Jump to content

Potencialet natyrore të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Park Kombëtar konsiderohen territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1,000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, një pjesë e madhe e të cilave janë ekosisteme natyrore, të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror fizik janë te një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative[1]. Në parkun kombëtar zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i shpallur me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave) nr. 640, të datës 21.05.2008, ka një sipërfaqe të përgjithshme 33,927.66 ha, duke qenë kështu parku me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri, ku pjesën kryesore të territorit e zënë sipërfaqet pyjore, të ndjekura nga sipërfaqet kullosore, bujqësore, joprodhuese, shkëmbore dhe sipërfaqe troje[2]. Në brendësi të parkut gjendet një diversitet natyror dhe biologjik, që ndikon shumë në rritjen e vlerave të parkut dhe në kthimin e tij si potencial shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në veçanti dhe të ekonomisë së zonës në tërësi.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë ndodhet në një zonë ndërkufitare me vlera të larta gjeodiversiteti dhe biodiversiteti, duke qenë pjesë e Brezit të Gjelbër Europian. Ky brez u themelua në vitin 2003 dhe është një vijueshmëri e natyrës nga veriu i Europës deri në Ballkan, që shërben si një kurriz lidhës natyror dhe ekologjik mes 24 vendeve të Europës. Brezi i Gjelbër Europian është një simbol i bashkëpunimit ndërkufitar dhe një trashëgimi e përbashkët natyrore dhe kulturore e të gjitha vendeve europiane. Rëndësia e madhe e korridorit ekologjik është e dukshme, pasi përshkon rreth 40 parqe kombëtare dhe më shumë se 3,200 zona të mbrojtura natyrore, të cilat gjenden brenda një zone neutrale prej rreth 50 km në të dyja anët e Brezit të Gjelbër[3].                                                  

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë shtrihet në malet e Shebenikut dhe të Jabllanicës dhe fillon që nga 700 m lartësi mbi nivelin e detit deri në 2,262 m, ku është edhe maja më e lartë e masivit të Shebenikut. Trualli i këtij parku ndërtohet në pjesën dërrmuese nga shkëmbinj magmatikë dhe gëlqerorë. Territori dallohet për një reliev të larmishëm dhe kompleks, me maja të thepisura, me kontraste të mëdha hipsometrike, me forma akullnajore dhe lumore të shumta, etj.  

Në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë gjendet rreth 32% e florës së Shqipërisë, rreth 82% e llojeve të bimëve aromatike dhe mjekësore, si dhe rreth 178 lloje të bimëve mjekësore[4]. Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë është një territor shumë i pasur në florë dhe faunë, duke shfaqur vlera shumë të larta të biodiversitetit, që i japin rëndësi të veçantë në drejtim të zhvillimit të turizmit natyror. Bukuritë peizazhore të parkut janë rrjedhojë e ndërthurjes së shumë elementeve natyrore, si: format e larmishme të relievit, pasuritë ujore, flora dhe fauna, që së bashku formojnë një peizazh unik, me vlera të spikatura estetike, gjeografike dhe turistike.

Potencialet natyrore dhe kulturore në këtë hapësirë gjeografike janë të shumta, duke u përfaqësuar nga 10 monumente natyre, 14 liqene akullnajore (liqeni i Shebenikut, liqenet e Rrajcës etj.), objekte të shumta arkeologjike (kalaja e Rrajcës, kalaja e Skënderbeut etj.), si dhe tradita e zakone unike, që mbështetin dhe nxitin zhvillimin e turizmit. Zona e Rrajcës është pasuri natyrore botërore e UNESCO-s, duke përfaqësuar një thesar jo vetëm të Parkut Shebenik-Jabllanicë dhe Shqipërisë, por të të gjithë botës.                                                Mundësitë që ky park të kthehet në një vend turistik janë të shumta dhe të shumëllojshme, për shkak të peisazhit të larmishëm dhe tërheqës, si dhe klimës që mundëson lloje të ndryshme të turizmit gjatë gjithë vitit. Kthimi i parkut në një vend atraktiv për turistët kërkon plane, rregullore dhe strategji të zhvillimit të tij, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm por edhe me statusin që ka ky territor. Pasuritë natyrore të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë janë të shumta dhe diverse, duke e bërë kështu potencialin gjeoturistik të kësaj hapësire shumë atraktiv në sytë e studiuesve, vizitorëve dhe turistëve. Format e larmishme gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike etj, duke u ndërthurur edhe me pasuritë e tjera natyrore, biologjike, kulturore etj, bëjnë që potenciali gjeoturistik dhe turistik i kësaj hapësirë, të jetë favorizues për zhvillimin e ardhshëm në fushën e turizmit.


[1] Merita Dollma, 2008, Trevat Shqiptare, Dajti 2000, Tiranë, faqe 72

[2] Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, available at www.akzm.gov.al

[3] European Green Belt, 2013, www.europeangreenbelt.org

[4] Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, www.akzm.gov.al

[1]

[2]

[3]

  1. ^ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, available at www.akzm.gov.al
  2. ^ Dollma Merita, 2008, Trevat Shqiptare, Dajti 2000, Tiranë
  3. ^ European Green Belt, 2013, www.europeangreenbelt.org