Jump to content

Pasion i pjesëtuar

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pasion i pjesëtuar, një grua që përgjërohet për dashuri Gjinia: Psikologji. Autore: Mirela Sula. Shtëpia botuese: "Toena". Viti i botimit 2013. Faqet e romanit 152. ISBN 978-99943-1-883-4

Koment nga autorja:

Dhjetë vjet më parë, kur u shkrua ky libër, ende nuk isha e sigurt nëse do ta botoja. Proza ishte një sfidë që do të më vinte në provë pas disa librash me poezi dhe, për më tepër, ky ishte një eksperiment që sillte një stil të palëvruar në letërsinë shqipe. Një rrëfim në vetën e dytë, ku luajnë vetëm dy personazhe, pa emër, pa fytyrë, pa përshkrime. Një rrëfim që i jep rëndësi ndërveprimit psiko-emocional dhe jo thjesht fabulës.

Është një libër i shkruar për dashurinë, një temë që ka tërhequr gjithmonë dëshirën e lexuesit për ta njohur më shumë këtë botë. E megjithatë keni për ta kuptuar fare thjesht se këtu i këndohet një dashurie në mungesë dhe jo himnit të ndjenjës së vërtetë. Nuk e di se përse zgjodha këtë temë dhe jo një tjetër, përse këtë stil, këtë mënyrë të shprehuri apo pse u drejtohem shoqeve. Ndoshta ngaqë në atë kohë kam qenë tepër e lidhur me poezinë, dhe nuk e anashkaloja dot, as kur bëhej fjalë për një roman.

Ndoshta ngaqë historitë që dëgjoja shpesh të rrëfyera nga gratë kishin pak a shumë të njëjtën melodi: "i njëjti tekst kënge". Ka ndodhur, në fakt, që pas botimit të librit kam marrë shumë letra, e-maile, telefonata, dhe aspak për t'u befasuar, por kanë qenë të gjitha nga gratë. Ka pasur nga ato që kanë menduar se kam shkruar historinë e tyre, madje në disa raste kanë insistuar se këtu është vetë dashuria e tyre (si ka mundësi që unë e dija). Dhe ndoshta kjo është arsyeja se përse vendosa ta ribotoj pas kaq vitesh, sepse ende edhe sot mendoj se historia ka mbetur e njëjtë.

Hipoteza se modelet e marrëdhënieve të dashurisë në realitetin tonë vazhdojnë të na ofrojnë të njëjtën frymë, mbetet e pandryshuar: gruaja duhet të vuajë që të fitojë dashurinë e burrit, ndërsa burri duhet t'i ndrydhë fort ndjenjat e tij që të mos e japë veten para gruas. Sigurisht, po ta kisha shkruar sot, shumë gjëra mund t'i kisha parë dhe thënë ndryshe. Sidoqoftë, mesazhi mbetet po ai, dhe pyetja ime edhe tani pas kaq vitesh do të ishte e njëjtë: pse njerëzit përpiqen kaq shumë që ta zvarrisin një marrëdhënie që nuk funksionon, kur nuk ka më asnjë shenjë dashurie? A nuk është më mirë ta lëmë të shkojë atë çfarë nuk është e jona dhe të gjejmë personin duhur, ose të përpiqemi të jetojmë një jetë më të mirë?

Pas së gjithash, jeta është shumë e shkurtër për ta shpenzuar atë në mënyrë mjerane, siç përshkruhet përmes personazhit "grua" në këtë libër. Shumë veta gënjehen pas iluzionit se marrëdhënia do të përmirësohet më vonë, ose ndoshta nuk besojnë se përtej saj mund të gjejnë diçka më të mirë, atë, të vërtetën. Ka nga ata që pas përvojave të tilla nuk besojnë më se dashuria ekziston në realitet. Dhe kjo është një arsye se përse vjen sërish ky libër.

Për gratë që më kanë shkruar e telefonuar se këtu është historia e tyre, për shoqet që më kanë besuar rrëfime personale, por që kanë humbur besimin te dashuria e vërtetë, për të gjithë ata që janë zhgënjyer dhe friken ta provojnë përsëri, gjeta shumë arsye për ta ribotuar këtë libër, për të treguar se ne mësojmë nga marrëdhëniet tona, mësojmë prej shembujve që shohim rreth e rrotull nesh, nga modelet e prindërve, gjyshërve, miqve por, mbi të gjitha, mësojmë nga përvojat tona të kaluara të dashurive të humbura. Ato na japin një njohuri për të ndërtuar marrëdhënie të reja dhe na rrisin aftësinë për të besuar se dashuria ekziston. Por shumë vetë nuk arrijnë ta takojnë atë, sepse i ikin me frikën se nuk u takon.

Për ta dashuria është përsosmëri. E nëse kërkojmë të përsosemi, do të thotë se ne po rendim drejt një iluzioni, në fakt, pasi askush nuk mund të jetë i tillë. Edhe pse gjithnjë jemi të prirë ta ushqejmë iluzionin e dashurisë së përsosur, shumë prej nesh besojmë se ajo i përgjigjet asaj që ne meritojmë. Pretendimi se dikush ekziston vetëm për ne është një iluzion egocentrik (që e ka zanafillën qysh në fëmijëri). Kur jemi duke përjetuar procesin e të rënit në dashuri, ne ushqehemi me iluzionin se kjo dëshirë e zjarrtë do të zgjasë përgjithmonë. Këtë iluzion në kulturën tonë e përfaqëson miti për dashurinë romantike, i cili i ka rrënjët në përrallat ku princi dhe princesha jetojnë të lumtur deri në fund të jetës. Ky mit na tregon se për secilin djalë në botë ekziston një vajzë e krijuar posaçërisht për të, dhe për secilin burrë ekziston një grua e vërtetë. Në këtë roman ky mit është thyer.

"Çdo 'Unë' ka nevojë për një 'Ai', në mënyrë që të ndihet i realizuar", thotë Martin Buber. Kjo është një e vërtetë që u jep përgjigje të gjitha pyetjeve që mund t'ju lindin teksa lexoni këtë libër.