Shkolla e Mesme Artistike "Prenkë Jakova"
Shkolla e Mesme Artistike "Prenke Jakova" | |
---|---|
Të dhëna | |
Lloji | Shkolle Publike |
Drejtori | Anton Kaftalli |
Personeli | 70 |
Klasat | 1-13 |
Numri i studentëve | 300 |
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 18 janar 1961 u hap në Shkodër, Shkolla 8-vjeçare e Muzikës. Kjo u bë e mundur me përpjekjet e vazhdueshme të muzikantëve të mirënjohur të qytetit, Ndoc Shllaku e Gjon Kapidani etj. me mbështetjen e kompozitorit Prenkë Jakova, që kerkoi të ruhet e të vazhdohet tradita kulturore e qytetit. Në fillim shkolla kishte 25 nxënës dhe 3 mësues, për violinë e piano.
Në vitin shkollor 1963-1964, hapet dhe klasa e violonçelit që pasohet 3 vite më vonë më hapjen e klasës së klarinetës dhe flautit. Në vitin shkollor 1970-1971 hapet Shkolla e Mesme e Muzikës (12 vjeçare) në degët violinë, violë, violonçel, kontrabas, piano, kanto dhe instrumenta fryme.
Në vitin shkollor 1974-1975, pranë kësaj shkolle hapet dega e pikturës, dhe 5 vite më vonë dega e skulpturës. Në këtë mënyrë merr formën e vet të plotë si shkollë artistike me dy drejtimet kryesore, dega e muzikës dhe dega e arteve figurative, që funksionon edhe sot.
Në vitin 1981 me rastin e 20 vjetorit të krijimit të shkollës, Shkollës Artistike të Shkodrës, iu dha emri “Prenkë Jakova”. Deri tani nga kjo shkollë kanë kryer studimet e plota 1830 nxënës, prej të cilëve mbi 600 kanë vazhduar studimet në Akademinë e Arteve – Tiranë, dhe pas viteve ‘90 edhe në akademitë muzikore të Evropës.
Veprimtaritë dhe arritjet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në jetën e Shkollës Artistike Kombëtare “Prenkë Jakova”, një vend të rëndësishëm zënë edhe veprimtaritë artistike. Koncertet e para të dhëna nga nxënësit e kësaj shkolle i përkasin viteve 1962-1963. Krijimi shkollës së mesme solli formimin e disa formacioneve artistike të cilat funksionojnë edhe sot si : orkestra simfonike, orkestra frymore, formacioni i tunxhit, formacioni koral, formacioni i muzikës së dhomës, ansamble të vogla instrumentale që kanë pasur një veprimtari artistike të gjallë brenda qytetit, në qytetet kryesore të Shqipërisë e jashtë vendit, si Itali, Mali i Zi, Greqi, Gjermani, Bullgari etj.
Një nga arritjet më të shënuara të veprimtarisë artistike të kësaj shkolle është vënia në skenë e aktit të parë të Operës “Mrika”, të kompozitorit Prenkë Jakova, nga nxënësit e shkollës, në vitin 1983.
Në konkurrimet artistike muzikore kombëtare e ndërkombëtare, Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova” është vlerësuar tre herë me flamurin e aktivitetit dhe çmime të para, ndërsa në fushën e arteve figurative është vlerësuar me çmime te para në rang kombëtar dhe për disa vite me rrallë nxënësit e këtij sektori janë vlerësuar me çmime të para në konkurset ndërkombëtare si në Portugali, Mali i Zi, Itali, Maqedoni, Austri etj.
Pedagogët e kësaj shkolle kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e pasurimin e traditës muzikore të Shkodrës, si krijues, interpretues dhe si anëtarë të korit dhe orkestrës simfonike e orkestrës frymore të qytetit.
Orkestra simfonike e shkollës me instrumentistët, solistët e krijuesit, pas viteve ’90 kanë marrë pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare, si në Itali, Zvicër, Austri, Mali i Zi, Gjermani, Greqi etj. ku janë përfaqësuar me dinjitet artistik, e kanë marrë vlerësime të larta.
Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova”, prej vitesh ka marrëdhënie të afërta profesionale me shkollat analoge të vendit e të Evropës, si dhe me Akademinë e Arteve Tiranë, e akademi të tjera Evropiane.
Stafi pedagogjik i kësaj shkolle në vite, ka kontribuar me sukses në hartimin dhe përmirësimin e programeve kombëtare didaktike, e teksteve shkollore.
Pedagogë dhe artistë krijues të shkollës, kanë dhënë ndihmesë të madhe në zhvillimin e konsolidimin e artit mbarëkombëtar shqiptar dhe janë vlerësuar me titujt më të lartë kombëtar si “Nderi i Kombit”, “Artist i Populli”, “Artist i Merituar”, “Naim Frashëri i Artë”, “Mësues i Popullit”, “Mësues i merituar”, “Qytetar Nderi i Shkodrës” dhe Çmimin “Prenkë Jakova”. Në vitin 2006 shkolla jonë mori një status të ri nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Shkolla Kombëtare Artistike “Prenkë Jakova”.
Sot në shkollë japin mësim rreth 70 mësues dhe studiojnë mbi 300 nxënës.