Jump to content

Pjetër Zarishi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pjetër Zarishi (Blinisht, 1806 - Kallmet, 1866) ka qenë prift katolik shqiptar dhe poet, me prejardhje nga Mirdita. Si poet themeloi traditën e letërsisë katolike të shek. XIX në viset veriore.

lindi Blinisht te Zadrimës, kreu studimet e mesme e të larta në Romë, ku edhe u doktorua për filozofi e teologji. Me t’u kthyer në vendlindje, ai u zhgënjye si prej eprorëve të huaj, që shërbenin në Shqipëri, ashtu edhe prej feudalëve vendas që mbanin ofiqet dhe uniformat e administratës së Stambollit. Është, pikërisht, ky zhgënjim që e frymëzoi poezinë e tij, e cila u botua pjesërisht pas vdekjes së poetit dhe ende sot e kësaj dite nuk i është dhënë e plotë lexuesit. Dora d’Istria shkruante që në vitin 1872 se “Zarishi, që ishte një bashkëkohës yni, ka bërë poezi të bukura shqipe”, ndërsa Zef Skiroi shkruante: “Poezitë e fuqishme dhe përkthimet e mrekullueshme (të Zarishit) ... janë destinuar për të bërë një përshtypje të thellë” (1918). Pjetër Zarishi është më i pari që shkroi një poezi për Shqipërinë (“Kanga e Shqipnis”)[nevojitet citimi], më i pari dhe, ndoshta, i vetmi që na la një poemë kozmogonike (“Krijimi i rruzullimit”) të strukturuar në 13 tingëllima.