Përdoruesi:79.106.209.226

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Trebishti i Gollobordës në Aktet e Hilandarit të vitit 1426. Akti i Dhurimit

Aktet e Hilandarit të vitit 1426, konsiderohen si dy dokumente nga më të rëndësishmet që kanë nënshkruar Ivan (Gjon) Kastrioti dhe katër bijtë e tij. Akti i parë i Hilandarit është ai i faljes së Radostushes dhe Trebishtit për manastirin serb të Hilandarit. Akti i dytë konsiderohet ai i shitjes së Pirgut të Shën Gjergjit për Ivan (Gjon) Kastriotin dhe bijtë e tij. Atyre akteve u janë referuar studiues të shumtë, duke i interpretuar nga këndvështrime të ndryshme e për qëllime studimore të ndryshme. Arsyeja që na shtyn edhe ne të merremi me njërin nga këto dy akte, pra me aktin e dhurimit të Radostushes dhe Trebishtit për manastirin serb të Hilandarit, lidhet me çështjen se për cilin Trebisht bëhet fjalë në këtë akt të Hilandarit. Bëhet fjalë për Trebishtin e Rekës në Maqedoni, sikurse thonë disa nga studiuesit e historisë, apo bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës në Shqipëri, sikurse thonë disa studiues të tjerë?! Në aktin e parë që ka nënshkruar Ivan (Gjon) Kastrioti dhe bijtë e tij, nuk thuhet asnjë fjalë se për cilin Trebisht bëhet fjalë. Studiuesit që thonë se në aktin e parë të Hilandarit bëhet fjalë për Trebishtin e Rekës, nuk sjellin asnjë argument për pozicionimin e tyre. Ata nuk tregojnë për ç’arsye konkludojnë ashtu, por mjaftohen duke vënë në dukje se Radostushe e Rekës dhe Trebishti i Rekës në Maqedoni, gjeografikisht janë pranë me njëri - tjetrin. Edhe studiuesit që thonë se në aktin e parë të Hilandarit bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës në Shqipëri, nuk tregojnë përse konkludojnë ashtu. Më i shquari prej atyre që mendojnë se në aktin e parë të Hilandarit bëhet fjalë për Trebishtin e Rekës në Maqedoni, është profesor Kristo Frashëri, ndërsa më i shquari prej atyre që mendojnë se bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës në Shqipëri, është profesor Aleks Buda, ish Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me qëllim që lexuesi të njihet me përmbajtjen e aktit të parë të Hilandarit, në vazhdim po sjellim përmbajtjen e akt dhurimit të Radostushes dhe Trebishtit për manastirin serb të Hilandarit. Ja teksti i plotë:“...Simbas mëshirës së pamatë të zotit tim Krisht, unë mëkatari dhe i padenji, nuk guxoj të quhem shërbëtor i Krishtit, Perëndisë sime, Ivan Kastrioti dhe me bijtë e mi Stanishën dhe Reposhin dhe Kostandinin dhe Gjergjin, zelltarë ndaj zotit tim Perëndi tërëpërmbajtës dhe me ndihmën e së panjollshmes zonjë Perëndeshës sonë Hyjlindëse lavrës hilandarase, i përkushtohem me bijtë e mi dhe i dhuruam manastirit të shenjtë aq sa janë simbas fuqisë sonë, edhe i tërëmiri Perëndi dhe e panjollshmja Hyjlindëse të na i pranojnë këto dhurime tona të vogla, si së vejës leptën. Edhe kam dhuruar fshatin Radostushe së bashku me kishën, me të panjollshmen Hyjlindëse, që është në atë fshat të Radostushes dhe fshatin Trebishte. Edhe i kam dhuruar këto fshatra që të jenë të lirë prej çfarëdo punësh, të mëdha e të vogla, me të gjitha të drejtat e dhënies së haraçit të mbretit dhe të qytetit, dhe të gjitha këto t’i jenë të manastirit të shenjtë, edhe të mos ketë mbi to obllast as qefali, as vllastnik, as psar, edhe të mos kenë as të dhjeta, as taksë në grurë, në verë, në bletë, në dinarë të dhuruar, as në bar, as në kullotë, vetëm kisha t’i marrë të drejtat e veta simbas zakonit të atyre fshatrave. Edhe për të thënë shkurt, të jenë të lirë nga të gjitha punët e mia të vogla e të mëdha. Dhe ky shkrim imi të qëndrojë i fortë dhe i palëkundshëm. Edhe ai që perëndia do ta denjojë të jetë mbas meje më këmbën time dhe të sundojë këtë tokë, ose nga bijtë e mi, ose nga kushërinjtë e mi, ose cilin do që do të denjojë Perëndia, dhe guxon të prishë këtë shkrim timin me anë të cilit i kam bërë dhurim së panjollshmes zonjë sonë, Perëndeshës Hyjlindëse të Hilandarit, atë ta rrëzojë Zoti Perëndi në këtë shekull dhe në të ardhmen, dhe ta radhisë me Judë tradhëtarin, edhe të trashëgojë ai parathënien e Ferrit, edhe të jetë i mallkuar nga ata etër perëndimbajtës, edhe ta vrasë fuqia e kryqit të nderuar e jetëbërës, edhe t’i jetë kundërshtare e panjollshmja Hyjlindëse në gjyqin e tmerrshëm, edhe të jetë mallkuar dhe trefish mallkuar, amin! U shkrua kjo në vitin [....]. E shkrova dhe e nënshkrova me vulën e zakonshme të zotit Ivan”. (1) Ky dokument, që është një marrëveshje e Ivan (Gjon) Kastriotit dhe katër djemve të tij me manastirin serb të Hilandarit, është shkruar në vitin 6934 sipas kalendarit bizantin, i cili fillonte më 1 Shtator dhe mbaronte më 31 Gusht. Më të shumtët prej studiuesve janë të mendimit se bëhet fjalë për vitin 1426 pas Krishtit. Kemi patur mundësi ta gjejmë këtë akt dhurimi edhe në botime të tjera, por preferuam t’i referohemi përkthimit që ka prurë doktor Aurel Plasari, për arsye se përkthimi i tij është në përputhje më të plotë me gjuhën bashkëkohore shqipe. Dhe për më tepër, ashtu sikurse profesor Aleks Buda, edhe doktor Aurel Plasari kur flet për Trebishtin (fshatin që Gjoni dhe djemtë e tij ia dhuruan manastirit serb të Hilandarit), ka parasysh Trebishtin e Drinit në Gollobordën e sotme. Këtë gjë e kuptojmë kur Plasari shkruan se: “...Më 1952 ka qenë Aleks Buda që tërhiqte vëmendjen për nevojën e analizës së përmbajtjes së tyre (të dy Akteve të Hilandarit, A.B.), por edhe Buda vetë e shfrytëzonte dokumentin 82 për të nxjerrë në pah “marrëdhëniet feudale”, madje të shfrytëzimit feudal në shekullin e XV-të edhe në një zonë larg bregdetit dhe qyteteve, në Radostusha të Rekës dhe Trebishta në Gollobordën e sotme”. (2) Në Greqi, Mali i Shenjtë në siujdhesën e Halkidhikisë së Selanikut, ku gjendet edhe manastiri serb i Hilandarit, njihet me emrin Athos. “Athosi” (Ajon Oros), ose “Mali i Shenjtë”, siç është kuptimi në shqip i emërtimit greqisht, është një republikë priftërinjsh në një siujdhesë piktoreske të detit Egje. “...Hilandari është manastiri që ndodhet më pranë kufirit verior të Republikës Monastike. Ai shtrihet në një luginë të vogël gjithë gjelbërim, ndonëse nuk është ndër më të mëdhenjtë e manastireve të Malit të Shenjtë, është pa dyshim njëri nga më të bukurit”. (3) E ashtuquajtura “Republikë” e priftërinjve ortdoksë të Malit Atos, është një “...vend prej 50 km katrore, nga larg duket i vetmuar në mes të detit, me ca ndërtesa fantastike që lartësohen majë shkëmbinjsh të thepisur. Që në shekullin e dhjetë aty kanë qenë ndërtuar njezetë mungade, disa syresh të ngritura nëpër kreshta malore”. (4) Duhet theksuar se Trebishti dhe Golloborda nuk kanë figuruar në analet e manastirit serb të Hilandarit, thjesht si emra vendbanimesh. Në një material të studiuesit Ramadan Sokoli, kur shkruan mbi manastirin serb të Hilandarit, gjendet edhe ky pasazh: “...Shtojmë se përveç murgjve, aty jetonin përkohësisht shumë mundqarë, që venin për të fituar bukën e gojës si zejtarë, mjeshtër, gurgdhendës e ndërtimtarë, nga Kolonja, Opari, Devolli e Dibra”. (5) Që flitet për gollobordasit në rastin e përmendjes së Dibrës, mund të provohet nga një fakt i thjeshtë në dukje, por shumë domethënës në thelb, që e gjejmë në një studim të Aleksandër Meksit, nën titullin: “Shqiptarët në Selanikun e mesjetës - të dhëna që vijnë nga shekulli XIV”. Emrat e shënuara në regjistrat e kadastrave të Manastirit Athos: “...Të dhëna për shqiptarët e Selanikut: A. Në vitet 1300/1301, dhjetë shqiptarë. (1.19%). B. Në vitet 1316/1333, gjashtëmbëdhjetë shqiptarë. (0.69%). C. Në vitet 1338/1341, dy shqiptarë. (0.48%). Studiuesja Zorica Dokoviç, - (ve në dukje A. Meksi për autoren që i referohet, (A.B.) - ka shfrytëzuar për këtë qëllim regjistrat e kadastrave të manastireve të Athos - Mali i Shenjtë (Hilandari, Iviron, Lavra, Kseopotam, Estigmen, Zograf, Ksenofon, ku regjistrohen vetëm fshatarët në vartësi të manastireve (parikët). Ndër emrat që studiuesja Dokoviç veçon si shqiptarë, kemi të tillë si emra, por dhe ata me cilësimin shqiptarë (alvanitis), siç ishte një i tillë Georgi Alvanitis, i cili takohet në fshatin Kato Volvo në Kalkidhiqinë Perëndimore, dhe përmendet në regjistrat e vitit 1301, por emrat e fëmijëve të tij flasin sipas saj për një asimilim. (?)Rast tjetër kemi në fshatin Pinson, Kali Kurtesho, apo familjen Kalla Bardhi (Georgi Kulubarda), (pra Georgi Golloborda (A.B.), në fshatin Neo Horion”. (6) Nuk kemi dyshim se familja Kalla Bardhi e Georgi Kulubardës që asokohe jetonte në Neo Horion të Malit të Shenjtë, është një familje nga Golloborda. Këtë siguri na e japin shkrimet historike, kur nën emërtimet Kollo Borna, Kollo Barda apo Kulubarda, gjithmonë flitet për Gollobordën e Dibër. Për të konkluduar se në aktin e dhurimit të Ivan Kastriotit dhe katër djemve të tij për Manastirin serb të Hilandarit, bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës dhe jo për Trebishtin e Rekës në Maqedoni, po sjellim në vëmendje të lexuesit konkluzionin e ish Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të ndjerit profesor Aleks Buda, i cili thotë se: “...E kemi fjalën për materiale që i njeh padyshim edhe Noli, por të cilave ai s’u ka dhënë rëndësi. Njëri dokument është i vitit 1426, dhe është një Akt dhurimi të dy fshatrave që bën Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij në favor të manastirit Hilandar. Këto dy fshatra janë Radostusha në Rekë, afër qytetit të Dibrës dhe Trebishti, që gjendet në një luginë të anës së majtë të Drinit, në Gollobordën e sotme”. (7) Jemi në dijeni se kur ka arritur në këtë konkluzion, Buda ka shkuar në Trebisht të Gollobordës. Gjatë vizitës që Buda ka kryer në Trebisht, trupës pedagogjike të shkollës i ka thënë se Trebishti i Gollobordës është një amfiteatër i historisë. Historia e Trebishtit dhe Gollobordës kanë qenë objekt studimi dhe për autorin e këtyre rreshtave. Nga njohja e realizuar për historinë e Trebishtit dhe Gollobordës, priremi të besojmë se në aktin e parë të Hilandarit bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës. Kjo për faktin se Trebishti i Gollobordës, e konkretisht Manastireci i Trebishtit, ka qenë qendër administrative e gjithë rajonit që orbitonte rreth tij. Edhe Radostushe në Rekë të Maqedonisë, ka qenë qendër administrative e një rajoni të gjërë, brenda të cilit përfshihej dhe Trebishti i Rekës. Trebishti i Gollobordës ka qenë vendi ku asokohe lulëzonte një manastir i famshëm, sikurse ka qenë manastiri i Manastirecit. Në Manatstirec të Trebishtit fuksiononin dhe një numër kishash në vendin e quajtur Corkvishta, ku shkolloheshin klerikë të fesë ortodokse. Në Trebisht - Çelebi të Gollobordës ekzistonte një Metoh, në vendin e quajtur Metare. Funksiononte ndërkohë edhe kisha Sveta Paraskeva (Petka) në Cërkov të Trebisht - Çelebisë, etj. Në raport me Trebishtin e Rekës, Trebishti i Gollobordës historikisht ka qenë mjaft më i populluar. Dhurimi i Radostushes dhe Trebishtit, sipas Nolit është bërë për t’u bërë qejfin dhe për të fituar simpatinë e banorëve të atyre fshatrave (8), të cilët duket qartë se e meritonin një nderim të tillë. Duke pranuar Radostushen e Rekës dhe Trebishtin e Gollobordës si dhuratë, manastiri serb i Hilandarit fuste nën kontroll krejt rajonin e populluar masivisht me heretikë bogomilë, të cilët synonte t’i rikthente tek rrënjët e tyre ortodokse. Meqenëse në thelb të çdo marrëveshjeje qëndrojnë interesa konkrete të palëve, duke marrë në konsideratë edhe konkluzionin e profesor Aleks Budës, kemi arsye të besojmë se në aktin e parë të Hilandarit të vitit 1426, krahas Radostushes së Rekës bëhet fjalë për Trebishtin e Gollobordës, i cili kishte shumë për t’i ofruar manastirit të Hilandarit. Nga Agim Bekteshi.

Shënim: Ky material publikohet në kuadër të 590 vjetorit të Akteve të Hilandarit.Agim Bekteshi (diskutimet) 8 prill 2016 15:57 (CEST)Agim

<Dr. Aurel Plasari: “Gazeta 55”: “Kastriotët dhe Hilandari”, e datës 14 Shtator 2003. Faqe 13.(1)> <Dr. Aurel Plasari: “Gazeta 55”: “Kastriotët dhe Hilandari”, e datës 14 Shtator 2003. Faqe 14.(2)> <Dr. Aurel Plasari: “Gazeta 55”: “Kastriotët dhe Hilandari”, e datës 16 Shtator 2003. Faqe 13.(3)> <Revista “Nëntori”. Numër 9. Viti 1986. Faqe 144 - 145.(4)> <Revista “Nëntori”. Numër 9. Viti 1986. Faqe 153.(5)> <“Gazeta Shqiptare”; e 8 Janarit 2006. Shqiptarët në Selanikun e mesjetës. Faqe 25.(6)> <Aleks Buda: “Shkrime Historike”. Vëllimi i Parë. Viti 1986. Faqe 176.(7)> <Fan S. Noli: “Vepra të Zgjedhura”. Vëllimi 4. Faqe 72.(8)>