Shtëpia pa libra, si trupi pa shpirt
Shtëpia pa libra, si trupi pa shpirt Autori: Bardhyl Xhama. Botuar në Tiranë : Toena, 2012. Faqet e librit 92.
Shkrimtari Bardhyl Xhama ka përmbledhur 32 rrëfenja, nga mbi 200 rrëfenjat e botuara deri tani në katër libra. Ky botim ka një tematikë të caktuar. Në të përfshihen rrëfenja që trajtojnë tema të diturisë, të shkollës e të librit, të para këto si dukuri shoqërore, jetësore, kulturore dhe të lidhura ngushtë me fëmijët, prindërit, mësuesit e shkollën. Në këtë vështrim, libri u drejtohet kryesisht fëmijëve, por natyrisht edhe prindërve e mësuesve. Bardhyl Xhama, Mësues i merituar, e njeh mirë jetën dhe botën psikologjike të fëmijëve. Disa nga rrëfenjat e vëllimit trajtojnë probleme që lidhen me vlerën e librit, të leximit të tij, të njohurive që merren nga librat, të krijimit të bibliotekave personale etj. Ky vëllim me përmbledhje rrëfenjash, me një tematikë të caktuar, ka vlera të veçanta për të organizuar biseda e veprimtari edukative me nxënësit për dobinë e pazëvendësueshme të leximit të librit për të fituar njohuri dhe dije, për dobinë e shkollimit e të mësuarit për gjithë jetën. Ia shton vlerën vëllimit edhe aparati pedagogjik në ndihmë të nxënësve, mësuesve e prindërve, hartuar nga vetë autori, njohës i mirë i psikologjisë së fëmijëve, si dhe ilustrimi i rrëfenjave.