Rajonizimi fiziko – gjeografik i Shqipërisë
Rajonalizimi fiziko – gjeografik evidenton njësitë fiziko – gjeografike, apo peizazhet fiziko – gjeografike, që ekzistojnë objektivisht në natyrë, që janë formuar edhe ne kinë historikisht në procesin e gjatë të evolucionit gjeotektonik dhe ku diferencimi i tyre natyror shkakton dallime midis tyre nga struktura dhe gjeneza. [1]
Parimet e rajoniozimit fiziko – gjeografik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rajonizimi fiziko – gjeografik lidhet me zbulimin e ligjësive që përcaktojnë dallimet natyrore që ekzistojnë midis njësive fiziko – gjeografike, si dhe shpërndarjen hapësinore të fenomeneve natyrore që zhvillohen në to.
Për të realizuar një rajonizim sa më të saktë fiziko –gjeografik të territorit shqiptar është e nevojshme zbatimi i parimeve themelore:
• Parimi i unitetit (bashkësisë) territoriale,
• Parimi gjenetik.
• Parimi i kompleksitetit.
Parimi i unitetit territorial
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Parimi i unitetit territorial kërkon që njësitë fiziko –gjeografike, apo edhe peizazhet natyrore të jenë unike, të papërsëritshme në mjedisin natyror dhe të ketë vazhdimësi territoriale. Ky parim shërben si bazë e rajonizimit fiziko – gjeografik të territorit shqiptar. Vargu lindor i Moravës (në kontakt me luginën e Devollit të Sipërm) ka litologji molasike, kurse vargu perëndimor (në kontakt me ultësirëngrabenore të Korçës) ndërtohet nga ultrabazikët.
Parimi gjenetik është parim themelor i rajonizimit fiziko – gjeografik. Atij i nënshtrohen kategoritë taksonomike të rangjeve të ulta, si psh., sektori. Njësitë fiziko – gjeografike duhet të jenë homogjene nga gjeneza, litologjia, struktura gjeologjike, mosha e krijimit dhe evolucioni i formimit të tyre.
Në rajonizimin gjeografik të Shqipërisë parimi gjenetik gjen zbatim duke analizuar:
– origjinën e territorit;
– shkaqet e krijimit,
– kushtet e diferencimit,
– strukturën aktuale dhe
– regjimi (në shtypje ose në tërhqeje) në të cilën ato janë formuar.
Parimi gjenetik pranon evolucionin e njësive fiziko – gjeografike. Ai nënkupton krijimin homogjen të njësisë, ndërsa në nivelin e nënnjësive përbërëse mund të shfaqet heterogjeniteti. Homogjeniteti i Alpeve Shqiptare shprehet me karakterin alpin të relievit, klimës, hidrografisë dhe elementëve të tjerë të mjedisit natyror. Kurse në nënnjësitë përbërëse: Alpet Lindore dhe ato Perëndimore ndeshim edhe gjurmë të fenomene të tjera natyrore, si psh., relievi lumor, karstik, denudues etj.
Parimi i kompleksitetit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Parimi i kompleksitetit kërkon që në rajonizimin fiziko – gjeografik ndryshimet dhe ngjashmëritë të analizohen në mënyrë komplekse tek të gjithë elementët e mjedisit natyror. [2]
Kështu merret parasysh tërësia e kushteve natyrore, ndikimi i faktorëve zonalë e azonalë, që kanë ndikuar në formimin e mjedisit gjeografik përgjatë evolucionit gjeotektonik dhe gjeoklimatik.
Parimi i kompleksitetit i analizon të gjithë elementët e mjedisit natyror në tërësinë e bashkëveprimit midis tyre dhe jo të ndarë veç e veç. Çdo element i mjedisit natyror duhet të shihet si pjesë e një të tëre, pra si pjesë e peizazhit gjeografik. Elementi bazë i diferencimit fiziko – gjeografik të hapësirës gjeografike shqiptare është relievi.
Parimi i kompleksitetit mënjanon rrezikun e shndërimit të rajonizimit fiziko – gjeografik në një rajonizim të thjeshtë elementar, si psh., gjeomorfologjik, klimatik, edafik, etj. [3]
Klasifikimi taksonomik i rajonizimit fiziko – gjeografik të Shqipërisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klasifikimi taksonomik i rajonizimit fiziko – gjeografik të Shqipërisë përbëhet në rend zvogëlues nga:
– Krahina – rangu i parë
– Zona – rangu i dytë
– Nënzona – rangu i tretë
– Sektori – rangu i katërt
Krahina fiziko – gjeografike përbën njësinë më të madhe taksonomike të rajonizimit fiziko – gjeografik të Shqipërisë. Ajo formon një unitet të madh natyror me tipare origjinale në aspektin gjeologjik (litologjia), morfotektonik (struktura gjeologjike), klimatik, hidrografik, pedologjik, floristik e faunistik. Krahina paraqet unitetin e karakteristikave të njësive përbërëse të rangjeve më të ulë, si psh., zona, nënzona e sektorë.
P.sh krahina e Alpeve Shqiptare ndahet në dy zona: Alpet Lindore dhe Alpet Perëndimore.
Një nga pjesët përbërëse të zonës së Alpeve Perëndimore është edhe lugina e Shalës, që plotësohet nga tre sektorë:
– sektori i sipërm, ose gropa e Thethit,
– sektori i mesëm, ose lugina e Shalës,
– sektori i poshtëm, ose sektori i Lesniqes.
Ndërkohë që në zonën e Alpeve Lindore një nga pjesët përbërëse është edhe blloku i Jezercës dhe lugina e Valbonës. Blloku i Jezercës diferencohet nga lugina e sipërme e Valbonës në dy blloqe: ai i Jezercës dhe i Kollatës. Ndërsa lugina e Valbonës plotësohet nga tre sektorë:
– sektori i sipërm, nga Lugu i Valit deri në Mbaskollatë (grykëderdhja e përroit të Çeremit,
– sektori i mesëm, midis përroit të Çeremit dhe kanionit të Shoshanit,
– sektori i poshtëm, nga kanioni i Shoshanit deri në Fierzë.
Rëndësia e rajonizimit fiziko – gjeografik të Shqipërisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rajonizimi fiziko – gjeografik i Shqipërisë ka rëndësi sepse:
· kushtëzon ligjësitë që kanë përcaktojnë karakteristikat natyrore të një territori,
· lehtëson studimin e njësive fiziko – gjeografike dhe peizazheve natyrore,
· ndihmon në rajonizime të thjeshta fiziko – gjeografike, si psh., gjeomorfologjike, klimatike, hidrologjike, pedologjike biogjeografike etj,
· praktikisht mund të arrihet vlerësimi ekonomik i pasurive natyrore dhe produktiviteti ekonomik në peizazhe të caktuara natyrore,
· i paraprin ndërhyrjes në mjedisin natyror gjatë transformimit antropogjen të tij, përmes ndërtimit të rrugëve, vendbanimeve, objekteve industriale, socialkulturore, urbanizimit dhe rikualifikimit të hapësirave të vendbanimeve rurale dhe urbane.
[1] Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë: Gjeografia fizike e Shqipërisë, Monografi, Vëll II, Tiranë 1991, fq 13
[2] Qiriazi Perikli, Gjeografia fizike e Shqipërisë, Botimet Ideart, Tiranë 2006, fq 156
[3] Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë: Gjeografia fizike e Shqipërisë, Monografi, Vëll II, Tiranë 1991, fq 13