Jump to content

Peizazhi gjeografik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Peizazhi gjeografik është  pjesë e sipërfaqes së Tokës që mund të shihet në të njëjtën kohë nga një vend, ose e thënë ndryshe gjithçka që arrin të shohë shikimi ynë. Ai është rezultat i një procesi dinamik dhe jo vetëm një “fotografim” çasti.[1

Peizazhi përfaqëson tiparet e dukshshme të një sipërfaqeje të Tokës, karakteristikat e saj, si dhe mënyrën e integrimit të karakteristikave natyrore me ato të krijuara nga njeriu.[2]

Peizazhi gjeografik përcaktohet ndryshe edhe si një pjesë e hapësirës gjeografike të përbërë nga faktorë fizikë, humanë, historikë e socialë, apo “një sintezë e organizuar e hapësirës”.

Peizazhi" është një koncept që përfshin mjedisin fizik dhe perceptimin e vlerësimin e njerëzve për atë mjedis. Ai nuk kufizohet vetëm në pamjen e jashtme, por përfshin dhe mënyrat me të cilat individët dhe komunitetet i perceptojnë burimet natyrore dhe fizike të tij.

Të tjerë studiues e përkufizojnë peizazhin si një pjesë hapësinore heterogjene ku ndodhin marrëdhënie midis proceseve natyrore dhe kulturore.[3]

Në një kontekst më të përgjithshëm, peizazhi përbën një pjesë të hapësirës gjeografike të konceptuar nga një popullsi apo komuniteti njerëzor që banon në të.

Konceptimi i peizazhit të përbërë vetëm nga elementet natyrore, si p.sh. peizazhi malor, liqenor, karstik etj. apo thjesht një pamje e jashtme e një sipërfaqeje tokësore, është e gabuar.

Peizazhi është një hapësirë komplekse, e ndikuar nga bashkëveprimi i komponentëve natyrorë e humanë, në një kohë e hapësirë të caktuar. Ai karakterizohet nga aspekti historik dhe evolues i tij.

Peizazhi, sipas Konventës Europiane të Peizazhit, është përcaktuar si pjesë e hapësirës, e perceptuar nga banorët ose vizitorët, vetitë vizuale dhe karakteri i së cilës janë rezultat i veprimit të faktorëve natyrorë dhe kulturorë (njerëzorë).

Një peizazh formon një të tërë, ku komponentët natyrorë dhe kulturorë merren së bashku dhe jo të ndarë. Kjo mënyrë e të konceptuarit të peizazhit nënkupton integrimin e cilësive ekonomike, mjedisore dhe social-kulturore të një pjese të hapësirës gjeografike.

Tipet kryesore të peizazhit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke iu referuar faktorëve që kanë ndikuar në formimin e peizazhit, dallojmë:

a.      peizazh natyror (krijuar nga ndikimi vetëm i faktorëve natyrorë)

b.     peizazh human (krijuar nga ndikimi vetëm i faktorëve humanë)

c.      peizazh gjeografik (krijuar nga bashkëveprimi i faktorëve natyrorë dhe atyre humanë)


Nisur nga karakteristikat socio- ekonomike të peizazhit, dallojmë:

a.     peizazh urban

b.     peizazh rural

Ekzistojnë dhe klasifikime të tjera të peizazhit, mbështetur në faktorë apo komponentë të tjerë që kanë ndikuar në formimin dhe karakteristikat kryesore të tij.

Peizazhi dhe zhvillimi i qëndrueshëm

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton përdorimin e elementeve natyrore në një mënyrë dhe ritëm të tillë ku aftësitë e tyre rigjeneruese nuk shterrojnë.

Studimi dhe vlerësimi i peizazhit paraqet rëndësi edhe në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm të një rajoni të caktuar, për të adresuar problemet e mëdha me të cilat po ndeshet sot shoqëria njerëzore si: ngrohja globale, prerja e djegia e pyjeve, erozioni etj.

Rritja e numrit të popullsisë së botës me afro 77 milionë në vit, megjithëse e ndryshme në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, të cilat dallohen për ritme të larta të rritjes së popullsisë, rrit presionin ndaj burimeve natyrore dhe mjedisit në tërësi, dhe në veçanti ndaj peizazhit gjeografik.

Po kështu, edhe zhvillimi ekonomik i vendeve dhe i rajoneve të ndryshme të botës ndikon drejpërsëdrejti në ndryshimin e peizazheve gjeografike. Zhvillimi i industrisë dhe krijimi i vendbanimeve urbane ka krijuar peizazhet urbane, ashtu si dhe zhvillimi i ekonomisë bujqësore e ngritja e vendbanimeve rurale ka krijuar peizazhet rurale.

Me gjithë përmirësimet teknologjike të viteve të fundit, është praktikisht e pamundur të zevendësohet tërësisht përdorimi i burimeve fosile të energjisë me energji të rinovueshme si energjia e diellit, erës, ujit etj. dhe kjo do të reflektojë ndikimin e saj mbi peizazhet gjeografike.

[1] Antonis L., Venturi B., Geographical landscape: further beyond our field of vision. journalist. openedition.org/confins16321. 2018

[2] New Oxford American Dictionary.

[3] Freitas R.S., Landscape: Where geography and ecology converge. HOLOS Environment, v.3 n.2, 2003 - P.150-155