Princ Vidi, Shqipëria gjashtë muaj mbretëri
Ardhja e tij ne Shqiperi
Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Esat Pasha me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend.Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Kabinetin e tij qeveritarë e përbënin: 1. Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova-Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina-Ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit; 7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore.
Largimi i tij nga Shqiperia
Me largimin e Princ Vidit nga Durrësi, për Shqipërinë do të vijojnë 6 vite të gjata lufte, kaosi, rrëmuje, pushtimesh, dhe rreziku për zhdukje nga harta e Ballkanit. Hapin vendimtar për t‘i dhënë fund këtij kaosi dhe rreziku që po bëhej real, e ndërmori Kongresi i Lushnjës, me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Ndër të tjera, Kongresi vendosi që, duke ruajtur regjimin monarkik, deri në kthimin e Princ Vidit ose vendosjen e një Mbreti tjetër, të krijohej një organ regjence, i quajtur Këshilli i Naltë i Regjencës, që përbëhej nga 4 anëtarë, nga një për secilin komunitet fetar të vendit. Ky sistem vijoi të funksiononte, megjithëse me disa dorëheqje apo ndryshime të parakohshme, deri në janar të vitit 1925. Po ashtu, në këtë kohë vlen të përmendet fushata elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921.