Produkti "MirelTM"
Sasia e madhe e mbetjeve urbane, të krijuara nga ambalazhet plastike me prejardhje nga nafta në SHBA, por edhe në gjithë globin, konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj, pas automjeteve. Kjo pasi këto lëndë e ndotin mjedisin edhe kur dekompozohen. Për këtë qëllim, në SHBA, prej disa vitesh kishin filluar studimet për zëvendësimin e tyre me një lëndë që nuk lë pas ndotje. Dhe vetëm para disa ditësh, “Metabolix Inc. MBLX”, një kompani udhëheqëse në përdorimin e bioshkencës për të gjetur metodika të pastra dhe kohëgjata për plastikat, karburantet dhe kimikatet, bashkë me kompaninë “ADM”, edhe kjo një firmë e njohur në tregjet botërore, shpallën nxjerrjen e produktit të ri Mirel (TM) Plastik Natyral, ku natyrisht kontributin më të madh për këtë produkt e ka dhënë edhe kimisti shqiptar Mirel Sharrëxhi. Në komunikatën zyrtare të kompanisë thuhet se “MirelTM” mund të përdoret si një alternativë e plastikave të formuara nga nafta në shumë procese konvertuese, duke përfshirë format plastike me injeksion, letrën me shtresë të hollë plastike, shtresat e holla në formë filmi. “Metabolix” është duke punuar për 60 aplikime, duke përfshirë produkte të konsumuesve: qese, gota, paketime, produkte që përdoren vetëm një herë, produkte që përdoren në agrikulture etj.