Përpara gjyqit të historisë
Përpara gjyqit të historisë Gjinia: Histori, kujtime, me Autor Xhelal Staravecka. Shtëpia botuese: Naimi Viti: 2012. Faqet e librit 544. ISBN 978-9928-109-26-2
Figura e Xhelal Staraveckës (1912 - 1975) është një prej demonëve të shumtë që ka prodhuar historiografia e nënshtruar dhe frustruar qëllimisht nga politika. Gjithnjë në dritë të errët ka dalë deri para botimit të këtij libri: dezertor nga ushtria partizane, tradhtar a ballist, komandant i xhandarmërisë në periudhën naziste, emigrant politik pas luftës, Xhelal Staravecka, jo vetëm deri më 1990, por edhe në dy dekadat e fundme, mbeti "gogoli" i historisë.
Dhe ndoshta do të mbetej edhe për dekada të tjera njësoj sikur ai vetë të mos kishte menduar për të ardhmen, për "gjyqin e historisë", nëse do të perifrazonim titullin e librit me kujtime që ai shkroi në mërgim. Ky libër, që i jepet në dorë lexuesit për herë të parë në këtë botim, është përfunduar në Paris në vitin 1966 si një testament politik e moral i autorit.
Pothuajse nuk ka ngjarje të rëndësishme të organizimit të luftës antifashiste prej rrjedhës së Osumit e më në jug, prej fillimeve deri në fundin e vitit 1943, që të mos jetë e pranishme lufta çlirimtare e Xhelal Staraveckës si komandant partizan dhe një ushtarak i shkolluar në Perëndim.
Ai ka njohur nga afër udhëheqësit komunistë të luftës antifashiste Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun e shumë figura të tjera të Frontit Antifashist. Për më shumë, jo vetëm kampin antifashist e komunist, por ai do të përjetonte nga brenda edhe kampin tjetër: figurat kyç të Ballit e të Legalitetit, ndërkohë që mbretërimin e Zogut mbi shqiptarët e kishte njohur me themel qysh në rininë e hershme.
Libri i Xhelal Staraveckës, "Përpara gjyqit të historisë", është një libër tronditës, i shkruar pa mëshirë ndaj komplekseve dhe mbrapshtive shqiptare. Qindra personazhe e personalitete, kryesisht politike, të viteve 1912 - 1966, ndriçohen përmes ngjarjeve, veprimeve, fakteve dhe kujtimeve të autorit.