Rendesia e kuptimit te filozofise
Filozofia është dashuria për dijen! Kush nuk e kupton dhe nuk e lexon dot filozofinë, padijen dhe injorancën e vet shpesh ia ngarkon filozofisë, duke e etiketuar artificialisht si një disiplinë abstrakte, që nuk ka se ç’i duhet shoqërisë, apo si një teori pa vlerë etj. Prandaj dhe ironia sokratike zë vend me thënien “Unë di një gjë, që nuk di asgjë” dhe se e keqja vjen nga padija dhe injoranca. Në fakt, këtë konstatim të keq për filozofinë e bën ajo kategori e njerëzve që as provojnë të lexojnë një vepër filozofike, aq më tepër të mund ta shijojnë atë, sepse kush lexon filozofi dhe e kupton atë që filozofia të “hap” mendjen dhe nuk mund ta lexosh pa u menduar, pa reflektuar duke t’u përpunuar dhe “sofistikuar” më tepër kështu mendimi. Kush lexon filozofi, e shijon atë, sepse shijon atë “stërvitje” që i bën kjo disiplinë trurit dhe mendimeve të njeriut në mjaft aspekte, si p.sh. njeriu kupton si të jetojë mirë dhe duke lexuar Aristotelin me etikën e tij e gjen rrugën e të jetuarit mirë, sipas virtytit si një veti e çmuar e karakterit të mirë. Nëse zgjedh të jetosh sipas vesit, thjesht jeton si kafsha për të mbajtur frymën gjallë, por nuk jeton mirë.