Jump to content

Përdoruesi:KushtrimNeziri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gracka e zgjidhjeve standarde

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kur votuesi Kosovar u zgjua në mëngjesin e 12 dhjetorit, shpresa që serioziteti i faktit që këto janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur dhe besimi që numri i madh i vëzhguesve do të jenë garant i mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, ishte ajo që edhe njëherë e dërgoi deri tek kutia e votimit. Fatkeqësisht, ishte mbrëmja e po asaj dite që e vërtetoi të kundërtën.

Qëkur në Kosove mbahen zgjedhje, lokale apo nacionale, problemi i parregullsive, si në procesin e votimit ashtu edhe në procesin e numërimit të votave, është evident. Tanimë janë shndërruar në legjenda urbane tregimet sesi komisionerët e partive i ndajnë votat ndërmjet vete apo sesi filan komisioneri i ka siguruar ndonjë partie një numër të konsiderueshëm votash. Përderisa në vitet e para këto tregime ishin vetëm fjalë kafenesh, me avancimin e teknologjisë filluan të shfaqen edhe xhirime të llojllojshme. Siç dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit, ekzistojnë dobësi të theksuara si në organizimin e procesit të votimit e të numërimit të votave ashtu edhe në procesin e monitorimit të pavarur të zgjedhjeve.

Për të përmirësuar procesin e votimit dhe numërimit të votave shume shtete, me demokraci edhe më të zhvilluar se Kosova, ka vite që eksperimentojnë me zgjidhje të ndryshme të cilat kanë si pikënisje përdorimin e teknologjisë informative dhe asaj të komunikimit. Mbretëria e Bashkuar qysh në vitin 2002 ka filluar me studimin e mundësive dhe aplikimin e metodave të e-votimit (votimit përmes internetit), posaçërisht në zgjedhjet lokale. Estonia, një shtet ky që Kosova shpesh pretendon ta merr si shembull të përdorimit të teknologjisë informative për zhvillim ekonomik, konsiderohet si shteti i parë në botë që ka organizuar zgjedhje nacionale online; në vitin 2007 në zgjedhjet për parlamentin e Estonisë rreth 30 mijë votues, apo 1 në 30 votues, kanë hedhur votat e tyre përmes internetit.

Përderisa këto eksperienca nuk janë pa problemet e tyre, së paku paraqesin rrugë te provuara apo mundësi reale për përmirësimin e procesit të votimit. Një tentim i vogël për përdorimin e teknologjisë informative për të ndihmuar procesin e votimit është bërë edhe gjate këtyre zgjedhjeve në Kosove. Asociacioni Kosovar për Softuer të Lirë dhe të Hapur (FLOSSK) me përkrahjen e UNICEF-it ka zhvilluar një aplikacion të thjeshtë i cili përdor të dhënat e votuesve të publikuara nga KQZ-ja dhe i kombinon ato me Open Street Map (hartë e hapur e krijuar nga komuniteti). Në këtë mënyrë çdo votues mund të vizitojë faqen www.kumevotu.info dhe duke vendosur të dhënat e veta të shikojë lokacionin e saktë të vendvotimit në hartë.

Në tri vitet e fundit janë investuar mbi njëzet milion euro nga Buxheti i Kosovës në projekte të ndryshme të e-qeverisjes. Mirëpo në të njëjtën kohë gati asgjë nuk është bërë për të përmirësuar qasjen e votuesve ne informacion lidhur me procesin e votimit apo edhe për të ndihmuar vet procesin e votimit që paraqet shtyllën kryesorë të demokracisë. Edhe pse KQZ-ja ka një faqe interneti, shumicën e kohës nuk është në funksion të plotë dhe çdo fluks më i madh i vizitorëve (si në kohen e zgjedhjeve) shkakton rënien e faqes.

Situate e ngjashme është edhe sa i përket monitorimit të pavarur të zgjedhjeve nga ana e shoqërisë civile. Përderisa detyra kryesore e monitorimit të zgjedhjeve nga ana e shoqërisë civile qëndron në raportimin sa më të shpejtë të parregullsive dhe lëshimeve eventuale, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë koncentrohen më tepër në raportimin e rezultateve preliminare sesa në raportimin e parregullsive lidhur me procesin zgjedhor. Në zgjedhjet e fundit ishin disa nga pjesëmarrësit e zgjedhjeve (lexo partitë politike) që raportuan më shpejtë e më drejte sesa organizatat e shoqërisë civile. Vit pas viti, shoqëria civile është kritikuar për monitorim të dobët të zgjedhjeve si lokale ashtu edhe nacionale. Po çfarë ka bërë shoqëria civile për të përmirësuar procesin e monitorimit të zgjedhjeve? Ka aplikuar zgjidhjen me standarde dhe jo efektive të mundshme: ka rritur numrin e vëzhguesve.

Është për tu habitur fakti se sa jo-inovative janë organizatat e shoqërisë civile që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë. Derisa tek ne organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë procesin e zgjedhjeve shihen si mundësi për të përfituar një rroge shtese gjatë ditës së zgjedhjeve, ne botë organizatat e tilla kanë zhvilluar zgjidhje inovative të cilat po përdoren edhe nga shtete më demokratike. Vlen të përmendet platforma Ushahidi, fillimisht e zhvilluar për monitorimin e zgjedhjeve ne Sudan, Keni e disa vende tjera të Afrikës, e cila sot përdoret për të monitoruar pastrimin e borës në Siatlle apo për të raportuar grevat dhe ndërprerjet e sistemit të metrove në Londër. Shembull tjetër paraqet platforma për monitorimin e zgjedhjeve dhe parregullsive në Afganistan, platforme kjo e financuar nga NDI, financuesi kryesor i monitorimit të zgjedhjeve edhe në Kosovë.

Shtimi i vëzhguesve dhe ndërrimi i komisionerëve nuk mjafton më. Duke përdorur kësi lloj zgjidhjesh demokracia në Kosovë është lënduar seriozisht gjatë zgjedhjeve të fundit. Legjitimiteti i institucioneve dhe i shtetit të Kosovës mund të konsolidohet vetëm nëse arrijmë të garantojmë zgjedhje të lira dhe fer. Nuk mjafton të themi se partitë politike e kane përgjegjësinë. Demokracia nuk është vetëm e partive politike por e gjithë popullit të Kosovës. Sot më shumë se kurrë duhet përdorur të gjitha opsionet për të përmirësuar procesin zgjedhor. Përdorimi i teknologjisë informative dhe asaj të komunikimit mund te jetë një pikënisje e mirë. Zgjidhjet standarde dhe përmirësimet margjinale nuk mjaftojnë. Kjo u vërtetua me 12 dhjetor.


Bernard Nikaj


http://nikaj.org/2011/01/07/gracka-e-zgjidhjeve-standarde/