Shpella e Kaurit
Shpella e kaurit është një shpellë afër Liqenit të Komanit, në Pukë.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbi të tatëpjetën “thikë” që zbret në brigjet e Liqenit të Komanit në Pukë,ndodhet një prej shpellave më të vecanta në Shqipëri, për sa i përket historisë së saj. Ndonëse vetëm 40 minuta larg nga qyteti verior i Pukës, Shpella e Kaurit ishte thuajse e panjohur për banorët e zonës. Historia e saj e çuditshme, që zë fill në kohën e pushtimit nga hordhitë e para otomane e që lidhet me fenë, bëri që askush nga banorët e fshatit Buzhalë e të fshatrave të tjerë të Komunës së Qelzës të mos flisnin për të. Madje brezat e rinj në kohën e diktaturës, nuk e dinin se ekzistonte Shpella e Kaurit. Më të moshuarit që kishin dëgjuar për këtë shpellë, nuk guxonin të flisnin për të. Ky vendstrehim natyror e që të mahnit me misteret e saj, u “zbulua” vetëm 7 vjet më parë. Më në fund banorët e trevës thyhen “heshtjen” e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin. Ndërsa këto vitet e fundit Shpella e “Kaurit” ka befasuar dhjetëra turistë të huaj, kryesisht amerikanë. Ajo që habit të huajt, është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre (në myslimanë) nga pushtuesit turq.
SHPELLA E KAURIT
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dikur e panjohur, Shpella e Kaurit, një objekt ky me vlera të rralla, kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve. Mjeshtri i Sportit, alpinisti Përparim Laçi nga qyteti i Pukës, tregohet i zellshëm për të shoqëruar vullnetarisht shumë prej turistëve të huaj që mbërrijnë në viset e kësaj zone, për në shpellën që daton para lindjes së Krishtit. Të huajt shtangen nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella. Për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës, me të cilat i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit. Trajneri i ekipit alpinistik të Pukës (alpinist në ekipin kombëtar), Përparim Laçi, i cili ka prekur majën më të lartë të Himalajës, Everestin, thotë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk. Hordhitë turke detyronin shqiptarët që të ndryshonin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishterimit, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës). Alpinisti Laçi është shumë i apasionuar pas zbulimeve të tilla. Ai tregon se gjatë kësaj vere, ka shoqëruar me dhjetëra turistë që kanë vizituar Pukën.
TURISTËT E HUAJ
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]“Sapo nis e tregon për shpellën, të huajt shfaqin menjëherë interes për ta vizituar atë. Në çastin që mbërrijnë para hyrjes së saj, turistët mbeten të mahnitur”, - shprehet Përparim Laçi. Për të shkuar në Shpellën e Kaurit duhet të ngjitesh në një lartësi prej 10 metrash me litar nga bregu i Liqenit të Komanit. Banorët e zonës, duke e njohur mirë terrenin “kacavirren” pa përdorur litarët, pasi nuk kanë frikë se rrëzohen poshtë. Shpella ka një gjatësi prej 100 metrash. Patricja, një nga 14 turistët amerikanë që vizituan këto ditë Shpellën e “Kaurit” dhe misionare e Korpusit të Paqes, pohon se është përballur me një mrekulli natyrore, e cila ekziston që në lashtësi dhe ka shërbyer për mbrojtjen e identitetit të shqiptarëve. “Çdo gjë që shikon brenda shpellës të mahnit. Të duket vetja si në ëndërr. Të udhëtosh në mesin e stalagmiteve dhe stalagniteve që ngjajnë si copëza diamanti deri në ballkonin e shpellës është diçka e veçantë. S’e kisha menduar se mund të gjendej një shpellë e tillë në Shqipëri”, - thotë Patricja.