Faik Bajraktari
Faik Bajraktari (Shkodër, 1922 - 1990) ka qenë arsimtar, kërkues shkencor dhe pedolog shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faiku ishte i biri i Abdyl Bajraktarit, një tregtari, atdhetari dhe arsimdashësi të njohur, ardhur nga Mehaj e Koplikut, nga një familje e njohur bajraktarësh. Faiku kishte dy vëllezër, Xhemalin dhe Xheladinin dhe një motër, Nexhmien. I ati Abdyli, për shkak të aktivitetit patriotik dhe angazhimit politik të djemve të tij, u arrestua në vitin 1944 dhe u dërgua në kampin e shfarosjes në Prishtinë. Me vete mundi të marr një pjesë të të ardhurave që zotronte të cilat i përdori për të blerë lirinë e sa të rinjve në mënyrë që të shpëtonin nga kampi famekeq. Sa i takon fatit të tij, në po të njëjtin vit, u mor nga kampi dhe së bashku me një grup prej 28 të burgosurish, u pushkatua në Kukës. Pas vdekjes, u nderua ‘Deshmor” i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në nderim të tij, sot, sheshi dhe shkolla 9-vjecare e Koplikut mbajnë emrin “Abdyl Bajraktari”.
Faik Bajraktari, ndoqi studimet e shkollës së mesme në gjimnazin françeskian (saverjan) për një vit dhe më tej përfundoi gjimnazin e Shkodrës në vitin 1941 me rezultate të shkëlqyera ku dalloi si talent i gjithanshëm. Në po të njëjtin vit përfitoi një bursë studimi në Universitetin e Bolognia-s, në Itali. Performues për dy vite me rezultate të shkëlqyera në degën e Mjekësisë së Përgjithshme, u deturua të ndërpres studimet për shkak të thirrjes që u bë për të gjithë studentët që vijonin studimet jashtë në luftën kundër fashizmit.
Në vitin 1946, fitoi një bursë tjetër në Universitetin e Zagrebit, në fushën e ekonomisë. Sërish u shqua për rezultatet e shkëlqyera përgjatë gati dy viteve të studimit, por për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, detyrohet të ndërpres studimet dhe të kthehet në atdhe.
Pas vendosjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovietik, Faiku përfiton përsëri një bursë shteti për studime në fushën e agronomisë në Universitetin e famshëm të Agrikulturës ‘Timiryazev’, Rusi. Karakteri i fortë, inteligjenca mbinatyrore dhe talenti e bën të dallohet me rezultate të shkëlqyera dhe kështu përfundon shkëlqyeshëm studimet për agronomi më 1953. E krahasonin me Vasily Vasilyevich Dokuchaev, gjeolog dhe gjeograf rus i cili vendosi themelet e shkencës së tokës. Akademiku i njohur rus Bakarjov, për nivelin e lartë shkencor dhe kompetencën e treguar në mbrojtjen e diplomës do të shprehej se, me të rinj si Faik Bajraktari e ardhmja e shkencave bujqësore në Shqipëri është e sigurtë. Emri i tij ndodhet në memorialin plakat, skalitur me shkronja ari, në mesin e studentëve të rrallë të rrjetit alumni të Universitetit.
Faiku ishte njohës i 6 gjuhëve të huaja: anglisht, frengjisht, italisht, latinisht, serbo-kroate, rusisht.
Fillimisht u punësua në Ministrinë e Bujqësisë por shpejt ndërroi pozicion duke themeluar e më tej duke u vendosur në Insitutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. Në të njejtën kohë filloi dhe karrierën akademike. Kryetar i Këshillit Shkencor, shef i Katedrës së AgroPedologjisë, shef i sektorit të Studimit të Tokave dhe me tej Dekan i Parë i Fakultetit të Agronomisë, pas konvertimit të instituteve në Institucione të Arsimit të Lartë. Krijues dhe Drejtues i të Parës Ekspedite Shkencore të Studimit të Tokave të Shqipërisë që prodhoi Hartën e Parë Pedologjike të Shqipërisë.
Është quajtur shpesh ‘Ati’ i pedologjisë Shqiptare apo ‘Profesori i Madh’. Hartues i shumicës së teksteve të para mësimore akademike për studentët në fushën e pedologjisë, hartuesi i librit të parë pedologjik “Tokat Shqiptare dhe rrugët e përmirësimit”(1960), ku u vendosën bazat shkencore për studimin e problemeve të klasifikimit të tokave, u pasqyrua gjëndja e tokave të Shqipërisë, u hodhën themelet për studime të mëtejshme shkencore pedologjike dhe u dhanë rekomandime për rritjen e pjellorisë së tokave. Është autor i sa e sa leksioneve e praktikave mësimore të nivelit të lartë shkrencor, udhëheqës i një numri të madh të punimeve doktorale si dhe botues i një sërë punimesh të ndryshme shkencore, autor i disa monografive dhe sa artikujve shkencor. Në bibliotekën kombëtare për fat gjënden vetëm 6 prej librave të tij Tokat e Shqipërisë dhe rrugët për ngritjen e pjellorisë së tyre / Faik Bajraktari 1960, Pedologjia / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1965,Pedologjia / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1965, Pedologjia / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1965, Pedologjia : tekst mësimor për fakultetet Bujqësi-Pyje / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1962, Bujqësia e përgjithshme : tekst mësimor për shkollat e mesme bujqësore / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri ; Osman Kazazi 1964.
Një ndodhi që sfidoi punën e tij shkencore por të cilën e konkludoi me sukses absolut ishte zhvillimi i studimit në Hoxharë të Fierit, në kuadër të projektit për shkriptëzimin e tokave rënore pranë bregdetit, iniciativë e tija edhe kjo. Hoxhara në atë kohë përbëhej vetëm nga 6 familje (punonjës të hidrovorit të asaj kohe). Në ‘shkretëtirë’, larg familjes dhe nën presionin politik, për tre vite me rradhë arriti që në parcelat eksperimentale të Hoxharës, të prodhohej edhe për eksport madje. Disa studime me vlerë janë ato mbi tokat e kripura, magneziale e acide apo studimi mbi zonat e gështenjave.
Është dy herë Laureat i Çmimit të Republikës. Është hartues i të parës Hartë 1:200000 në klasifikimin e tokave (e vetmja hartë e besueshme që është përdorur për përgatitjen e hartave treguese të pasurisë dhe që e tillë përdoret dhe sot).
Në librin e tij “Binjtë Tanë” Z. Mehdi Duli është shprehur: “aftësi e lartë profesionale dhe komunikuese me njerezit. …. Udhëheq të gjithë studimet pedologjike deri në pension, është autor i disa broshurave shkencore. Profesori kishte një metodë origjinale në mbledhjen e kampioneve të tokave… Është shkencëtar i palodhur dhe professor educator që përgatit breza të tërë punonjësish shkencor. Përkrahës i mendimeve të reja dhe i shkencëtarëve të ardhshëm…Fut të tjerët në rrugën e shkencës dhe dëshiron suksesin e tyre…Shkencëtar i palodhur, i kulturuar, e di fare mirë që rëndësi kanë punët, veprat, ato që janë frut i mundit, djersës, aftësisë, ato që do i mbeten brezave…Profesori nuk mendon shumë për titujt vetëm për punë shkencore. Faiku i takon atyre intelektualeve të klasit të parë shkencëtar i mirëfillt dhe fatkeq që jetuan gjithë periudhat e rënda të vendit….nuk shprehet, bën punën e tij….ishte ndër profesorët më popullor…Rrinte me studentët dhe i trajtonte si koleg…”.
Në një prej artikujve të tij Z. Kadri Kadiu do të shkruante “Faik Bajraktari ishte ndër pedagogët më të aftë të Institutit të Lartë Bujqësor. Shkencëtar i vërtetë…”
Ndërsa Z. Illo Foto në artikullin me titull “Meditim për krijuesit e shkencës pedologjike shqiptare” do të shprehej “Një ndër themeluesit dhe shkencetarët e Institutit të lartë Bujqësor është agronomi Faik Bajraktari, që pat mbaruar studimet me diplom të shkëlqyer në ish-BS. Bajraktari ishte studiues skrupuloz. Kur filloi punën në ILB, krijoi kabinetin e tokës bujqësore, të pajisur jo vetëm me mjete grafike por dhe me mjete plastike mësimore, që të zbërthenin tokën bujqësore në pëllëmbë të dorës… Ata (Prof. Bajraktari dhe Prof. Etibe Ohri) themeluan disiplinat themelore bujqësore, me ngjyra krejt Shqiptare. Pedollogjia është shkenca ku nisin të gjithë disiplinat e shkencave bujqësore, përfshirë zooteknikën dhe pyllarinë….Profesori Faiku mori nismën shkencore, për studimin tërësor të tokës së Shqipërisë dhe të krijoi hartën pedollogjike të vendit, në vitin 1955. Në fillim, kjo nisme u quajt aventurë. Në kohë record dhe me korrektësi shkencore të pa parë, harta pedologjike u var në murin e çdo institucioni shkencor dhe administrativ shqiptar. Vepra dhe të tjerë pjesëmarrës u dekoruan me “Çmimin e Republikes të klasit të parë”…Harta nuk ishte thjeshtë një punim hartografik, që varej në mur. Në funksion të hartës ishin 20 laboratore të terrenit, që lidheshin dhe ishin në varësi të katedrës Bajraktari dhe më vonë në funksion të Institutit Shkencor të Tokës. Toka pasqyrohet dhe varfërohet. Dinamika e këtij ndryshimi ndiqet metodikisht nga laboratorët. Bëhet fjalë për skanerin e tokës bujqësore…”
Në fjalimin e 35 vjetorit të UBT u tha “ Nga krijimi i Institutit të Studimit të Tokave e deri më sot, kanë punuar më shumë se 300 persona, specialist e teknike. Por, në bazën e pedologjisë shqiptare dhe të IST, mbetet njeriu, që jetën e tij e lidhi me tokën, duke u bërë krijuesi i sistemit të klasifikimit kombëtar të tokave të Shqipërisë, i paharruari, profesori i nderuar z. Faik Bajraktari, “Dokucajevi Shqiptar” siç thirrej nga studentë e specialistë…IST nëpërmjet sektorit të pedollogjisë udhëhequr nga Prof. Faik Bajraktari, zgjidhi problemin e përmirësimit të mbi 300’000 ha tokave me pjellori të kufizuar si toka acide, tokat e kripura, magneziale, ranore, tokat gurishtore etj…..IST ka udhëhequr metodikisht punën shkencore në Laboratoret e Tokave në rrethe si dhe në Bazat Eksperimentale të IST, e cila është e depozituar në arshivën shkencore. Arshiva e pasur shërbeu jo vetëm për vazhdimin e punës së IST por edhe për fillimin e punës për shumë institucione si Njësia e Manaxhimit të Projektit për Rregjstrimin e Pasurisë. Kjo njësi nisi punën duke përdorur hartat teknike kadastrale të IST.”
Etika e lartë profesionale dhe akademike, karakteri i fortë, vullneti dhe vendosshmëria, përkushtimi, urtësia, talenti, krijimtaria, qasja ndaj të panjohurës, gjenialiteti, janë vetëm një pjesë e vlerave të tij që shprehen në aftësitë e larta përformuese shkencore dhe akademike, e që punoi me aq kujdes të përçonte jo vetëm tek njerëzit me të cilët ndërvepronte por dhe në perspektivën e kontributit social për brezat.
Në shkollën e mesme Faiku, karakter i vendosur dhe luftarak, angazhohet në Grupin Komunist të Shkodrës. Ndërpreu studimet në Itali dhe u kthye për të marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Meqënëse puna e tij me të rinjtë intelektual u kompromentua, doli partisan me batalionin “Perlat Rexhepi”, ku u caktua drejtues politik përgjatë gjithë kohës, nga grupi në brigadë. Aty pësoi një dëmtim në shtyllën kurrizore, që i la për pasojë një problem në njërën shpatull dhe njërën këmbë. Është dekoruar me medalje për pjesëmarrje në luftë dhe mban statusin e veteranit të LANÇ me vendim të MB.
Faiku u martua me Aleme Mushanin, vajzën e Sadik Mushani dhe motrën e Sheuqet dhe Rasim Mushani. Ai pati 3 fëmijë, Teuta (Zeneli), Sokol (Bajraktari) dhe Ariana (Doçaj), të tre fëmijët janë diplomuar në nivel universitar dhe 7 mbesa të cilat gjithashtu kanë përfunduar me sukses arsimin e lartë dhe janë vendosur mirë në profesionet e zgjedhura.