Jump to content

Revista "Gjeopolitika", Nr.6

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ky numër i revistës mbështetet te disa kontribute të studiuesve shqiptarë dhe të huaj në lidhje me figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe autorit që e bëri atë shumë të njohur në Evropë, Marin Barletit. Materialet që kanë të bëjnë me figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut janë një përzgjedhje e disa kumtesave që janë mbajtur në një konferencë ndërkombëtare të organizuar në maj të vitit 2010 nga Universiteti "Marin Barleti" në qytetin e Durrësit. Konferenca "Skënderbeu: Historia dhe Imazhi" u organizua me rastin e 605 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si edhe 500 vjetorit të botimit të veprës së njohur të Marin Barletit mbi këtë figurë të shquar historike. Kumtesave i paraprin një fjalë përshëndetëse e Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, i cili ishte i pranishëm në konferencë.

Krahas kumtesave mbi Skënderbeun, në këtë numër të revistës "Gjeopolitika" janë përfshirë edhe studime të kryera në kohë të ndryshme për figurën e Marin Barletit. Materialet mbi Marin Barletin ofrojnë njohuri jo vetëm mbi jetën dhe figurën e tij në kontekstin kohor që jetoi, por edhe sqarojnë aspekte të veprimtarisë së tij si historian humanist. Kemi menduar se një përzgjedhje e tillë do t'i shkonte këtij momenti, duke qenë se 605 vjetori i lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut ka përkuar me 500 vjetorin e botimit të veprës "Historia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut" e Marin Barletit. Ky numër përmban shkrime nga prof. Pëllumb Xhufi, "Një vasal i premtuar: Skënderbeu dhe Alfonsi V i Napolit", Lucia Nadin "Jehona e gjatë e kujtesës së Skënderbeut në Venedik shekujt XV-XIX", prof. Ferit Duka "Brezi lindor i tokave shqiptare dhe lufta e Skënderbeut: Një vështrim në zonën Ohër-Dibër", prof. Selim Daci "Kontributi i familjeve feduale shqiptare në luftën antiosmane", prof. Luan Malltezi "Skënderbeu dhe qytetet e bregdetit shqiptar nën Venedikun", dr. Edmond Malaj "Skënderbeu në historiografinë gjermane. Një vështrim i përgjithshëm", Stefan Prifti "Disa shënime për jetën, veprën dhe vlerën e Marletit të historjan", prof. Dhimitër Shuteriqi "Mbi jetën e Marin Barletit", Injac Zamputi "Barleci apo Barleti", po nga i njëjti autor është botuar "Marin Barleti dhe vepra e tij madhore", prof. Sabri Hamiti "Marin Barleti (rreth 1460-1513)", prof. Kasem Biçoku "Portreti i Marin Barletit dhe një saktësim për shqiponjën e Kastriotëve", dr. Moikom Zeqo "Barleti, në Kroaci "fshihet" libri I tretë I panjohur", Zef Mirdita "Mbi botimin e "Historisë së Skënderbeut" të Marin Barletit në Zagreb në vitin 1964", Frantz Babinger "Barleti në enciklopedinë italiane të vitit 1964", dhe dr. Saemira Pino "Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV".