Shqiptari dinak, Enver Hoxha
Shqiptari dinak, Enver Hoxha Gjinia: Histori. Autori: Jon Halliday. Shqipëroi: Besian Petriti. Shtëpia botuese: Bota Shqiptare. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 340. ISBN 978-9928-00-010-1
Mbi librin
"Shqipëria komuniste dhe udhëheqësi i saj i ndjerë, Enver Hoxha, zor se kanë pasur informacion e kontakte të shumta me botën e jashtme". John Holliday kërkonte të zbulonte pikërisht misterin që vishte gjithë kështjellën e komunizmit, e kësaj fortese që kurrë nuk kishte pranuar hapjen me Perëndimin. Pikërisht ethet e burgut më të errët të Ballkanit mund të shpjegoheshin vetëm duke udhëtuar përmes një emri i cili ishte Enver Hoxha. Kështu, misioni i Holliday - it për të bërë një portret të një prej njerëzve më enigmatikë të Balkanit nuk ishte e lehtë.
Ai tregon se takimi i fundit i Enver Hoxhës me shtypin perëndimor ishte gusht të vitit 1946, në Konferencën e Paqes në Paris. Për më se një çerekshekulli ai shkeli jashtë Shqipërisë, mbas shkuarjes në Moskë për Konferencën e pafat të Partive Komuniste në nëntor të vitit 1960. Në atë konferencë, Enver Hoxha do të prishej me rusët dhe u duk se hyri në aleancë të ngushtë me Kinën.
Ai u largua nga Moska nxitimthi bashkë me kolegun e tij të ngushtë në atë kohë, Mehmet Shehun, i denoncuar që në atë kohë si agjent i shumëfishtë i të huajve. Por kur nisi Enver Hoxha të shkruante kujtime dhe përse duhet ta bënte ai këtë gjë? Për Holliday ka qenë fundi i viteve ‘70, koha kur Enver Hoxha filloi të nxirrte një seri kujtimesh që përfshinin gjithë periudhën nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore e që vazhdonin me aleancat e tij të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Rusinë, Kinën dhe deri te vdekja e Shehut në dhjetor 1981.
"Një bollëk i tillë kujtimesh, dyshimesh, sharjesh e mburrjesh nuk është botuar ndonjëherë nga kryetari i ndonjë regjimi komunist. Këto kujtime përbëjnë një tërësi dokumentesh absolutisht unike. Duke trajtuar kryesisht problemet e jashtme ato evokojnë gjallërisht presionet që i bënë Shqipërisë nga viti 1941 e mbrapa një radhë vendesh të huaja, përveç fuqive të Boshtit, duke filluar nga Jugosllavia, pastaj Anglia, SHBA dhe aleatët e tyre gjatë luftës, pastaj nga Jugosllavia,anglezët, amerikanët, grekët, italianët dhe Vatikani pas luftës", shkruan Halliday. Por sa janë të besueshme dokumentet e lëna pas nga Hoxha, sa i vërtetë është ai në përshkrimin e momenteve të rëndësishme të historisë së vendit të tij, apo të marrëdhënieve me njerëz të këtij sistemi?
"Në disa raste veçanërisht për ngjarjet e atëhershme, bie në sy që ai mbështetet më shumë se ç' duhet te kujtesa që e tradhton. Veç kësaj, ai gjithmonë do të tregojë se ka pasur të drejtë. Ndërsa për gjithçka që ka të bëjë me Stalinin dhe paraardhësit e tij ai e ndan botën në bardhezi: Stalini është i mirë, Hrushovi ishte i keq", thotë Holliday.
Por nga ana tjetër, Hoxha është një vëzhgues mjaft i mprehtë. Është mjaft inteligjent. Po kështu, ai i shikon gjërat me dyshim, por kjo frymë dyshimi është shpesh një plus, përderisa kishte kaq e kaq gjëra që nuk i duhej zënë besë. Pikëpamja e tij e përgjithshme se fuqitë e mëdha e shikonin Shqipërinë si pre është shumë e vërtetë. Holliday shkruan se "Jugosllavia donte mirëfilli ta aneksonte Shqipërinë nga mesi i viteve ‘40. Anglia dhe SHBA u përpoqën mirëfilli ta pushtonin Shqipërinë dhe ta përmbysnin regjimin e Hoxhës gjatë viteve 1949 - 1953. Ka shumë të ngjarë që Hrushovi do të jetë përpjekur mirëfilli t'i vinte bërrylin Hoxhës, gjatë viteve 1960 - 1961, edhe nga mesi i viteve ‘50".
Por Holliday nuk nguron të japë në librin e tij edhe detaje të diktatorit si njeri. "Hoxha, megjithëse mburret sikur gjithmonë ka të drejtë, ka gjithashtu njëfarë aftësie për të mbajtur qëndrim kritik ndaj vetes. Ndonjëherë, ai kujton raste ndodhish që nuk e nderojnë (psh, humbet gjakftohtësinë, sillet vrazhdë me gratë)", shkruan Holliday.
"Enver Hoxha qëndroi në krye të lëvizjes komuniste të vendit të tij për gati gjysmëshekulli dhe, në kohën kur vdiq, ishte njeriu që kishte qëndruar në krye të një regjimi më gjatë se kushdo tjetër në botë, me përjashtim të një monarku trashëgimtar, perandorit japonez", shkruan Holliday. Por rruga e Enver Hoxhës, sipas tij, drejt marrjes së pushtetit, si dhe gjatë pasjes së pushtetit u mbush me kufomat e armiqve të tij të vjetër dhe miqve të tij të rinj. Asnjë regjim komunist nuk ka përjetuar të tilla spastrime të vazhdueshme e vrasje si regjimi shqiptar. Por, po ashtu asnjë parti komuniste nuk ka arritur ndonjëherë suksesin aq shpejt sa PKSH e udhëhequr nga Hoxha.
Holliday bën një përshkrim të hollësishëm të regjimit të Hoxhës për të parë vendin që do të zërë ai në historinë e Shqipërisë. Përvoja e gjerë e Hoxhës në krye të një shteti komunist, relativisht të dobët e të varfër brenda bllokut i jep atij një pikë të shkëlqyer avantazhi nga e cila të përshkruajë jetën kampit komunist, si funksiononin në të vërtetë lidhjet brenda KNER - it e Traktatit të Varshavës dhe si udhëheqësit komunistë e trajtojnë në të vërtetë njëri - tjetrin. Është një pamje e zbehtë dhe e zymtë, e cila pavarësisht nga elozhet e zakonshme që ai u bën stalinistëve, tingëllon e vërtetë.
Udhëheqësit e tjerë ishin në tërësi mjaft të mërzitshëm. Rusët duket sikur laheshin në një det pijesh alkoolike. Ishin më harbutë. As kinezët nuk ishin më të mirë. Rrëfimet e Hoxhës se si për më se dhjetë vjet, që dikujt i dukeshin si aleancë e ngushtë, ishte përpjekur të merrte vesh ç'ka ishin, ç'ka bëjnë ata që u përngjajnë fantazmave. Ata refuzojnë tu përgjigjen letrave. Zyrtarët kinezë i flasin me slogane apo lëshojnë siç thotë ai "profka". Ata ishin "dinakë" sipas Hoxhës.
Këto janë vetëm disa nga përshkrimet që Halliday mundohet t'i bëjë mendjes së një prej burrave më të përfolur gjatë këtij shekulli në Ballkan. Një burri që diti të mbante nën kthetra një regjim komunist dhe t'i thoshte "jo" pjesës tjetër të botës, duke jetuar brenda çmendurisë së tij. Të gjitha këto detaje nga jeta e diktatorit vijnë në librin e studiuesit Holliday.