Shkolla e kaçakëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dhe pak dite fshati Kolesjan, feston 90 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në zonën verilindore të Shqipërisë. Më 14 tetor të 1911, me ndihmën e patriotëve dhe atdhetarëve kuksianë, u arrit hapja e kësaj shkolle, e cila shërbeu për formimin e brezave në vite. Kolesjani është një fshat i shquar në krahinën e Lumës dhe të gjithë Shqipërinë e Veriut, në çdo kohë, në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe më vonë në luftën kundër pushtuesve serbo-sllavë. Si një ndër figurat më të përmendura në krahinin e Lumës, por gjithashtu dhe matanë, në Kosovë, është Islam Spahia, emri dhe kontributi i të cilit është i lidhur ngushtë me hapjen e kësaj shkolle. Veprimtaria e tij, si prijës i krahinës së Lumës, ka qenë e lidhur ngushtë dhe me prijësat e tjerë të Kosovës, Dibrës, Tetovës e më gjerë. I ndikuar direkt nga idetë e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, ai e quajti një domosdoshmëri shkollimin në gjuhë shqipe të fëmijëve të Lumës. për të arritur qëllimin e tij, ai i dërgoi bijtë e tij në shkolla, ku të mësonin dhe arsimoheshin dhe gjuhën shqipe t'ia mësonin në breza lumianëve. Dhe do të ishte djali i tij, Riza Spahia, ai që do të shkollohej për gjuhë shqipe në Prizren dhe do të hapte më 14 tetor në Kolesjan shkollën e parë shqipe. Pas mbarimit të shkollës në Prizren, Rizai frekuenton dhe një kurs pedagogjik në Shkup dhe më 1910 emërohet në mejtepin e Kolesjanit në Lumë. Dhe vendosmëria e tij në mësimin e gjuhës shqipe në mejtepin turk, bëri që malësorët e Lumës, më 14 tetor të 1911 të kthenin mejtepin në shkollën e parë shqipe. Në këtë shkollë mësonin fëmijët nga Luma, Ceremi e Zhuri, ndërsa natën mësonin të rriturit, si dhe luftëtarët e maleve. Prandaj dhe kësaj shkolle iu vu emrin "Shkollë kaçake".