Jump to content

Përdoruesi:Abdulla Mehmeti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Abdulla Mehmeti u lind në Shipkovicë të Tetovës, më 2 janar 1962. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin e Tetovës. Arsimin e lartë e kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Studimet pasuniversitare në fushën e kulturologjisë i ka ndjekur në Universitetin e Shkupit. Ka kryer kurse dhe specializime të tjera në fushën profesionale.

Veprimtaria shoqërore dhe kulturore

Gjatë studimeve në Prishtinë ka marrë pjesë aktive në lëvizjen studentore dhe në demonstratat e vitit 1981. Për bindjet e tij politike është dënuar me burg. Si i përndjekur politik nga ish-regjimi komunist jugosllav është privuar nga të drejtat për shkollim të mëtejmë, punësim dhe veprimtari publike.

Me fillimin e proceseve demokratike, në vitin 1990, bashkë me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik e ka udhëhequr këshillin rajonal në aksionin popullor për pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive mes shqiptarëve në fshatrat e Malësisë së Tetovës.

Në janar të vitit 1990 e ka përgatitur programin dhe udhëhequr këshillin nismëtar për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, në gjithë hapësirën etnike shqiptare nën ish Jugosllavi, me pavarësimin e Maqedonisë më 1991, kjo e drejtë u kufizua me ligj. Kuvendi themelues i kësaj organizate u mbajtur më 19 gusht 1990, në Shipkovicë të Tetovës. Pushteti i atëhershëm themelimin dhe fillimin e veprimtarisë së kësaj organizate kulturore dhe atdhetare e luftoi me të gjitha mjetet dhe në të gjitha format, duke ngritur edhe proceseve gjyqësore të montuara për nismëtarët dhe aktivistët e saj.

Në vitin 1991, në kuadër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni e ka iniciuar mbajtjen e simpoziumit shkencor “Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili i zhvilloi punimet në Medresenë “Isa Beu”, në Kondovë të Shkupit, më 20, 21 dhe 22 dhjetor të vitit 1991. Punimet shkencore të këtij simpoziumi kanë shërbyer si Platformë për zhvillimin e veprimtarisë politike, kulturore, arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, në përpjekjet e tyre për liri, barazi dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike.

Në dhjetor të vitit 1993 e ka përgatitur Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, në të cilën janë përfshirë strategjia, taktika dhe aktivitetet për themelimin, ngritjen dhe afirmimin e këtij institucioni të parë të arsimit universitar në gjuhën shqipe në Maqedoni. Pas një sërë aktivitetesh disamujore kjo ide u kurorëzua me sukses në Kuvendin themelues të Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga themelimi: Universiteti i Tetovës, sipas selisë së tij), i cili u mbaj më 4 qershor 1994, në sallën e konferencave të Kuvendit komunal të Tetovës.

Gjatë viteve 1994 – 1998, ka iniciuar dhe organizuar dhjetëra manifestime shkencore, arsimore, kulturore dhe artistike, si: simpoziume, tribuna shkencore, debate, tryeza të rrumbullakëta, festivale artistike dhe letrare, ekspozita, akademi për ngjarje dhe personalitete të shquar të historisë dhe kulturës kombëtare, si dhe ka nxitur dhe botuar një varg veprash të rëndësishme shkencore dhe letrare, nga autorë të njohur shqiptarë, përmes edicionit të botimeve të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni.

Veprimtaria arsimore

Në vitin 2002/2003 u punësuar profesor i gjuhës dhe komunikimit në shkollën e mesme “Mosha Pijade”, në Tetovë, nga është larguar pas një viti për shkak të mospajtimeve dhe kundërshtimit të politikave të pushtetit ndaj shqiptarëve.

Në vitin 2007 u punësua në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Tetovës, me detyrë për themelimin dhe organizimin e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në kuadër të këtij Universiteti. Pas disa muajve e inicioi themelimin e këtij Seminari, si njësi akademike e Universitetit, i cili këtë vit u mbajt për herë të parë në qytetin e Ohrit, me pjesëmarrjen e studiuesve më të mirë shqiptarë të albanologjisë, nga vendi dhe bota e jashtme.

Veprimtaria ideore, shkencore dhe krijuese

Deri më tani ka publikuar me qindra punime shkencore dhe publicistike, artikuj, analiza politike dhe studime për kulturën, historinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe, në shumë gazeta, revista dhe publikime të tjera. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore, simpoziume, tribuna dhe manifestime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendit.

Nga viti 1990 deri më sot, ka përgatitur dhe publikuar një sërë programe dhe platforma për punën dhe veprimtarinë e disa organizatave dhe institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore, si dhe memorandume, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

Është autor i disa veprave shkencore dhe publicistike, të cilat pritet të publikohen në kompletin e veprave në 20 vëllime, ndër të cilat edhe monografia për Universitetin e Tetovës dhe monografi të tjera shkencore dhe vepra publicistike, për historinë, gjuhën, kulturën, jetën shoqërore dhe lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni, dhe jo vetëm.

Veprimtaria organizative

Ka qenë kryetar i disa asociacioneve dhe institucioneve kulturore e shkencore të shqiptarëve në Maqedoni:

– kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni;

– kryetar i forumit kombëtar Forcat e Bashkuara,

– kryetar i Këshillit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, dhe

– anëtar i organeve drejtuese të disa asociacioneve kulturore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku merr pjesë aktive në organizimin e punës dhe veprimtarisë së tyre.

Nga muaji prill 2016 është kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave edhe Arteve, me seli në Shkup, e regjistruar në Republikën e Maqedonisë si simotër e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork të SHBA-ve.

Abdulla Mehmeti, aktualisht jeton në Tetovë dhe punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës.