Jump to content

Psherëtima e gjethes

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Psherëtima e gjethes poezi, Autore: Anila Kruti. Botuesi: Toena. Faqet e librit 128.

Poezia e mirë është si një aurorë dashurie që magjeps shpirtrat e ndjeshëm me bukurinë e mistershme dhe shfaqjen e rrallë. Kështu shprehet vizioni lirik i poetes përmetare Anila Kruti në vëllimin e saj më poezi "Psherëtima e gjethes". Dashuria është e magjishme, e rrallë e mbi të gjitha është një arsye e mirë të ndërtosh një komunikim të ri edhe më të mirë me natyrën, me njerëzit, me filozofinë e shpjegimit të gjërave që ndodhin në botë. Dhe jo vetëm… Nga autorja rrjedhin natyrshëm frymëzimi dhe vargjet. Ajo përkufizon me esencën metaforike në poezi, atë që nuk mund të përkufizohet thjesht dashuri. I shkëputet romantizmit të përgjithshëm për të përkufizuar ndjenjën e dashurisë me natyrshmërinë e vargut dhe befasinë e saj. Shumë poetë e krijues e kanë lënë të hapur këtë sfidë brenda ndërgjegjes së tyre krijuese, ndërsa janë orvatur ta përkufizojnë atë. Në fund, mbas çdo perceptimi inteligjent, epitetet janë po ato, por sjellja dhe mishërimi i vargut te kjo poete është ndjesore dhe të mbetet gjatë në mendje. Frymëzimi i poetëve është një çlirim shpirtëror i provokuar nga engjëjt e qiellit, është arsyeja se përse ne njerëzorët kemi të drejtë të besojmë se jemi krijesa të përzotshme, është arsyeja pse Krijuesi i dha dheut shpirt dhe epshit trup. Për shkak të kësaj tërheqjeje mund të thuhet se, dashuria dhe erotizmi të përshkruara në shekuj si ndjesi hyjnore, kanë qenë qëllimi universal i lirikëve për sa i takon përkufizimit real të saj. Në betejën me të pamundurën, fjalët, vargjet, poezitë e poemat i janë afruar pa mundur ta prekin atë, dashurinë, si të ishte ylber. Vështirë të jetë pranuar se janë gjetur ndonjëherë fjalët magjike, metaforat, epitetet, plazmimet përshkruese në seancat e krijimit, nëpër laboratorët e poetëve, të cilët kanë bërë të mundur një përkufizim koherent, të pranueshëm nga të gjithë për dashurinë. Por, pikërisht kjo vështirësi, që shkon drejt pamundësisë, është njëra nga arsyet që e bëjnë këtë ndjenjë hyjnore. Pamundësia për t’u shprehur dhe përfaqësuar me fjalë, por edhe përpjekja njerëzore për ta bërë këtë gjë, është pjesë e saj, që i jep rëndësi dhe vlerë pafund dhe e bën të natyrshme. Poezia e Anila Krutit prek një dashuri shumëdimensionale, mes tokësores dhe qiellores, mes ëndrrës dhe dashurisë, të prekshmes dhe ndjesores. Ajo zgjedh leksikun, i jep shpirt fjalës dhe ndjenjë vargut… Poetja Anila Kruti ka një mënyrë të sajën për të emërtuar dashurinë. Nuk e shpall si mision të saj artistik dhe as si vizion të vetëm ndjeshmërie. Pa e bërë këtë gjë, duket sikur në poezitë e saj ka një kujdes femëror për të mos rënë në kurthin e shumicës. Ajo nuk e përkufizon dashurinë. Flet drejtpërdrejt me të dhe për të, me fjalë prekëse, jo si për ndjenjën më të fortë të njeriut, por si për ndjenjën më të shenjtë të njeriut. E shikon dashurinë dhe poezinë si një tjerrje të përzotshme. "Se çmendurisë sime ia puthin gjurmën edhe perënditë…!" Nuk është një varg që poetja rrëmbehet të rrëfejë egoizmin si qenie, por kujdeset që të tregojë çmendurinë më të bukur, frymëzimin dhe dashurinë për poezinë, sepse e tillë është poezia për të, hyjnore. Madje, ajo shkon më tej për poeten. Dashuria nuk është thjesht një ndjenjë, është frymë, është një fuqi e mistershme që drejton jetën tonë. Ajo gjendet kudo, ashtu si edhe Zoti është i kudogjendshëm, për gjithkënd. Dashuria për të, në vargje, është frymë e magjishme dhe e plotfuqishme si vetë zotat.