Përdoruesi:Abdulla Rechku - Duli
DULI, është një këngëtar i cili ka arritur që, në repertorin e tij, me shumë sukses të ndërthurë muzikën folklorike kërçovare me atë argëtuese. Shumicën e këngëve i ka me motiv dashurie, por nuk mungon as ai i atdhedashurisë. Deri më tani ka arritur të nxjerrë në treg rreth 13 albume, që takojnë veshin e mijëra adhuruesve gjithandej ku jetojnë shqiptarë. Është autor i shumë hiteve që janë përkthyer edhe në gjuhët tjera ballkanike. Videoklipi i tij i fundit titullohet “Ata sy” "Fiksimi " " A ndihesh fajtore " si dhe " Me mungon "të cilin e realizoi këtë vit.
Jeta e tij është e mpleksur me shumë ndodhi interesante dhe sfiduese për të gjithë ata që duan të kuptojnë rrugën e suksesit.
…Për më tepër ndiqni intervistën e drejtpërdrejtë të realizuar me Dulin!
1.Na kthe për një moment në fëmijërinë tuaj. Në ç’rrethana jeni rritur?
Duli: Jam i lindur në vitin 31.10.1978, në fshatin Cërvicë, shkollën fillore e kam kryer në Cërvicë, ndërsa në Zvicër vazhdova klasën e nëntë. Jemi dy vllezër, unë jam më i madhi, dhe vëllau im më i vogël, Kujtimi. Babai im quhet Shukri, ndërsa nëna Safije. Më duhet të them se si fëmijë, jemi rritur në kushte të vështira. Babai ështe marrë me muzikë, për ndryshe, muzikën e kam traditë familjare, tradicionalisht jemi marrë me këngë burimore dhe folklorike kërçovare, gjithashtu edhe xhaxhai im Ibrahimi, është marrë me muzikë. Në kuadër të Shoqërisë kulturo – artistike “Shkëndija”, së bashku me bashkëfshatarë të tjerë, kanë organizuar festivale të ndryshme. P.sh., këtu mund të kujtoj se diku rreth viteve të ’80-ta, kanë marrë vendin e parë në Maqedoni. Gjithashtu prirjen e tyre artistike e kanë shfaqur në dramën “Dërgimi i nuses në krua”, me të cilën janë prezantuar në shumë qytete të Maqedonisë. Zakonisht fshati jonë ka pas talentë të ndryshëm si për këndim, vallëzim, por edhe në aspekt të humorit. Mbase kjo ka ndikuar që edhe unë të merrem me muzikë.
2.Kur ke filluar të merresh me muzikë?
Duli: Të them të drejtën, muzika ka qenë pjesë e qenies sime, nuk është se e kam pasur të vështirë për t’a kuptuar këtë. Ndonjëherë, njeriu nuk pyetet se çfarë talenti do të ketë, po thjeshtë e ka dhuratë nga Zoti. Qysh në moshë shumë të hershme, kam kënduar, më kujtohet momenti kur kam kënduar me burrat në dasmën e xhaxhait tim, ku atëherë kam qenë vetëm 5 vjeç. Prej atëherë është shfaqur dëshira reale për të kënduar. Asokohe ekzistonte edhe Grupi i mirënjohur Folkloristik, i cili përbëhej nga Ibrahim Reçku, Mefmet Spahiu, Sefer Ballazhi, Mersim Çupi, Asip Xhambazi, të cilët këndonin nëpër dasma duke ruajtur e kultivuar melosin e pastër kërçovar. Unë si fëmijë, shpesh herë u bashkangjitesha atyre, sepse më pëlqenin këngët që këndoheshin atëherë, por gjithsesi edhe sot vazhdojnë të këndohen nga gjeneratat e reja. As unë nuk e kam lënë anësh melosin tonë autentik.
3.Nga vendlindja jeni larguar shumë i ri për të shkuar në Zvicër. Ishte kjo dëshirë e juaja, apo rrethanat ishin të tilla?
Duli: Sigurisht se nuk ishte nga dëshira ky largim… Si shumica e bashkëfshatarëve, por edhe e kërçovarve në përgjithësi, fati e deshi që të braktis vendlindjen, e të shkoj në Zvicër. Atje ishte babai im, i cili kohë më parë kishte shkuar. Erdhi momenti që në vitin 1993, bashkë me nënën dhe vëllaun, të ikim edhe ne. Kjo ndodhi menjëherë pasi e mbarova klasën e tetë. Por ky fat nuk qe edhe aq i keq në drëjtim të karrierës sime. Në Zvicër formuam një grup folklorik të titulluar “Ilirida”, në të cilin morrën pjesë babai im Shukri Reçku, i cili i binte herë sharkisë, herë çiftelisë e herë tupanit; pastaj Sefer Ballazhi me çifteli dhe vokal; Riza Mehmedi, me def dhe me tupan, i cili vinte nga fshati Shutovë; Hysni Xhaferri me sharki, i cili vinte nga fshati Padalishtë i Gostivarit si dhe violinisti nga Llokovica e Gostivarit, Xhevat Mislimi. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar edhe me shqiptarë nga Kosova.
Në vitin 1995, ndërroi jetë babai im dhe një vit kam pushuar së kënduari. Zinë e kam prishur për herë të parë te dasma e synetisë së dy djemve të Sefer Ballazhit, të cilën e bëri në Rot të Lucernit. Këto ishin vitet ku muzika filloi të modernizohet dhe për të qenë në hap me kohën, duhej që edhe ne të ndryshojmë metodologjinë e të kënduarit. Si rrjedhojë e kësaj, në moshën 16 vjeçare, u detyrova që nga muzika folklorike të kaloj në tallava, por asnjëherë nuk e kam lënë tërësisht folklorin shqiptar. Më duhet të përmend se gjatë këtyre viteve mundohesha të punoj edhe punë fizike, sepse realisht ende nuk e kisha famën e duhur për të mbijetuar vetëm nga muzika. Ditën punoja, ndërsa natën bënim muzikë nëpër lokale të ndryshme të Zvicrës. Ky mundim zgjati deri në vitin 2000, ku dalë - ngadalë fillova të bëj emër e famë. Kur arrihen këto dyja, e ke më kollaj pastaj, por ama duhet durim dhe punë maksimale. Gjatë konfliktit të 2001 – it në Maqedoni kam qenë më pasiv, sepse edhe njerëzit nuk preferonin të organizonin mbrëmje festive.
4.Albumi i parë i Dulit dhe përjetimet e para në rolin e një këngëtari popullor?
Duli: Pas mbarimit të luftës, në fakt ëndrra ime ka qenë që të realizoj albumin tim të parë, por nuk i disponoja kushtet e mjaftueshme për të realizuar një gjë të tillë dhe më lindi ideja ta bëj një inçizim privat i ashtuquajtur “Duli live”, me ndihmën e shokëve muzikantë që kisha në atë kohë, dhe e morra këtë inçizim me qëllim që t’a dërgoj në shitje te Produksioni muzikor “Beni”. Kur shkova që t’a prezentoj albumin te ky produksion, pronari i të njejtit, z. Sami Mehmedi i ndjerë tash më, e dëgjoi dhe më tha : “Dëgjo Duli, ke vokal të jashtzakonshëm dhe është shumë gjynah që mos të të ndihmoj unë ty. Me këtë album që ke bërë nuk mund të keshë sukses. Unë propozoj që të realizojmë një album ashtu siç ka hije të cilin do ta mbështes unë financiarisht. Kështu filluam me punimet e albumit të parë në studion e Eroll Jakupit - studio “eroll 5” dhe me ndihmën e tekstshkruesit Ejup Shabanit nga Gostivari, dhe programerit Argjent Mece – xheni, arritëm t’a realizojmë albumin e parë “Dixhu kallu”. Kjo ishte ndihma e të ndjerit Sami Mehmedi i cili ndërroi jetë në vitin 2011, dhe Zoti e shbërbleftë me xhennet ishalla.
5.Cilat instrumente muzikore i zotëron?
Duli: Realisht, zotëroj shumë instrumente, as vetë nuk e di si i kam mësuar, por ja që puna jonë është e tillë dhe vetvetiu i mëson këto gjëra. Tani për tani i biej çiftelisë, sharkisë, instrumenteve të ndryshme me tela nga prejardhja turke, pianos, gitarës nga pak, klarinetit nga pak, baterive ose në anglisht quhen “drumps”, lodrës, defit, fyellit, tarabukës, etj.
6.Në sa dasma jeni i angazhuar përafërsisht për një verë dhe a ndjeni rritje apo ulje të interesimit të popullatës për t’ju patur pikërisht juve në dasëm?
Duli: Dasma e parë ka qenë në verën e 2002 – it dhe prej atëherë kanë rrjedhur kërkesat, ftesat, rezervimet e njerëzve për të më pasur në momentet më të mira të jetës së tyre. Jam në shumë dasma verës dhe jam i kënaqur duke patur parasyshë faktin se njerëzit e thirin në dasëm këngëtarin e tyre të preferuar, i cili di të bëjë atmosferë, prandaj, kjo është edhe një inkurajim tjetër për mua. Mund të them se numri i dasmave që kam gjatë verës sillet diku prej 20 deri në 35, vetëm se një verë kam thyer rekord me 42 dasma, kuptohet edhe ditën edhe natën! Interesimi i dasmorëve vazhdon të jetë në një linjë normale, sikundër vitet që kalojnë, interesimi ngelet permanent. Për gjithë këtë dua të faleminderoj pikë së pari bashkëvendasit e mi kërçovarë por jo vetëm, këtu mund të përfshijë edhe qytetet tjera të Maqedonisë si Shkupin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, por edhe qytetet e Kosovës.
7.Si është raporti juaj me këngëtarët e tjerë të kësaj rryme dhe a ndjeni konkurrencë nga dikush?
Duli: Është e vërtetë se konkurenca e tregut është e madhe, por kjo është shumë në rregull. Mirëpo, shumica rreken të bëjnë muzikë pa mos pasur njohuri bazike. Kam raporte të mira me të gjithë këngëtarët dhe kjo më bën të ndjehem mirë, sidomos kur flasim për këngëtarë të denjë. Asnjëherë nuk kam pretenduar të kem marrdhënie jo të mira me dikë vetëm se është duke ushtruar të njejtën punë, secili e ka rrëskun e vet dhe sigurisht se secili do arrijë në bazë të punës që bën.
8.Kemi informata se preferoni të këndoni edhe “ilahi”, a planifikoni ndonjë realizim më serioz në këtë drejtim?
Duli: Po, është e vërtetë se preferoj të këndoj ilahi, madje e kam në plan që në një të ardhme të afërt të realizoj ndonjë ilahi t’imen personale. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndonjë duet me ndonjë këndues të shquar të ilahive. Besoj se kjo do jetë edhe një mundësi e re që të shtoj numrin e fansave të cilët janë adhurues të ilahive dhe teksteve fetare.
9.Si e kalon Duli një ditë të rëndomtë, për dallim nga një ditë të ngjeshur me punë?
Duli: Mezi e pres ditën kur do jem pak më i lirë, edhepse kjo është shumë e vështirë për ne artistët. Zakonisht, ditët e lira i kaloj me familjen time, takoj ndonjë mik që s’e kam parë e kështu me radhë. Ju e dini, ne punojmë natën dhe si rrjedhojë e kësaj duhet të përmbushim normën e gjumit duke fjetur ditën. Janë ditë stresuese por kur ekziston vullneti dhe dëshira për punë, kjo nuk është problem.
10.Çfarë ushqimi dhe pijesh preferoni më tepër dhe a merreni ndonjëherë me sport?
Duli: Ushqimi im i preferuar është mishi në hell, por jo shumë i pjekur, ndërsa për pije më shumë preferoj lëng frutash. Ndonjëherë bëj atletikë, kuptohet kur jam pak më i lirë, kjo më ndihmon që të heq nga vetja atë energjinë negative që dashur pa dashur, krijohet në organizmin e njeriut… dhe sigurisht edhe për dobi shëndetsore. Madje thuhet se vrapi ndihmon edhe në përmirësimin e zërit. Gjithashtu, një herë në javë preferoj të notoj. Notin e konsideroj si një ndër sportet më të rëndësishme për shëndetin trupor, por edhe atë mendor.
11.Në çfarë moshe janë djali dhe vajza juaj dhe a shikon tek ata ndonjë talent për muzikë, apo për momentin dëshirojnë të merren me diçka tjetër?
Duli: Djalin e kam 15 vjeçar, ka talent për muzikë, mirëpo nuk dëshiron t’a shfaqë, ndërsa vajza është 7 vjeçe. Ajo është kopje e imja, si në gjeste, si në pamje. Jam martuar në moshë të hershme (17 vjeçar) dhe ende pa i bërë një vit më ka lindur djali. Kam një familje të mrekullueshme dhe dhashtë Zoti kështu do vazhdojë deri në fund.
12.Kontakti juaj me Shoqatën Humanitare “Cërvica” ka qenë i vazhdueshëm, a planifikoni që edhe në të ardhmen të vazhdojë ky bashkëpunim?
Duli: Çdo herë kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me shoqatën, sepse kjo shoqatë është në dobi të të gjithë fashatarve. Një ndër projektet e sukseshme që realizon shoqata “Cërvica”, ku unë çdo herë kam qenë pranë tyre, është edhe Manifestimi Tradicional “Cërvica e bashkuar”. Faleminderimet e mia të sinqerta ndaj kryesisë së shoqatës, të cilët çdo herë janë të gatshëm për punë dhe ide fisnike!
Faleminderit dhe suksese!
INTERVISTË Nga: Agron VRANGALLA
Albumet e deritashëm të Dulit:
1. “Dixhu, kallu” (2001); 2. “Kush t`ka rrejt” dhe “Trimat e lirisë”- këngë me çifteli (2002); 3. “Je e imja dashuri” (2003); 4. “Çikat e sodit” (2004); 5. “Beso, mos beso” (2005); 6. “Dashuria ime” (2006); 7. “Gënjeshtare” (2007); 8. “Mëso si dashurohet” (2008); 9. “Malli për atdheun” (2009); 10. “Ah dashuria” (2010); 11. “Fjalët e zemrës” (2011); 12. “Vendi jonë i vjetër” (2012). parapamje