Jump to content

Shëtitje turistike në fshatrat e rrethit të Tiranës (Komuna Dajt)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shëtitje turistike në fshatrat e rrethit të Tiranës (Komuna Dajt). Gjinia: Studim. Autori: Skënder Farka. Shtëpia botuese: ILAR. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 253. ISBN 978-9928-107-30-5

Shqipëria, si shtet dhe komb, është e përmasave të vogla, midis kombesh jo tepër të mëdha në zonën e Mesdheut, me vende policentrike, ku vetë ajo mund të konsiderohet si më policentrikja, me qarqe dhe qytete që janë qendra të vjetra të shkëmbimeve, si dhe me fshatrat përreth.

E vendosur gjeografikisht në pjesën jugperëndimore të Ballkanit, Shqipëria ka pasuri të mëdha njerëzore, materiale, shpirtërore dhe kulturore, brenda trinomit: Shqipëri, emri i vendit ku ndodhemi; shqiptar, emri i kombësisë që kemi; dhe shqip, emri i gjuhës që flasim.

Shkenca albanologjike, me degët e saj: histori, arkeologji, antropologji, toponomastikë, etimologji, anomastikë etj., në kushtet e reja ka për detyrë që edhe më shumë të mund të ndihmojë për gjithçka që ka lidhje me Shqipërinë e shqiptarët, sidomos për gjuhën shqipe, dhe nëpërmjet rrjetit shkollor, t'i përhapë ato sa më gjerësisht.

Shpallja e njësive familje - fshat dhe ndryshimi i tyre social, i vendosur brenda sistemit të identitetit shqiptar, ndihmon në shndërrimin e shpejtë të Shqipërisë në "sistem - vend", si bazë e identitetit tonë kombëtar.

Në kushtet pasdiktaturë të migrimit, familja dhe fshati po fitojnë një rizgjim të ri; ajo, familja, po konsiderohet gjithnjë e më shumë si qeliza më e rëndësishme dhe më jetikja e shoqërisë, si pikë qëndrueshmërie dhe referimi bazë e rregullit shoqëror të jetës në vend. Familja, shtëpia, fshati ose qyteti së bashku me to, janë seli të shkëmbimeve të gjalla të përcaktimit të identitetit tonë.

Kuptimi i bërjes pjesë në bashkësitë lokale i ka sjellë njëfarë dinamizmi jetës ekonomike të vendit, duke fuqizuar identitetin kolektiv në çdo fshat, ku mbartet mënyra e përcaktimit nga ana e banorëve e prejardhjes së tyre së bashku me botën kulturale lokale, që prodhon ndjesinë e kombësisë, atë të të qenit shqiptar.