Rajoni gjeografik
Rajoni gjeografik është ajo pjesë e hapësirës gjeografike që karakterizohet nga ndërveprimi i faktorëve natyrorë, humanë dhe ekonomikë, faktorë që janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe që përcaktojnë karakteristika unike për një rajon të caktuar, që e dallojnë atë nga rajonet e tjera.
Shumica e njerëzve kanë krijuar një koncept të qartë të mënyrës se si jeta e tyre funksionon dhe se ajo është e lidhur dhe e ndërvarur nga shumë faktorë të tjerë. Megjithëse shtetet dhe rajonet e ndryshme të botës bëhen më të ndërlidhura, shumë prej nesh dinë pak për ta. [1]
Rajonet, me tërë kompleksitetin e tyre, janë në ndryshim dhe riorganizim të vazhdueshëm, prandaj ridimenisonimi i tyre në një botë globale është i rëndësishëm dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë socio-ekonomike të shoqërisë njerëzore.
Faktorët që ndikojnë në përcaktimin e rajoneve gjeografike janë:
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]a. Faktorët natyrorë
b. Faktorët humanë
c. Faktorët ekonomikë
Faktorët natyrorë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndër faktorët natyrorë që luajnë rol të rëndësishëm në përcaktimin e karakteristikave të një rajoni gjeografik, mund të përmendim:
- pozitën gjeografike,
- ndërtimin gjeologjik,
- relievin,
- klimën,
- hidrografinë,
- florën e faunën.
Pozita gjeografike është një faktor i rëndësishëm që përcakton sasinë e nxehtësisë që marrin vende apo rajone të ndryshme të botës, e cila ndikon dhe në karakteristikat dhe faktorët e tjerë, si të klimës, relievit, hidrografisë, florës e faunës. Rajonet gjeografike që shtrihen pranë gjërësive subpolare, për shkak të temperaturave të ulëta, janë pak ose aspak të popullura edhe kanë një aktivitet ekonomik të ulët. Po kështu, edhe rajonet tropikale, për shkak të temperaturave të larta, janë pak të favorizuara në popullim e zhvillim ekonomik. Duke vlerësuar të gjithë këta komponentë në kompleksitetin e tyre, studiuesit janë të mendimit se gjërësitë gjeografike mesatare ofrojnë mundësi më të mira për popullim dhe zhvillim ekonomik.
Faktorët humanë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rritja e ndikimit të veprimtarisë së shoqërisë njerëzore ndaj mjedisit, transformimi i vazhdueshëm i tij, si p.sh. krijimi i liqeneve artificiale, ndërtimi i qyteteve në shkretëtirë apo çkripëzimi i ujit të deteve dhe përdorimi i tyre për ujitjen e tokës apo në fabrika e uzina etj. e bën sot veprimtarinë humane një faktor të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit të një rajoni të caktuar.
Faktorët ekonomikë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Po kaq përcaktues në formimin dhe karakteristikat e një rajoni është edhe niveli i zhvillimit ekonomik të tij. Sipas nivelit të zhvillimit ekonomik, flasim për vende apo rajone të zhvilluara dhe rajone në zhvillim, rajone të industrializuara apo rajone bujqësore etj. Të gjithë këta faktorë janë të ndryshëm nga një rajon në tjetrin, madje e ndryshme është edhe shkalla e ndërveprimit të këtyre faktorëve, që përcakton tiparet dhe karakteristikat kryesore të rajonit. Po kështu, ky bashkëveprim ndryshon dhe në kohë. Me evolucionin e shoqërisë njerëzore, përmirësimet dhe shpikjet e shumta teknologjike, ndryshon edhe shkalla e ndikimit dhe e transformimit të saj mbi mjedisin gjeografik, duke përcaktuar evolucionin historik të një rajoni gjeografik. Prandaj themi që rajoni është saktësisht i përcaktuar në kohë e hapësirë, lehtësisht i evidentueshëm nga bashkëveprimi i faktorëve natyrorë, humanë e ekonomikë dhe shkalla e ndërveprimit të këtyre faktorëve i bën ata të dallueshëm nga njëri-tjetri.
Tipet kryesore të rajoneve gjeografike janë: [2]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]1. Rajone uniforme ose homogjene
2. Rajone funksionale
3. Rajone të perceptuara
References:
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit][1] Knox.L.P., Marston A. S., Places and regions in global context, Human Geography. USA ISBN 0-13-141491-7. 1999
[2] Fundamentals of Word Regional Geography 4e. H., Joseph, USA 2018 pg. 7