Shkolla Tregtare e Vlorës
Shkolla Tregtare e Vlorës Shkollë e mesme profesionale, çerdhe e lëvizjes patriotike e revolucionare. U hap në Vlorë më 8.11.1924. Kjo shkollë u shndërrua në një çerdhe të lëvizjes patriotike e revolucionare. Fryma e traditave patriotike të qytetit u bë më e vetëdijshme me përhapjen e ideve revolucionare nën ndikimin e Halim Xhelos, me depërtimin e literaturës demokratike të kohës, si dhe të shtypit të ndaluar revolucionar. Gjatë periudhës së pushtimit të vendit nxënësit sabotuan çdo masë për fashistizimin e shkollës. Me krijimin e PKSH veprimtaria revolucionare në shkollë mori karakter të organizuar. 229 nxënës e nxënëse u hodhën me armë në dorë për çlirimin e atdheut. Në këto rrethana më 22.5.1943 shkolla u mbyll. Organet e pushtimit e kthyen atë në kazermë ushtarake. 44 nxënës të saj ranë dëshmorë, ndër ta 4 Heronj të Popullit. Pas Çlirimit shkolla u rihap në mars 1945, më 1946-47 u hap konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për një kohë të shkurtër shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u rikthye në Vlorë. Tradita e saj sot vazhdohet nga shkolla e mesme ekonomike. Shkolla Sot Shkolla Tregtare Vlorë ofron dy drejtime të rëndësishme për tregun e punës Hoteleri Turizëm dhe Ekonomi. Në këtë shkollë studiojnë 350 nxënës. Ka një bashkëpunim me 120 biznese të qytetit dhe Jugut të vendit sidomos në atë të Industrisë së turizmit. Shkolla Tregtare Vlorë është bërë një nga institucionet më të rëndësishme që formon profesionist në kuzhinë, bar restorant, recepsion, menaxhim hoteli, tregti, tatime, bank dhe kontabilitet profile të cilat zgjedhin nxënësit e kësaj shkolle.