Rajko Grlić
Rajko Grlić (Zagreb, 2 shtator 1947) është kineast i njohur kroat, autor i disa filmave të njohur në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
Grlići u rrit në një familje intelektuale. I ati, Dankoja, me origjinë të hershme shvabësh kovaçë të rajonit të Danubit, ishte profesor i estetikës në Universitetin e Zagrebit dhe filozof i shkollës jugosllave të Praxis-it. E ëma, Eva Grlić, lindur Israel, me prejardhje hebreje habsburge të Sarajevës, ishte gazetare dhe shkrimtare.[1] E motra, Vesna Domany Hardy, është historiane arti.[2]
Bashkë me Lordan Zafranovićin, Goran Markovićin, Goran Paskaljevićin dhe Emir Kusturicën, Grlići i takon një brezi kineastësh nga ish-Jugosllavia që studioi viteve gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë në Shkollën njohur të Filmit të Akademisë së Arteve Performative (FAMU) në Pragë, të cilët krijuan një periudhë të dytë të rëndësishme kinematografie në atë vend, pas Valës së zezë (Crni talas) të viteve 60.
Është autor i mbi tridhjetë filmave artistikë dhe dokumentarë. U bë i njohur me filmin U raljama života (Në kthetrat e jetës, 1984), mbështetur në romanthin "Shtefica Cvek në kthetrat e jetës" të shkrimtares Dubravka Ugrešić, një satirë postmoderne mbi Zagrebin dhe Jugosllavinë e viteve tetëdhjetë. Në vitin 2006 nxori filmin Karaula (Posta e kufirit), mbi një repart ushtarësh kufiri nga ish-Jugosllavia të vendosur në liqenin e Ohrit, të cilët stërviteshin për të mbrojtur Jugosllavinë nga Shqipëria staliniste ndërsa vendi po niste tu vetëshkatërrohej në konflikte etnike.
Grlići është ndër organizatorët e festivalit të rëndësishëm rajonal të filmave jokomercialë në Motovun të Istrias në Kroaci dhe jep mësim kinematografinë në Universitetin e Ohios në qytetin Athens[3].[1]
- ^ a b "I'm Too Old To Grovel To Government, Cord Magazine, 29 prill 2018" (në anglisht).
- ^ "Jedan odgovor na… s Vesnom Domany Hardy," (në kroatisht). 25 janar 2015.
- ^ "Home page of Rajko Grlić at the University of Ohio" (në anglisht).