Jump to content

Relievi nënujor i deteve dhe i oqeaneve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Relievi në dete dhe oqeane është i larmishëm në batimetrinë e tij, ashtu siç vëmë re këtë larmi në tokë. Ka male të larta, lugina të thella, kanione, fusha të gjera, kodra. Në dete malet nënujore janë përgjithësisht më të gjata, luginat më të gjera dhe kanionet shpeshherë në të thella se ekuivalentët e tyre në tokë. Relievi nënujor i deteve dhe i oqeaneve, në bazë të thellësisë së ndodhjes së tyre, ndahet në tri zona batimetrike. Në  secilën prej tyre zhvillohet një veprimtari gjeologjike e veçantë.

Zona e parë batimetrike, është quajtur cektina kontinetale ose shelfi kontinetal. Kjo zonë shtrihet prej thellësisë 0 – 200 m. Shtrirja e saj sipërfaqësore është e ndryshme për zona të ndryshme, në varësi të këndit të pjerrësisë, së pjesës fundore të detit. Në rastet e një këndi të butë, ajo ka raste që shtrihet edhe deri në 130 km larg bregut të detit. Pjesa më e cekët e shelfit, që kapet nga baticat dhe zbaticat quhet zona litorale, kurse pjesa që mbetet quhet zona neritike.

Zona e dytë batimetrike, e cila fillon menjëherë pas shelfit, është shpati kontinetal ose zona batiale. Ajo shtrihet prej thellësisë 200 - 2000 m. Vihen re shpesh prezenca e kanioneve nënujorë, të cilat mund të fillojnë edhe që nga shelfi kontinetal.

Zona e tretë, që shtrihet prej 2000 – 6000 m është quajtur shtrati oqeanik ose zona abisale. Gjithë pjesët e tjera të deteve dhe oqeanve, që shtrihen poshtë thellësisë 6000 m përbëjnë ato që janë quajtur humnerat oqeanike. [1] Në fushat abisale mund të gjenden male nënujore. Në Oqeanin Paqësor gjenden më shumë se 20 000 male nënujore, pak prej të cilave arrijnë sipërfaqen duke formuar ishujt oqeanik ose atolet. Mesoret oqeanike janë një set i vazhduar i vargjeve malore që shtrihen rreth 65 000 km të gjatë, ato janë tektonikisht aktive me shpërthime vullkanike të shpeshta si dhe tërmete. Humnerat oqeanike përfaqësojnë zona të ngushta, me pjerrësi. Gjenden në zonat ku pllakat oqeanike zhyten në mantelin e Tokës.[2]

Fenomenet gjeologjike, që ndodhin në zonat e mësipërme janë të ndryshme. Kështu për shembull: në zonat neritike vihet re valëzimi i ujit sipërfaqësor, që në thellësi nuk ndihet fare; drita e Diellit gjithashtu arrin deri në një thellësi të caktuar, por më kryesorja, me këto zona lidhet me formimin e formacioneve të ndryshme gjeologjike.

Ujërat e deteve dhe oqeaneve, kryejnë një aktivitet të madh gjeologjik, që konsiston në shkatërrimin e brigjeve, në transportimin e prodhimeve të këtij shkatërrimi dhe në depozitimin jo vetëm të materialeve që kanë shkatërruar e transportuar vetë, por dhe materialin e ngurtë që sjellin lumenjtë. Duhet theksuar se aktiviteti gjeologjik kryesor i deteve dhe oqeaneve qëndron në proçesin e depozitimit. Në shkëmbinjtë e depozituar më parë ose në sedimentet e sotme, në fundin e deteve dhe oqeaneve, gjenden shumë minerale të dobishme si në numër ashtu dhe në sasi, siç janë nafta, gazet, qymyrguri, fosforitet, hekuri, mangani, kripërat e ndryshme, lëndët radioaktive etj, pra gjithë seria e mineraleve të dobishme me origjinë sedimentare.[3]


[1] Isak Babaramo, Jostina Dhimitri, Bazat e gjeologjisë, 2008

[2] Holden J, 2013. An introduction to physical geography and the environment, 3-rd edition.

[3] Isak Babaramo, Jostina Dhimitri, Bazat e gjeologjisë, 2008