Jump to content

Përdoruesja:Enejda

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Iljaz Hoxha

Ky shkrim mbi jetën dhe veprën e mësuesit patriot dhe veteran Iljaz Hoxha është bazuar mbi kujtimet e të birit Bardhyl Hoxha

Iljaz Hoxha, i biri i Izetit dhe i Jekos, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1878. Ka studiuar në Stamboll dhe fliste shumë mirë gjuhët turke, arabe dhe greke.

Foto e Iljaz Hoxhes

Karrierën e tij si mësues Iljazi e ka filluar në Gjirokastër në fillimin e viteve 1900. Në këtë periudhë, i frymëzuar me ndjenja patriotike nga rilindasit tanë për çlirimin kombëtar e shoqëror, mori pjesë në lëvizjen e madhe patriotike të kohës për liri dhe pavarësi dhe u bë një nga mësuesit e parë të mësimit të abetares dhe gjuhës shqipe në Gjirokastër. U bë anëtari i parë i klubit “Drita” dhe një nga themeluesit e mësuesit e parë të shkollës shqipe që u hap në vitin 1908 në Gjirokastër.

Xha Iljazi, siç e thërrisnin të gjithë në Gjirokastër, me shpalljen e pavarësise, vazhdoi të ushtronte gjithnjë profesionin e mësuesit. Ka mësuar fëmijet në shkollën “Drita” të lagjes Palorto, në shkollën “Koto Hoxhi” të lagjes Varosh, në shkollën e lagjes Meçite dhe në shkollën e lagjes Dunavat.

Në këtë fotografi është klasa e nxënëseve të shkollës Varosh, Gjirokastër në vitin 1934. Iljazi është i ulur në mes me pantallona të bardha.
Ndërsa në këtë fotografi është një pjesë e mësueseve të qytetit të Gjirokastrës të viteve 1930. Iljazi është nv rrjeshtin e siperm i pari në tv djathtë.
Klasa e nxëneseve viti 1933-1934. Iljazi në të djathtë me mua ne krahë.

Iljazi ishte njeri i thjeshte, tregonte pak për veten. Mbaj mend diçka që mu ngul në mendje nga një bisede në familje dhe me shokët kur tregonte se në vitet 1900 ndiqeshin dhe persekutoheshin nga pushtuesi otoman të gjithë ata që përhapnin dhe mësonin gjuhën shqipe. Iljazi në këtë kohë u mësonte në mënyre shumë të fshehtë alfabetin dhe abetaren shqipe fëmijëve në katoq në shtëpi në Gjirokastër. Spiunët e kishin diktuar dhe njëri prej tyre në mënyrë provokative i kishte thene: “Me se merresh ti Iljaz atje në shtëpinë tënde? Ç’fare i ke ata fëmijë që vinë vazhdimisht aty“?

Iljazi menjëherë njofton Çerçiz Topullin në Këculle, i shpjegon ndodhinë dhe Çerçizi, mbasi e dëgjon me vëmendje e përgëzon për punën e nderuar dhe i thote: “Vazhdo Iljaz, mësoi fëmijëve gjuhën tonë se me armiqtë e spiunët merremi ne”. Dhe Iljazi gjatë gjithë periudhës deri në vitin 1908 kur u hap shkolla e parë shqipe në Gjirokastër, i mësonte fëmijet në mënyrë të fshehtë në shtëpine e tij. Iljazi Çerçizin e adhuronte dhe e nderonte. Shkonte vazhdimisht në përvjetorin e festës së luftës të Mashkullores. Për këtë kam dhe një fotografi ku kanë dalë në Mashkullore tek Rapi tre patriotet veteranë: Iljazi, Thoma Papapamo dhe Ramiz Harxhi.

Nga e majta në të djathtë: 1) Iljaz Hoxha 2) Thoma Papapamo 3) Ramiz Harxhi

Iljazi, veç punës për arsim e dituri bënte dhe një punë të madhe për forcimin e miqësise midis besimeve fetare. Iljazi nuk bënte dallime midis fesë myslimane dhe ortodokse. Te gjithë, thonte jemi shqipëtarë dhe vëllezer. Në Gjirokastër nuk ka patur kurrë mosmareveshje fetare. Te gjithë ishin një dhe të bashkuar.

Iljazi kishte miqësi të ngushtë me klerin mysliman dhe ortodoks. Çdo ditë takohej me hoxhë Mamanin dhe priftin e lagjes Varosh Papazisin dhe bisedonin si miq e vëllezer. Gjithë populli i Gjirokastrës e donte dhe e respektonte mësuesin e tij. Më kujtohet në vegjëli kur më merrte nga dora dhe kalonim në rrugët e sokakët e Gjitokastrës dhe njerëzit e përshendesnin me respekt e ngriheshin në këmbë me urimet sipas rastit me shprehjet: Miremëngjes Zoti Iljaz, Mirëdita Iljaz Efendi ose tungjateta Xha Iljaz. Shumë nxënës të Iljazit janë bërë kuadro të zotë dhe gjithmonë e kanë kujtuar dhe respektuar për kontributin që ka dhënë në mësimin dhe edukimin e tyre.

Me 24 Mars te vitit 1960 Iljazi vdiq. Me këtë rast shumë ngushëllime dhe telegrame i kanë ardhur familjes nga ish nxënësit dhe dashamirës të tij ku shprehnin hidhërimin e madh dhe ngushëllimet për vdekjen e mësuesit të tyre të dashur. Në revistën nr. 4 “Arsimi Popullor”, Prill 1960 është botuar nekrollogjia e hartuar nga kuadro dhe intelektualë të kohes siç janë: Dashnor Mamaqi, Bexhet Mema, Thoma Papapamo, Siri Shapllo, Ramis Harxhi, Siri Karagjozi, Kadri Baboçi, Vaso Konomi, Sotir Bita, Tomor Tushe, Vangjel Kostaqi, Azis Hoxha, Lefter Dilo dhe Sokrat Kutra. Ngushëllime të thella me telegram ka dërguar edhe Enver Hoxha, që Iljazin e ka patur jo vetëm mësues të abetares por edhe nun se i ka vënë emrin.

I pa harruar do të mbetet për të afërmit dhe për popullin e Gjirokastrës kujtimi dhe vepra e Iljazit që ka bërë për arsimin dhe edukimin në Gjirokastër.