Rrapo Ormëni
Rrapo Ormeni është specialist shqiptar në fushën e sizmologjisë, me një veprimtari afro 40 vjeçare në këtë fushë. Pas diplomimit ka kryer specializime në fushën e analizës së të dhënave sizmike dhe vlerësimin e rrezikut sizmik në Gjermani e Austri. Doktor i shkencave në sizmologji në vitin 2007. Punimet e tij shkencore janë botuar në revista të njohura ndërkombëtare, si Tektonofizika. Numri i punimeve shkencore, monografive dhe përmbledhjeve të studimeve, është mbi 120, nga të cilët rreth 30 janë artikuj shkencorë. Themelimi i lëndëve të reja universitare, si Fizika e tërmeteve, bën pjesë në kontributet e tij akademike. Ka profilin dhe autoritetin shkencor të pranuar në rrjetet ndërkombëtare të sizmologjisë. Kontributet origjinale të Rrapo Ormënit lidhen me analizën e aktivitetit sizmik natyror dhe atij të induktuar, si dhe vlerësimin e rrezikut sizmik në vendin tonë. Ka botuar studime të veçanta për rajonalizimin sizmik, mbështetur në regjistrimet e rrjetit sizmologjik shqiptar, ligjësitë në sizmologji dhe metodologjitë bashkëkohore. Ka qenë organizatori kryesor i konferencës ndërkombëtare për gjeoshkencat dhe inxhinierinë e tërmeteve – sfidat për rajonin e Ballkanit, e cila u zhvillua në Shqipëri. Prof. dr. Rrapo Ormëni është kandidat për titullin akademik i asociuar në gjeofizikë.