’këqia!
U habita fort, them seriozisht
M’doli mikja dardhë me bisht
I thashë mamit prej sikletit...
Kjo është e “mira” e internetit
Shoqja e dashur më del shok;
Dhe vrap i bëra pastaj “block”.
GOSTI E PAPARË...
Në tavolinë vezë me gjizë,
Rreth e rrotull vjen një mizë.
Nervoz Beni, sa s’i del flaka,
Desh e mbyti me shuplaka.
Kjo strategji, krejt e gabuar,
A zihet miza, vallë, me duar?
E merr pastaj edhe një gazetë
E ndjek mizën poshtë-përpjetë.
Fshihet miza diku në një skaj
Sapo nis Beni, kthehet pastaj.
Ndalet djaloshi, veten mbledh
Sprej për miza në dhomë hedh!
Bëhet dhoma mjegull fare;
Ikën miza n’mënyrë tinëzare!
E pyesin shoqet për gostinë
Gënjen miza krejt Mizërinë...
-Nuk mbaj mend këso pritje,
Në fillim shumë duartrokitje!
Sa fort mandej më gostitën,
Oh, me pahitëse më pahitën...
Kur më thanë: Udha e mbarë!
Krejt n’parfum më kanë larë...
NDIQE ËNDRRËN...
Kur je fëmijë fare i vogël
Ti në gjumë përpëlitesh
E sheh veten si një gogël
Ëndërron se do t’rritesh...
E do t’bëhesh si Tarzani
Me muskuj t’fortë-çelik
Kudo që vete bëhet nami
Tmerr i zi për çdo armik...
Kur të rritesh më i madh
Ëndërron krejt ndryshe
Trëndafila sheh n’livadh;
Qiellit plot dallëndyshe!
Tek shihesh në pasqyrë
I thua vetes -Don Zhuan
Gjaku të gufon në fytyrë
Ëndrra befas të pushton
Jeta ecën vrap me hapa
Edhe ëndrrat -me jetën,
Kur ato të ndjekin prapa
Ti ndiqe atë të vërtetën!
Ëndrrën me yll në ballë
Po e gjete, mos u tund!
Sikur Princi në përrallë,
Ndiqe fort deri në fund...
EPITETET...
Beni i vogël arrakat
E çon peshë një pallat...
Nga agu deri në terr
Epitete përditë merr...
-Banjën kush e fëlliqi?
-Si zakonisht - Ben Viçi!
-Shporetin kush e ndali?
-Dihet mirë - Ben Kali.!
-Tavolinën e përmbyti?
-Kush tjetër- Ben Shyti!
-E derën kush e hapi?
-Sigurisht - Ben Cjapi!
-Lulen kush e nduku?
-Mos pyet- Ben Minuku!
-Çorapët kush i nxori?
-Mjeshtri - Ben Maçorri!
Nuk i lënë vend kurrkah
Vetëm gjyshi i del krah...
-U ngop Beni me epitete
Më mirë mbani për vete!
VITI I RI DHE VITI I VJETËR
Njëherë në fund të vitit, në mesnatë,
Viti i Ri e Viti i Vjetër bënë shamatë.
Histori e keqe, thonë, është kjo punë,
Për orën në mesnatë mes vete u zunë.
I Vjetri: urra u bë ora dymbëdhjetë...!
I Riu: është ora zero-zero ore i shkretë!
Uh, në kupë të qiellit ngritën poteren,
Për pak nuk e prishën krejt atmosferën.
U zunë pastaj mes vete flokë për flokë,
Deri sa u plandosën fort, të dy përtokë.
Babadimri plak, i kapi shpejt për veshi,
Në mes të qytetit - dajak mirë i ngjeshi.
Pastaj i zbutën fjalët, thonë, prej tutës,
E u morën vesh në bazë të Kushtetutës!
Në mënyrë “solemne” u bart pushteti!
Dhe me fishekzjarrë u ndrit krejt qyteti...
FSHATARI e GOMARI…
Një fshatar pati një gomar
Me të shkonte në pazar…
Kur pëlliste gomarshkreti
N’siklet ishte krejt qyteti!
Oh, sa krenohej fshatari
Askush s’ka kësi gomari!
E shpotiste një tregtar:
-Bëja patkonjtë – qelibar.
Një ditë krejt befasisht
Gomari zbardhi dhëmbët
Kur e pa fshatari - u ligsht
Gati e lëshuan këmbët…
Për gomarin fort u mërzit
Sytë s’iu terën për disa ditë.
Për ngushëllime rend vijnë
Dhe ia heqin pak mërzinë...
Eh, një ditë pa gojë mbeti
Kur në fshat kishin mësyrë
Nja tre tregtarë nga qyteti
Për t’i “hequr” pak mynxyrë!
Përnjëherë e hapën gojën
Dhe me tallje nisën lojën:
-Mos u mërzit, është e kotë
Shpejt e gjen në atë botë…
Ua kthen i qetë fshatari:
-Më s’do të mërzitëm hiq
Se krenar më bën gomari
Që ka pasur të tillë miq!
JETË, O JETË
Gjyshi shtrirë në shtrat
Veç mendimet i ka ngat
E ka harruar krejt veten
Kur e kthen prapa jetën...
I del përballë si arushë
Zihet gushë për gushë
Lufta e Tretë Botërore
Bëhet lart në bregore...
Pastaj si ujk ndesh i del
Fshehur thellë në zabel
Me ujkëziun kacafytet
Derisa fort të djersitet...
I del jeta sikur një skile
Leshbutë e përplot hile
-Po ti bishtin e ke t’gjatë!
Ofshan gjyshi i ngratë...
Herë ofshan, herë flet
Kur i del jeta si një det
E hedh fort cep më cep,
Shumë i merr e pak i jep
Ah jetë e poshtër jetë
Ti je shtrigë e vërtetë
Bëhu pak më e butë
Se m’i dogje edhe trutë
I thelluar gjyshi i vjetër
Befas krejt bëhet tjetër
Kur e puth nipi në faqe:
-Oh jetë, ti më kënaqe!
PËRGJIGJET GJYSHI...
Një lopë larë kur kullot bar
Dhe i tremb mizat me bisht
Çka mendon për një lopar
Që e rrah shpesh mizorisht?
Kau i kuq me brirë të gjatë
Qafën varrë si mos më keq
Çka mendon për një truthatë
I cili zgjedhën kurrë s’ia heq
Një gomar krejt kurrizvrarë
Nga samari përmbi shpinë
Ç’mendim ka për një pronar
I cili jetën shpesh ia nxinë...
Një kalë, gojën krejt shkumë
Nga pesha e rëndë e sikleti;
Kur s’mund të bëjë as gjumë
A thua ç’mendon vetmeveti?
Rrugës tek trupon një qen
Gurët në shpinë e godasin,
Ai këlthet fort si me refren.
Ç’mendim ka për dorasin?
Përgjigjet gjyshi si zakonisht
Fjalët e tij godasin në ballë
Kafshët mendojnë sigurisht:
-Disa njerëz janë gja e gjallë.
DIELLIT I AVITESH...
Kur e fillon një vjershë
Si të ngjitesh në bjeshkë
Te një krua pak ndalesh
Me një zog n’degë falesh...
Tutje sheh një drenushë
Ah sa dëshiron të jesh dre;
Si një qengj manar n’fushë
Lodron vargjeve plot hare...
I përqafon lisat në male
Rrënjëthellë e degëshumë
Fjalë e vargje hedhin valle
Sikur valët në një lumë...
Bjeshka ka edhe leqe
Një e vërtetë që dihet
Ty s’të gjen gjë e keqe
Muza pas teje fshihet...
N’deje vargjet të rrjedhin
Me to pushton dhe qiellin
Kalon brigje me një hap
Nuk të ndal asnjë satrap...
Oh, kur mbaron një vjershë
Bjeshkës i ngjitesh n’kreshtë
Deri te retë ngre një pallat
Diellit i avitesh më ngat...
KËTA E DRIDHIN TOKËN
Ah, ç’e bëra një shkrim
Për një politikan pa kokë
Thashë ta bëj hi e pluhur
E ta hedh fort përtokë...
Befas dhjetëra të tjerë
Lart i ngritën brirët
Ç’m’i kujtuan bajlozët
Ç’m’i kujtuan vampirët...
Një shkrim tjetër bëra
Për një hajn të përkryer
Thashë ta bëj copë e grimë
Ta lë këmbë e duar thyer...
Papritur një llavë e tërë
Dhëmbët i zgërdhinë
Ç’m’i kujtuan hienat
Ç’ma kujtuan ujqërinë...
Bëra një shkrim tjetër
Për një “trim” heshtak
Desha t’ia prish gjumin
Thashë ta ngjalli pak...
Tinëzisht para sysh
M’dolën dhjetëra skile:
-Heshtja e tyre ishte
Fund e krye me hile...
Vërtet fort u mërzita,
Ta thyej penën desha...
Befas thellë nga zemra
Me zë të lartë qesha...
Vargje për fëmijët
Më vërshuan kokën:
-Këta janë ardhmëria
Këta e dridhin tokën!
© xh.k.