Selaudin Blloshmi
Selaudin Blloshmi (Bërzeshtë, 21 mars 1892 - 1929) ka qenë ushtarak, diplomat dhe nëpunës shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkollën elementare dhe atë të mesme ushtarake (Shkolla e kadetëve) i kreu në vitin 1911 në Stamboll. Në vitin 1915 botoi në Sofie një libër me vjersha patriotike, të titulluar “Zan’ i Fronit, Mbretit e Shqiptarëve” (Sofie 1915), kushtuar Princ Vidit (1). Gjatë Luftës së Parë Botërore shërbeu si kapiten në ushtrinë franko-shqiptare të Republikës së Korçës. Në nëntor të vitit 1917 caktohet delegat i Komisionit për të negociuar me palën ushtarake greke për përcaktimin e kufinjve shtetëror midis dy shteteve (2). Në vitin 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si delegat i Korçës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare dhe intergritetin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë (3). Në vitin 1920 bëhet protagonist i një ngjarje të jashtëzakonshme. Kur ishte komandant i ushtrisë shqiptare të Korçës, rastësisht i bie në dorë një telegram i Nën-drejtorit të policisë së Korçës, i quajtur Oliver, që ia dërgonte Klubit Ushtarak të Parisit, i cili kishte marrë urdhër për t’u larguar nga Korça dhe për t’ia dorëzuar qytetin ushtrisë greke. Selaudini njoftoi qeverinë shqiptare, e cila, pas Kongresit të Lushnjes, e ushtronte aktivitetin e saj në këtë qytet. “Selaudin Blloshmi, - shkruan Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij -, i alarmuar lajmëron Pandeli Evangjelin dhe shokët e tij. Këta pa humbur kohë kërkojnë një audiencë te presidenti Uillson” (4). Presidenti Uillson, shkruan Vllamasi, ndërhyri energjikisht pranë kryeministrit grek Venizellos, që ai të hiqte dorë përfundimisht nga veprimi djallëzor i tij për të pushtuar Korçën (5). Në vitin 1921 dërgohet për dy vjet në Francë për të vijuar studimet e larta ushtarake në Akademinë Ushtarake Franceze të Sent Sirit në Paris (6). Shërbeu në Oborrin e mbretit Zogu I, me gradën Nënkolonel. Ka qenë deputet i prefekturës së Elbasanit në Parlamentin shqiptar deri në vitin 1926. U martua me Sara Serdar, e vija e kolonelit Vehab bej Serdar dhe e vajzës së madhe të Ismail Qemalit, e cila ishte një ikonë e bukurisë shqiptare dhe një nga femrat më të emancipuara të kohës. Gjatë viteve 1926-1928 Selaudini shërbeu si ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Bukuresht të Rumanisë. Në pranverën e vitit 1928 rikthehet në atdhe dhe emërohet prefekt i Tiranës. Vdes në vitin 1929 nga një atak në zemër. Selahudin Blloshmi në vitin 1929 u dekorua nga presidenti francez me urdhërin “Kalorës i Legjionit të Nderit”.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit](1) A. Bishqemi: Gazeta “Elbasani“, prill 1999;
(2) B. Blloshmi: Gazeta “Telegraf”, 16 shtator 2006;
(3) M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 datë 17 dhjetor 1929; S. Vllamasi: S. Vllamasi: Ballafaqime politike në Shqipëri, Botim i dytë, Tiranë 2000, faqe 117;
(4) S. Vllamasi: Ballafaqime politike në Shqipëri, Botim i dytë, Tiranë 2000, faqe 117;
(5) Vllamasi: po aty, faqe 208-209;
(6) B. Blloshmi: Gazeta “Telegraf”, 16 shtator 2006;
Ky artikull në lidhje me një biografi individi është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |