Përdoruesi:Arnela Avdiaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ka një sipërfaqe prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25–30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura.

Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Klima e luginës është mjaft e freskët dhe i nxeht i verës nuk egziston fare. Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një zallishte të krijuar prej lumit Valbona. Aktualisht fshati Valbonë ka afro 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra dy dhe trekatëshe me mure të trashë guri e çati karakteristike alpine me dërrasa druri. Në kullat karakteristike të tërheqin vëmendjen dritaret shumë të vogla dhe frëngjitë e ndërtuara në çdo drejtim për tu mbrojtur. Në qëndër të fshatit ndodhet një lokal që shërben në natyrë kryesisht, mish të pjekur në hell dhe meze e bylmet të zonës. Pranë lokalit është në ndërtim e sipër një basen i vogël për rritjen e troftës pikaloshe të Valbonës. Në Valbonë nuk ka hotel të mirfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në Jug, formohet një govatë tipike akullnajore. Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist.Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë pa vizituar. Valbona gjatë 4-5 muajëve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet.