Pendat 2005
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
- Vlerësimi honorifik i konkursit letrar 2005, iu dha shkrimtarit Ernest Koliqi, pas vdekjes, si një nga themeluesit dhe stilistët e prozës moderne shqiptare. Koliqi është një nga ata shkrimtarë të çensuruar gjatë viteve të diktaturës, për tu rivlerësuar pas viteve ’90. Ndër veprat që ka shkruar mund të përmendim “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Kushtrimi i Skanderbegut”, “Gjurmat e stinëve”, etj.
- Për prozën
“Fabula rasa”, romani i shkrimtarit Agron Tufa është shpallur si proza më e mirë për vitin 2005. Juria i ka akorduar “Pendën e Argjendtë” për ndërtimin e personazheve dhe veprës në kompleksitetin e saj, përmes një stili modern. Tufa është autor i vëllimeve me poezi “Aty te portat Skée”, “Rrethinat e Atlantidës”, romanit “Dueli”. Ka përkthyer disa autorë rusë si Joseph Brodsky, Anna Ahmatova, Boris Pasternak, Vladimir Nabokov, etj.
- Për poezinë
Me vëllimin me poezi “Strabizëm”, poetit Arjan Leka iu dha “Penda e Argjendtë 2005”. Në motivacionin e këtij çmimi nënvizohej lirizmi dhe metafora në poezinë e tij. Leka është autor i “Ky vend i qetë ku s’ndodh asgjë”, “Veset e të vdekurve” romani “Gjarpri i shtëpisë”, poema “Anija e gjumit” etj.
- Për përkthimin gjuhë e huaj-shqip
Për përkthimin më të mirë nga gjuha e huaj në shqip, “për një shqipe të rrjedhshme e të pastër” është vlerësuar përkthyesi Afrim Koçi. Në këtë konkurs ai ka konkurruar me romanin e shkrimtarit finlandez Aleksis Kivi, “Shtatë vëllezërit”. Gjithashtu ai ka përkthyer romanet “Pianistja” e Elfride Jelinek, “Hermiu dhe Armini”, nga Ludvig Ren etj. Koçi është përkthyes nga disa gjuhë, e kryesisht nga gjermanishtja.
- Për përkthimin shqip-gjuhë e huaj
Për kontributin që ka dhënë në përçimin e vlerave të letërsisë, përtej kufijve shqiptarë, është vlerësuar me çmimin “Penda e Argjendtë” përkthyesi spanjoll Ramon Sançez. Ai është përkthyes i rreth 35 veprave të autorëve shqiptarë, duke filluar që nga Ismail Kadare, Mimoza Ahmeti, Bashkim Shehu, Ervin Hatibi etj, deri tek përrallat shqiptare.
- Për letërsinë për fëmijë
Shkrimtari Thanas Jorgji e mori këtë çmim për letërsinë për fëmijë. Për sinqeritetin, rrjedhshmërinë dhe skalitjen e personazheve, romani i tij “Peshkatarë si ne” është vlerësuar nga juria si libri më i mirë për fëmijë. Thanas Jorgji ka shkruar gjithashtu veprat “E bukura e panjohur”, “Durimi dhe zemërimi i një qytetari të urtë”, “Nëse jeta është e shkurtër”, etj.
- Për studimin
Për sjelljen para lexuesit shqiptar, të një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore “Alber Kamy, njeriu, mendimtari, artisti” i studiuesit Ardian Marashi, është vlerësuar si studimi më i mirë ndër studimet dhe veprave estetike të konkurruesve të tjerë. Marashi ka përkthyer disa vepra të Kamysë dhe të Sartrit e është autor i studimeve të tjera, si “Camaj: poetika e palimpestit”, etj.