Shko te përmbajtja

Shënvasil

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shën Vasil është një fshat në Shqipërinë jugore pjesë e Qarku të Vlorës në komunën Lukovë. Fshati ndodhet në këmbët e malit Shëndelli dhe Malit të Bardhë, dhe konsiderohet pjesë e Rivierës shqiptare. Ai kufizohet me fshatrat Nivicë, Lukovë, me detin Jon në perëndim dhe me lumin e Kalasës në lindje, duke zënë një sipërfaqe rreth 3000 hektarë.

Fshati shtrihet në Luginën midis Malit të Shëndelliut dhe Malit të Bardhë, në një lartësi prej 282 metrash mbi nivelin e detit. Fshati shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 3000 hektarësh, me një reliev të kombinuar midis kodrave, lumenjve dhe zonave të gjelbërta me ullishte dhe ara. Kufijtë tradicionalë të tij përcaktohen si më poshtë:

  • Nga Jugu: Qafa e Lukovës, Bregu i Llakes së Bujqërit, zbret te Lemi i Shën Vasilit, te ullinjtë e Gjikës, në Lemin e Thomagjinës, Bregu i Vranastirit, Perroi i Çellës, Radhaia, Cafreger, Qafa e Siodelit, Llaka e Sinës, Qafa e Llakes së Sinës, maja e Brigjeve të Bathykës, Bregu i Binjarashës, Vidhi i Bakallës, Bregu i Alimanashit, ku derdhen ujërat.
  • Nga Lindja: Bujana e Simës, Furrat e Vjerodukës, Vana, Bocashi, lumi i Kalasës deri te Prapamullirja e Bezhanës, përroi që vjen nga Qafa e Kondosheshëve, ara e Gaqe Spiros, kufiri me Ksillohor, Koqinova e Zhulatës, Spithari në Koqinovë, Qafa e Koqinovës, Bregu i Madh, Qafa e Muzhaqit, Maja e Ndrakshanit, Qafat e Vrogoriut, Qafa e Arrës së Nacit, Bregu i Arrës së Nacit, Qafa e Vasës, Kulla e Hitos.
  • Nga Veriu: Gjondelet, Gryka e Shtratit, Bregu i Grykës së Shtratit, Rrethi i Muxgavës, Qafa e Herespujës, Lemi i Hajdhës, Burimi i Lugjit, Ara e Kol Nacit, Brezaret e poshtme të Zhubdenes, Qafa e Nomëses së Goxhës, Ara e Bardhit, Bregu i Bardhit, Qafa e Pazarit, Ara e Senicës, Bregu i Sitriotës, Grilla, buzët e Bezhanës, Faqja e Shpellës, Guri i Madh, Argeleja në qafë të Plakotoit, dhe Lisat e Thomarës.
  • Nga Perëndimi: Deti Jon, Hunda e Gradecit, Vjeshtarakja e Shëndelliut, Qafa e Lukës, Bregu i Llakes së Bujqërit, zbret përsëri në Lemin e Shën Vasilit.

Ky përshkrim i detajuar i kufijve tradicionalë të fshatit, i trashëguar brez pas brezi, përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit dhe gjeohistorisë së zonës.

Shën Vasili konsiderohet një fshat autokton me histori mijëvjeçare. Gjurmë arkeologjike si Kalaja e Dhoknes, si dhe mbetje të zbuluara në Ovel, Celle dhe pranë Manastirit të Shën Vasilit, dëshmojnë për lashtësinë e tij. Fshati përmendet në regjistrat osmanë që nga vitet 1431–1582.

Emri i tij i parë ka qenë Ayios Basiley, dhe origjina e fshatit daton në rreth vitit 329 Krishtit. Fshati i vjetër ishte vendosur në anën verilindore të Malit Shëndelli dhe kishte tre lagje: Bilushin, Binjarin dhe Marjushen. Ai u dogj dy herë, në vitin 1640 dhe më 23 prill 1798 nga forcat e Ali Pashë Tepelenës në ditën e Pashkës së Madhe nga forcat e Ali Pashë Tepelenës, të komanduara nga Jusuf Arapi, në një aksion ushtarak që përfshiu gjithashtu Nivicën dhe Lekursin. Sipas gojëdhënave dhe dokumenteve historike, francezët i lejuan flotës së Ali Pashës të kalonte kanalin e Korfuzit dhe të zbarkonte natën e Pashkëve, duke i sulmuar në befasi banorët e bregdetit shqiptar.

Ky episod i hidhur është përjetësuar edhe në një këngë popullore të zonës:

Pashk'e Krishtit mos ardhç kurrë,

As për turq, as për kaurë,

Si na bëre detin urë!

Pashkë e Krishtit mos ardhç kurrë,

Për niviciotët me vulë,/ Dhe për Shëvasi fodullë!

Ti na i vure në gjumë,/ Gjithë ata trima magrurë,

Të Delvinës e Bregdetit,/ Të pashait e miletit,

Në natën e kiametit.

Na u bë urë deti,/ Korfuz të raftë rrëmeti!

Dhe u shofsh me frënq e frënga,/ Na i solle hasmin brenda!

Të zënë në befasi banorët e guximshëm të atyre anëve nuk arritën dot të bënin qëndresë dhe u  shpartalluan. Ali Pashai arriti të shfarosë një pjesë të popullsisë së atyre fshatrave në rrëzë të maleve  Akrokeraune, që atë kohë llogariteshin mbi 8,000 frymë. Duke përfituar nga befasia u orvat të  pushtonte Himarën por nuk ia doli. Pas kësaj shumë banorë të fshtrave të pushtuara emigruan në  Itali e deri në Spanjë.

Pas shkatërrimit, fshati i ri u ngrit në vitin 1801, pranë Manastirit të Shën Vasilit, ku edhe mori emrin. Simbol i tij është një rrap 205-vjeçar.

Monumente dhe Trashëgimi Kulturore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fshati është tradicionalisht i krishterë ortodoks. Ai përmban dy manastire të rëndësishme:

Manastiri i Shën Vasilit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Manastir i Shën Vasilit prej nga ka marrë dhe emrin fshati, ndodhet mbi një kodrinë dhe ka shërbyer dikur si qendër murgeshash, me shkollë për priftërinj dhe bibliotekë të pasur kishtare.

Manastiri i Shën Mërisë së Krorezës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Manastiri i Shën Merisë së Krorezës është ndërtuar në mesin e shekullit të XIV, në një breg shkëmbor me pozicion të mbrojtur natyrorisht dhe njëkohësisht piktoresk, prej nga shpaloset një pamje e gjerë e peizazhit bregdetar. Nga kompleksi i vjetër i manastirit, deri në ditët e sotme kanë mbijetuar disa struktura: kisha, kulla dhe një ndërtesë me çardak.

Kisha e manastirit është pikturuar në vitin 1672 nga Mihal Jerma nga Delvina. Ajo është ndërtuar sipas tipologjisë së kishave me plan në formë kryqi dhe kupolë, me përmasa të brendshme 7.90 × 4.40 metra. Muratura është ndërtuar me gurë të skalitur, të lidhur me llaç gëlqereje dhe përfundon me një kornizë të hollë guri. Apsida dhe tamburi janë suvatuar me një shtresë të hollë llaçi, ndërsa çatia është e mbuluar me rrasa guri.

Kulla është një strukturë trekatëshe, me tipare të mbyllura, me pak hapësira ndriçimi dhe dritare të vogla. Hyrja në katin e dytë bëhet nëpërmjet shkallëve të jashtme prej guri, të mbështetura mbi një qemer cilindrik. Përveç këtyre ndërtimtarive, në ambientin rreth kishës janë të shpërndara rrënoja të ndërtesave të tjera, dëshmi e kompleksitetit të dikurshëm të manastirit. Oborri është i shtruar me pllaka guri.

Ndërtesa me çardak

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërtesa me çardak daton në vitin 1762 dhe është dykatëshe. Në katin e dytë ndodhet një galeri e hapur përballë, e mbështetur mbi qemerë, me një radhë shtyllash druri. Çardaku mbulohet nga zgjatimi i flegrës së çatisë së pjesës tjetër të ndërtesës.

Këmbana e Manastirit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Manastiri ka pasur një këmbanë historike, e cila i ishte dhuruar nga Mbreti Ferdinand i Napolit si kujtim për 30 luftëtarë lukovjotë që ranë në mbrojtje të mbretëreshës së Napolit. Kjo këmbanë u zhduk në vitin 1967 dhe fati i saj mbetet ende i panjohur.

Memorial i ushtarëve austriakë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Përurimi i Memorialit të Ushtarëve Austriakë - Varrezat e Fshatit Shën Vasil

Në fshatin Shën Vasil ndodhet një memorial në nderim të 200 robërve austriakë të cilët humbën jetën gjatë ndërtimit të rrugëve përgjatë bregdetit. [1] Në Luftën e Parë Botërore nga ushtria italiane u kapën robër një numër i madh ushtarësh Austriakë. Ata u përdorën për ndërtim rrugësh dhe urash në aksin Vlorë – Sarandë nga Llogaraja. Në memorial shkruhet "Në këtë vend prehen eshtrat e disa dhjetëra ushtarakëve austriakë, rënë gjatë Luftës së Parë Botërore". Sot ky memorial është kthyer në një vend pelegrinazhi për shumë turistë sidomos ata austriakë. [2]

Vizita e François Pouqueville

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historiani francez François Pouqueville (Fransua Pukvil), gjatë udhëtimeve të tij në Epir dhe Shqipëri në fillim të shekullit XIX, përmend fshatin Agios Vasilis si një vendbanim të vjetër në rindërtim nga rreth 50 familje të krishtera, pas shkatërrimit. Ai përshkruan vendndodhjen, mbetjet e kalasë dhe kishën e vogël Panagia Kronia. Shkëputur nga libri "Udhëtim në Epir dhe Shqipëri" të vitit 1806 ai e përshkruan vizitën e tij si më poshtë:

Katërqind jardë më tej arritëm pranë fshatit të rrënuar Agios Vasili (Shën Vasil). Në kodrën pas rrënojave të fshatit thuhet se gjenden afër kishës së Panagia Kronia (Virgjëresha e Kronias), një emër që ndoshta ka ndonjë lidhje me një tempull të shenjtë të Saturnit. Aty gjetëm një lloj fortesë, që nga shqiptarët dhe për një kohë edhe nga vetë Ali Pasha, konsiderohej si çelësi i maleve të Keraunisë. U ulëm në diell pranë një muri, ku thamë rrobat dhe hëngrëm ushqim, ndërsa kuajt tanë pushuan. Përreth fortesës, një fshat i ri me pesëdhjetë familje të krishtera premtonte të bëhej një vend me rëndësi. Dy milje përtej Shën Vasilit pamë në të djathtë Nivicë-Bubarin, një fshat që po ringjallej nga hiri...

Ekonomia dhe Arsimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historikisht, ekonomia e fshatit është mbështetur në kultivimin e ullirit, bujqësinë dhe blektorinë, veçanërisht atë të imtë. Fshati ka pasur një shkollë greke që prej vitit 1870 dhe një shkollë shqipe që nga viti 1918. Në vitet 1970 funksiononte shkolla 8-vjeçare dhe në vitin 1985 u hap shkolla e mesme bujqësore.

Aktualisht fshati numëron rreth 100 banorë, me pjesën dërrmuese të moshuar. Ai përbëhet nga disa lagje si: Kopaçe, Hani, Rimi, Mesohori, Burimi, Gurrëza, Bregu i Shqeve dhe Hundecovë.

  1. "Shën Vasili, vendi ku prehen 50 ushtarë austriakë". top-channel.tv (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-04-16.
  2. Vasili, Shen (2011-09-09). "Shën Vasili, fshati shekullor: FOTO NGA PERURIMI I MEMORIALIT TE USHTAREVE AUSTRIAK PRANE VARREZAVE TE FSHATIT NDERTUAR NGA BASHKEFSHATARI YNE MJESHTRI MINELLO RROSHI. 20.08.2008". Shën Vasili, fshati shekullor. Marrë më 2025-04-16.