Jump to content

Shpellat e Kosovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kosova ka disa shpella, mirëpo jo të gjitha nga to janë hulumtuar në masën e duhur, kështu që edhe të dhënat rreth tyre janë të pamjaftueshme. Më së shumti ekzistojnë njohuri rreth shpellës së Gadimës.

Shpella Lartësia mbidetare Komuna
Shpella e Radavcit 2381m Pejë
Shpella e Malësorit 2200m Drenas
Shpella e Gollstenës 1050m Istog
Shpella Nekovc 810m Drenas
Shpella e Lladrovcit 757m Malishevë
Shpella e Galicës 707m Vushtrri
Shpella e G. së Rugoves 681m Pejë
Shpella e Gadimes 624m Lipjan

Shpella e Gadimes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është zbuluar rastësisht nga Ahmet Diti, duke punuar në meremetimin e shtëpisë së tij, në vitin 1969. Pastaj është hulumtuar nga ekipet e ndryshme speleologjike nga ish-Jugosllavia, por më së shumti nga speleo-klubet vojvodinase, dhe Prof. Jovan Petrovic, gjatë viteve te 70-ta.Kjo është shpella e vetme turistike në Kosovë, e cila është hapur për turizëm në vitin 1976, pas shumë punimeve që janë bërë për heqjen e dheut dhe zhavorit, per t`i hapur kanalet apo korridoret e saja. Eshtë hulumtuar në një gjatësi prej 1260m, por pjesa më e madhe e saj është ende e pahulumtuar për shkak se është e bllokuar nga materialet e ndryshme që i ka sjell lumi i afërt.

Shpella e Gadimes

Ka tri hyrje natyrale dhe ato gjinden në një lartësi mbidetare prej 576-584m, dhe 6-10m mbi nivelin e lumit Klysyrë. Pjesa turistike është diku deri 500m e gjatë. Temperatura brenda në shpellë sillet prej 9.6-16 gradë celzius, varësisht nga stina e vitit dhe galeria. Eshtë formuar nga lumi nëntokësor i cili kalonte nëpër kodrën e Myrtyrit, para se ky lum të formonte shtratin e tij. Karakteristike për këtë shpellë janë formacionet e aragonitit, por edhe përmbajtja e shkëmbinjëve të mermert prej nga e merr edhe emrin, dhe është mjaftë e dekoruar me dekorime të mineraleve nga më të ndryshmet.

Shpella e Radavcit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella e Radavcit gjendet afër fshatit Radavc, pranë burimit të Drinit të Bardhë, rreth 11 km larg qytetit te Pejës pranë rrugës (Pejë-Rozhajë). Shpella gjendet ne pjesën verilindore te vargmaleve te Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve te Nemuna.)

Hyrja e Shpelles se Radavcit

Shpella e Radavcit është shpellë tipike e burimeve. Formimi i saj është i lidhur me erozionin dhe punën kimike te ujërave nëntokësore të Drinit te Bardhë. Kjo shpellë përbëhet prej katër elementeve morfologjike: galeritë kryesore, galeritë e majta, galeritë e poshtme dhe kanalet vertikale. Gjatësia e përgjithshme e të gjitha kanaleve te shpellës së Radavcit është 1420m, ndërsa kanalet horizontale janë të gjata 680m. Galeria kryesore përbehet prej tri pjesëve: kanalit hyrës, galerisë qendrore dhe kanalit te vaskave. Salla qendrore fillon rreth 55 m dhe paraqet një udhëkryq të rregullt. Nga këtu nisen tetë korridore dhe kanale te cilat në nivele të ndryshme lidhen me galerinë fqinje. Fundi i sallës shtrihet 14 m mbi lartësinë e hyrje së shpellës. Në pjesën qendrore të sallës gjendet një shtyllë kristalore e lartë 12m. Karakteristikë për këtë shpellë është kanali me vaska i cili gjendet në vazhdimin e galerisë qendrore. Gjatësia e saj është 76 m, gjerësia prej 4–8 m dhe lartësia në mes 3-5m. Shumica e vaskave janë pa ujë.

Vaskat ne shpellen e Radavcit

Salla e madhe i takon te njëjtës galeri, dhe nga kjo sallë degëzohen korridoret në të gjitha anët. Është e mbushur me shtylla dhe dekorime shumë ngjyrësh. Fundi është i mbuluar me rërë dhe me materiale ndër të cilat gjinden blloqet gëlqerore. Vlen të veçohet se liqeni që ka qenë i mbushur me ujë është tharë, si rezultat i reshjeve të pakta gjatë kësaj periudhe dhe ka mundësuara depërtimin e ekspeditës më tutje në korridoret e kësaj shpelle (më parë depërtimi ka qenë i pamundshëm si pasojë e liqenit), ku janë zbuluar disa kristale të pastra.

Shpella "Gryka e Madhe"

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella “Gryka e Madhe“ ndodhet në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, në anën e majtë, 60 m mbi shtratin e lumit (Lumëbardhi i Pejës), në lartësinë mbidetare 637m.

Shpella e madhe

Hulumtimet në shpellën “Gryka e Madhe” kanë filluar në maj të vitit 1992, nga pesë speleolog Sllovak, edhe pse kjo shpellë ka qenë e njohur nga banorët lokal që prej kohe. Më 29 tetor 1995, një grup prej katër speleologesh, pas një pune pesë orësh në heqjen e gurëve prej burimit të poshtëm të ujit (i cili këtë herë ishte i thatë) arritën që të futeshin në pjesën e poshtme të shpellës ku hasën në një lum të brendshëm. Në hyrjen (pak më lartë-hyrja kryesore), në të cilën nuk kishte ujë që ti pengonte, ekipi arriti të futej në brendi të shpellës disa qindra metra. Në kanalin kryesor të shpellës ata zbritën në rrjedhën e lumit nëntokësor, dhe poashtu u ngjitën në disa oxhaqe të errëta dhe të larta. Ekspeditat hulumtuese të speologëve sllovak vazhduan edhe në vitet 1996-2007 me një ndërprerje në periudhën 1998-2001. Gjatë ekspeditës 10 ditore (shkurt 2007), ekipi i speologëve arritën që të vënë në hartë profilin, planin rreth 8-km të korridoreve të shpellës në një plan me përmasa 1:200.

Harta e shpelles se "Grykes se madhe"

Nivelet më të larta të shpellës nuk kanë sedimente por janë me fundërrina të rërës, ndërsa në nivelet më të ulëta mund të gjejmë gurë të rrumbullakët dhe të mëdhenj, të cilët janë shembur nga muret e shpellës. Në shpellë deri më tani janë hulumtuar pesë nivele. Niveli i parë është niveli i lumit i cili është mjaft aktiv. Ky nivel arrin lartësinë prej 66m prej hyrjes. Ka një shkallëzim dinamik dhe vende-vende shumë i rrezikshëm. Nga ky nivel mund të zbritet në shtratin e lumit, përmes disa kanaleve te ngushta në formë të gypave të pjerrtë... Këtu hasim në sedimente apo fundërrina shumë-ngjyrëshe. Niveli i dytë shtrihet mesatarisht 15–20 m përmbi rrjedhën aktive të lumit nëntokësorë.Në pjesën e parë të shpellës këto dy nivele janë te lidhura në mënyrë simetrike me një kryqëzim tre-dimenzional te disa kalimeve te vogla dhe disa lidhjeve, te cilat nuk janë te hulumtuara deri në fund gjer më sot, dhe po ashtu nuk janë te futura ne hartë (të ashtuquajturat “Kalimet e Gjarprit”). Një pjesë e veçantë dhe unike e shpellës është edhe i ashtuquajturi-Tobogani, me kohë janë krijuar edhe ngushtica të mrekullueshme, të gjëra deri në 1m dhe të thella deri në 2m. Një fakt i çuditshëm në këtë shpellë është se deri sa në pjesën e parë mungojnë dekorimet, në hyrje të shpellës, pjesa tjetër, pas gjysmë-sifonit, është për mrekulli e dekoruar, me të gjitha llojet e mundshme të speleo-dekorimeve. Këtu ka shtylla të mëdha dhe të larta, deri në disa metra të gjatë, stalaktite, perde e draperi të gjata, stalagmite të grumbulluara, penda të vogla nga shkëmbinjtë, liqeje me kristale dhe margaritar nga kalciti.