Shëtitoret e lashta
Shëtitoret antike janë pjesë të kompozimit urbanistik të shesheve qendrore në qytetet antike, ku bëheshin edhe takime për shkëmbimin e mendimeve, për mësime dhe veprimtari të tjera të jetës qytetare.
Nga ana arkitektonike trajtoheshin si galeri të mbuluara, 50–100 m të gjata me një varg kolonash në ballë, të hapura ndaj mjedisit të jashtëm. Deri më sot në Shqipëri njihen 7 të tilla të shek.IV-III p.e.r., nga dy në Apoloni e Dimal dhe nga një në Nikaia, Bylis e Butrint. Prej tyre më e vjetër është shëtitorja dykatëshe e Apolonisë. Shëtitorja tjetër e Apolonisë që zëvendësoi të parën është një nga shembujt më të arritur të këtyre ndërtimeve. Ajo shquhet për planimetrinë e zhvilluar, pasurinë e përpunimit dekorativ dhe veçantitë e trajtimit të elementeve formuese.