Paluze me fruta të ndryshme
Paluzet përgatiten me çdo lloj frute dhe ndonjëherë sipas nevojës mund të përgatiten edhe nga lëkurat e mollëve e të ftonjve. Frutat pasi zihen, kullohen, shtrydhen ose kalohen në sitë. Pjesa e pangrënshme e mbetur në kullesë hidhet, ndërsa tuli përzihet me lëngun ku janë zier frutat. Në këtë lëng hidhet sheqer dhe vihet në zjarr derisa të marrë valë.
Ndërsa në një enë tjetër tretet niseshte me pak ujë dhe duke e përzier e hedhim në lëngun që vlon, përzihet shpejt që të mos krijohen kokrra, mbahet në zjarr për 2-3 min derisa masa të trashet dhe të bëhet transparente.
Paluzja mund të bëhet e trashë ose e hollë ; kjo varet nga sasia e niseshtesë që do t'i hidhet. Zakonisht ato bëhen mesatare duke përdorur 1 lugë kafeje niseshte për një racion. Paluzes gjatë zierjes mund t'i shtohet pak limontoz. Paluzet më pikante janë ato që përgatiten me frutat e tharta si thanë, vishnje e ftonj.