Shoqata Atdhetare & Kulturore "Kallarati"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shoqata Atdhetare & Kulturore "Kallarati" u krijua më 12 janar 2003, me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana. Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton "Ec ngado, po Kallaratin mos e harro". Shoqata, me qendër në Vlorë, ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi.