Shko te përmbajtja

Defteri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Defteri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 (turqisht: Sûret-i defter-i sancak-i Arvanid) është një regjistër përmbledhës i timareve për sanxhakun e Arvanidit, që trajton jugun e Shqipërisë midis lumit Ishëm në veri dhe rrjedhës së poshtme të lumit Kallama afër Gumenicës në jug.[1]

Faqet origjinale gjenden në Arkivin osman,[2] ndërsa botohet për herë të parë si Hicrî 835 tarihli Sûret-i defter-i sancak-i Arvanid nga osmanologu Halil Inalxhik në Ankara më 1954.[3] Përkthmin në shqip u bë nga Myqerem Janina, dhe u botua më 2017 nga Instituti i Historisë si Regjistri i Sanxhakut te Arvanidit i vitit 1431.[4]

Defteri i përmbledhur hidhet në letër të pastër dhe kështu i paraqitet Sulltanit i cili e aprovon atë me hatt-i humayun dhe pasi vuloset paraqitet në defterhane për t’u ruajtur. Kështu, kjo shkresë mbetej në fuqi deri në një regjistrim të ri. Sipas këtij defteri themeltar, kopjet që i jepen bejlerbeut ose kryellogarisë përmenden si suret-i defter. Në këtë kontekst, defteri i Arvanidit që kemi në dorë është një suret ose kopje i defterit të përmbledhur. Në hyrjen e defterit është shënuar se defteri është një “suret”. Nga shënimet anësore dallohet se ky defter ishte ajo që gjendej pranë bejlerbeut të Rumelisë.

Shekulli XV zë një vend të veçantë në historinë e shqiptarëve, pasi kjo periudhë lidhet me përpjekjet e tyre për të formuar një entitet politik nëndrejtimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kjo është edhe arsyeja qëhistoriografia shqiptare i ka kushtuar vazhdimisht një vend të veçantë sifigurës së tij, ashtu edhe këtij shekulli që me të drejtë mund të konsiderohetsi shekulli i Skënderbeut shqiptarëve.

Regjistri në fjalë mbart të dhëna të rëndësishme edhe për vetë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun. Siç mësojmë nga shënimet e timareve nr. 314 dhe nr. 335 konstatojmë se shkresat apo ndarja e tokës të fshatrave e zonave të përmendura është kryer me urdhër të tij. Parë nga ky aspekt, të dhënat e këtij regjistri janë një burim i dorës së parë për studimin më në gjerësi të jetës dhe aktivitetit së Skënderbeut po të kemi parasysh faktin se pjesa më e madhe e jetës së tij para vitit 1443 mbetet ende me shumë të panjohura.

Hapësira gjeografike që përfshihet në këtë regjistin e Arvanidit nis nga Kruja për të vijuar në Jug deri në Thesproti dhe në qendër ka Gjirokastrën ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut. Në defter, për Gjirokastrën vërejmë se është përdorur edhe emri vilâyet-i Zenebiş, emërtim që lidhej me praktikën osmane sipas të cilës ato e emërtonin një vend me emrin e zotëruesve të asaj zone. Pra, të Zenebishëve. Njësitë administrative të marra në regjistrim përfshijnë Gjirokastrën, Sopotin, Këlcyrën, Kaninën, Beratin, Tomorricën, Skraparin, Pavlo Kurtikun, Çartallosin dhe Krujën. Parë nga ky aspekt, regjistri na jep të dhëna interesante lidhur me këto vendbanime, emrat e fshatrave dhe popullsinë e tyre gjatë kësaj periudhe.

Në regjistër vërehen fshatrat e zbrazura apo të shkatërruara, zona të reja që popullohen rishtas apo edhe zona që kanë qenë të rrënuara por që me kalimin e kohës janë gjallëruar. Madje, nga numri i shtëpive që janë regjistruar është e mundur të jepet edhe një numër i përafërt i popullsisë së këtyre zonave ku duhet thënë se edhe në këtë drejtim ka patur studime të vyera nga studiues të ndryshëm ku mund të veçohet bizantinologu austriak Johanes Koder i cili duke u nisur nga të dhënat që jep regjistri është munduar të paraqesë një numër të përafërt të popullsisë së këtij sanxhaku të kësaj kohe.

Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i përket gjysmës së parë të shek. XVdhe mbart të dhëna shumë të rëndësishme për toponiminë, demografinë,ekonominë dhe elementin njerëzor të një pjese të rëndësishme të hapësirësshqiptare gjatë kësaj periudhe. Por rëndësia e tij e tejkalon historinë eshqiptarëve. Me të drejtë, ai është cilësuar si regjistri më i hershëm i të gjithëhapësirës osmane i zbuluar deri më sot dhe për shumë dekada ka qenë njëburim i dorës së parë për të gjithë historianët dhe osmanologët në mbarë botën.

Në aspektin fizik, versioni origjinal i këtij defteri ka përmasat 11:29 cm dhe përbëhet nga 151 fletë, prej të cilave 9 janë boshe. Data e përpilimit të këtij defteri i përket vitit 835 të kalendarit Hixhri i cili përkon me vitet 1431-32. Shënimet që gjenden në cepat e fletëve deri në atë të 45-tën janë dëmtuar e kanë humbur. Përveç këtyre, pjesa tjetër është e lexueshme. Pjesët e dëmtuara në përgatitjen që kemi bërë për botim i kemi treguar si (...). Në anën e mesit të fletës ku fillonte çdo njësi administrative ishin vendosur penj të ngjyrave të ndryshme të cilat mundësonin përdorimin me lehtësi të defterit. (në fletën 230 vërehet pjesa e perit që mbetet brenda fletës). Letra e përdorur është letër filigrani europiane që mbart shenjën e gërshërës dhe kurorës. Për shkrim është përdorur bojë e zezë. Është shkruar me llojin e shkrimit kaligrafik tevki, shkrim me të cilin sipas Inalcik janë përpiluar thuajse të gjithë defterët e shek. XV.

  1. Koder, Johannes (2017). "DEFTER-I SANCAK-I ARVANID SI BURIM TË DHËNASH DEMOGRAFIKE MBI EPIRIN NË KAPËRCYELLIN PREJ SUNDIMIT BIZANTIN NË ATË OSMAN ME DY HARTA DHE GJASHTË TABELA". Studime Historike (në anglisht) (1–2). doi:10.61773/1xpx3k92. ISSN 3005-8481.
  2. "Regjistri përmbledhës i timareve për sanxhakun e Shqipërisë (Arvanid), mes tyre edhe Vlora. · Indeksi i Arkivit të Stambollit · Omeka S". kataloget.dshsh.org. Marrë më 2025-08-27.
  3. İnalcık, Halil (1954). Hicrî 835 Tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arnavid (në turqisht). Türk Tarih Kurumu Basımevi. OCLC 16745883.
  4. Inalcik, Halil (2017). Caka, Eduart (red.). Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431. Përkthyer nga Janina, Mykerem. Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike. ISBN 9789928141606.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]