Jump to content

Shtrirja e popullsisë dhe vendbanimeve në hapësirën e Drenicës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Duke marrë parasysh Drenicën si hapësirë, karakteristikat e saj gjeografike, shoqërore, nivelin e zhvillimit, patjetër edhe ndodhitë e bujshme historike që e kanë karakterizuar si regjion,kanë bërë që Drenica si regjion të ketë një rol të rëndësishëm në histori.

Në këtë hapësirë kanë ekzistuar dhe akoma vazhdojnë të ekzistojnë ndryshueshmëri të popullsisë si për nga niveli shoqërorë ashtu edhe nga mënyra e jetesës.

Sa i përket vendbanimeve të cilat kanë një shtrirje të veçantë, rëndësia e pozitës së tyre karshi shtrirjes ndryshoi me të madhe me investimet e bëra përgjatë viteve në infrastrukturën e kësaj hapësire.

Zhvillimi i kënaqshëm si regjion Drenicës i ka kushtuar shumë kohë edhe pse akoma nuk plotëson disa nga kërkesat elementare, ndryshimet pozitive vërehen.

Drenica dhe karakteristikat fiziko-gjeografike të saj

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pozita Gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sa i përket pozitës gjeografike të vendbanimeve të Drenicës, ato paraqesin një tërësi të veçantë natyrore dhe etnogjeografike. Drenica ka pozitë qendrore në Kosovë. Ajo ka një shtrirje meridionale nga malet e Radishevës, në veri, deri në malet e Carallevës në jug.

Në pjesën lindore Drenica ka një kufi të qartë. Nga rrafshi i Kosovës, Drenicën e ndajnë Qyqavica (1091 m) dhe Goleshi (1019 m). Në jug, po ashtu kufijtë janë të qartë dhe kanë karakter malor, malet e Carralevës, kurse në jugperëndim shtrihen malet e Berishës dhe Kosmaqit.

Në pjesën perëndimore Drenica nuk ka kufirin e qartë natyrorë. Në këtë pjesë, deri në fshatin Padalishtë, lumi Kujavq i thonë Gujavç (të dy emrat me prejardhje nga gjuha shqipe). Duhet cekur se ky lum fillimisht kalon nëpër fshatin Syriganë (ish Suhogërllë) që e ndanë në dysh, dhe ana lindore e fshatit që i takon komunës së Skenderajt e konsideron veten pjesë të Drenicës, ndërsa ana perëndimore e fshatit i takon komunës së Istogut. Në mbarim të fshatit Padalishtë (tash Pemishtë), aty ku lumi Gujavç bën një lakim të shkurtër në jugperëndim, deri ku ishte si kufi natyrorë në mes Drenicës dhe Podgurit, tash kufiri vazhdon kah jugu, viseve kodrinore duke përfshirë fshatrat e skajshme të Drenicës në anën perëndimore si: Leçinë, Izbicë, Ozdrim, Brojë, Kopiliq i Poshtëm, Açarevë, Murgë, Tërdefc, Negrocë deri në grykën e Llapushnikut dhe në malet e Berishës, ndërsa në jug fshatrat: Pjetërshticë, Dugë dhe Luzhnicë konsiderohen si fshatra të fundit që i takojnë Drenicës. Si regjion pra edhe Drenica ka kufijtë e saj natyrorë, dhe kufizohet në lindje me Rrafshin e Kosovës, në jug me Caralevën, në jugperëndim me Podrimjen e me Llapushën (Prekorupën), në perëndim me Rrafshin e Dukagjinit, në veriperëndim me Podrugirn dhe në veri me Koloshinin e Ibrit.

Në veri, nga viset malore prej ku fillon Drenica, e deri në malet e Carralevës në jug, ajo shtrihet në 61 km2 gjatësi, kurse prej lokalitetit Ozdrim deri në Qyqavicë mbi Gradicë në lindje shtrihet në 29 km2 gjerësi.

Ndërtimi gjeologjik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në bazë të analizës së Kosovës si dhe të dhënave nga studimet e mëhershme nga autor të ndryshëm sa i përket hartës gjeologjike, mund të themi se ky rajon karakterizohet me një ndërtim të ndërlikuar gjeologjik. Në hapësirën e Drenicës ka shumë formacione si ato të paleozoikut, triasikut, diabaz stallor e serpentintet të jurasikut, flishoret dhe gëlqerorët e kretakut, sedimentet pliocenike e të neogjenit, formacionet e kuaternarit si dhe formacionet ultrabazike dhe bazike.

Formacionet e paleozoikut shtrihen në pjesën jugperëndimore, gjegjësisht në Malin Drenica dhe Carralevë dhe përfaqëson nga rreshpet kristalore të palezoikut, ndërsa në pjesët e tjera të regjionit përfaqësohen nga mermeri, graniti, gabro etj. Formacionet e triasikut shtrihen në veri të malit Golesh dhe përfaqësohen nga shiste argjilore, ranorë të metamorfozuar, ranorë kuarcorë dhe konglomerat. Në pjesën lindore, kryesisht në malin e Qyqavicës, përfaqësohen nga argjila, filitet, kuarciti. Në çikatovë dhe Vasilevë përfaqësohen nga gëlerorë të metamorifuzar, gëlerorë brekqorë, gëlerorë bituminoz. Formacionet e jurasikut kanë një shtrirje në formë brezi në drejtim veri-jug dhe gjenden kryesisht në malin e Drenica. Formacionet e kretakut në regjionin e Drenicës përfshijnë kretakun e sipërm turonian që përfaqësohet nga masivi i gëlerorëve ranorë dhe gëlerorëve rudistë dhe shtrihen kryesisht në pjesën veriore të Çikatovës, Verbocit etj. Këta gëlqerorë kanë ngjyrë të murrme të shndritur të verdhë, të murrme me kristalizim të lartë.

Po ashtu, kemi edhe kretakun e sipërm senonian që shtrihet në pjesën jugore të regjionit të Drenicës, në pjesën veriperëndimore dhe atë verilindore dhe kretakun senonian, kryesisht karbonik, që shtrihet nga pjesa jugore drejt perëndimit dhe përfshinë malet e Berishës, Drenicës dhe Kosmaçit. Përfaqësohet nga gëlqerorë shtresorë me ngjyrë hiri, Në hapësirën e Drenicës këto formacione shtrihen në malin Carralevë, Qyqavicë, Prelloc, Rrezallë.

Sa u përket sedimenteve dallojmë sedimentet pliocenike të neogjenit që shtrihen në luginën e lumit Drenica dhe luginën e lumi Klina, sedimentet e kuaternarit që shtrihen kryesisht në luginën e lumit Drenica dhe lumit Verboc, sedimentet ultra bazikë paraqiten në malin Golesh, malin Drenica (pas luftës në disa shënime quhen malet e Berishës ), Carraleva, Kosmaç, Gllanasellë, Gradicë, Baks, Prelloc etj.Formacionet bazikë janë më të rrallë dhe paraqiten në pjesën jugore dhe lindore të Drenicës.

Veçoritë klimatike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Klima përcaktohet nga një mori faktorësh, ku ndër më të rëndësishmit janë: gjerësia dhe gjatësia gjeografike, lartësia mbidetare, shpërndarja e masave tokësore dhe atyre ujore, bimësia dhe veprimtaria e njeriut. Për të njohur klimën dhe veçoritë e saja të një vendi të caktuar si dhe për të analizuar atë nevojitet një periudhë kohore e caktuar.

Sa i përket klimës e cila mbizotëron në hapësirën e Drenicës nuk ka matje të detajuara, në oborrin e komunës së Drenasit gjendet një stacion mobil meteorologjik mirëpo nuk ka të dhëna për një periudhë të madhe kohore me të cilat mund të përcaktohet klima e këtij regjioni, në anën tjetër matjet klimatike komuna e Skenderajt i merr nga stacioni meterologjik i Mitrovicës, por në vazhdim do të cek disa nga tiparet klimatike të Drenicës.

Drenica ndikohet nga klima kontinentale. Dimrat janë të ftohtë kurse verërat e nxehta. Në Drenicë mesatarisht bien 600–700 mm reshje atmosferike, reshje këto dukshëm më të vogla krahasuar me mesataren e Kosovës (891 mm).

Drenica edhe pse me territor të vogël megjithatë pjesa veriore ka klimë më të butë dhe reshje më të mëdha se sa pjesa jugore, përmes luginës së lumit Klina depërtojnë erëra nga rrafshi i Dukagjinit, ndërsa pjesa jugore është më e mbyllur sa i përket depërtimit të erërave të ndryshme me ndikim në klimë nga rrafshi i Dukagjinit sidomos pjesa perëndimore.

Veçoritë hidrografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për sa i përket hidrografisë, Drenica ka një rrjet relativisht të dendur të rrjedhave ujore, të cilat kryesisht kanë veçoritë e përroskave, përrenjve dhe lumenjve të vegjël. Pjesa dërrmuese shkarkojnë ujërat në drejtime të ndryshme. Lumi Klina me degët e saja në drejtim të Drinit të Bardhë, lumi Drenica në drejtim të Sitnicës dhe Lushta në drejtim të Ibrit në veri.

Kahet e ndryshme të rrjedhave ujore krijojnë kushte të favorshme natyrore për ndërlidhje më të lehta komunikatave të Drenicës me pjesët e tjera të Kosovës. Për ndryshe lumenjtë e Drenicës janë të varfër me ujë dhe nuk posedojnë potencial të mjaftueshëm hidrologjik për të zgjidhur problemet hidro-ekonomike të kësaj hapësire.

Lumi Drenica sipas gjatësisë së rrjedhës ujore, sipërfaqes ujëmbledhëse dhe prurjeve ujore, paraqet rrjedhën ujore më të rëndësishme të kësaj hapësire në anën jugore të Drenicës, ndërsa në anën veriperëndimore Klina është lumi kryesorë ujëmbledhës që derdhet në Drinin e Bardhë.

Në Drenicë gjendet një numër i madh i burimeve ujore, kryesisht me ujë dhënie të vogël për sekondë. Furnizimi i popullsisë më ujë të pijshëm është në nivel të ulët dhe pjesa dërrmuese e popullsisë furnizohet me ujë të pijshëm nga puset (bunarët) dhe burimet lokale.

Mungesa e ujit në Drenicë ka karakterizuar orientimin e saj në zgjedhjen e problemeve më ujë të pijshëm nga hidrosistemi “Ibër-Lepenc” në këtë hapësirë, tash për tash, deri diku këtë problem e ka zgjidhur komuna e Skenderajt, duke u lidhur me ujësjellësin e Mitrovicës (17 km) dhe Ferronikeli në Drenas më ujë teknologjik. Po nga sistem ishte paraparë të ujiten 5620 ha tokë e punueshme dhe të furnizohet me ujë Drenasi, si qendër komunale dhe disa vendbanime përreth.

Resurset natyrore të hapësirës së Drenicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mineralet energjetike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qymyri(Linjiti) është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për tu shfrytëzuar 3 .Baseni qymyrmbajtës i Drenicës shtrihet ndërmjet basenit të Kosovës në lindje dhe basenit të Dukagjinit në perëndim me sipërfaqe totale prej 3.97 km2 (Fusha Skenderajt). Basenin e karakterizojnë dy fusha: Fusha e Skenderajt në veri dhe fusha e Gllabarit-Drenasit në jug. Lidhjet e komunikacionit të vendburimit me qendrat tjera janë të mira. Vendburimi i qymyrit me fushat Skenderaj dhe Drenas nëpërmjet rrugës së asfaltuar Skenderaj– Drenas lidhet me rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë dhe Mitrovicë–Podgoricë, ndërsa Drenasi ka lidhje hekurudhore Prishtinë–Pejë.

Në aspektin hidrografik të gjitha ujërat e pjesës veriore të basenit të Drenicës rrjedhin në lumin Klina i cili derdhet në lumin Drini i Bardhë. Vendburimi në basenin e Drenicës (Fusha Skenderaj). Në bazë të rezultateve të hulumtimeve gjeologjike është bërë përcaktimi i kufirit të vendburimit dhe llogaritja e rezervave të qymyrit në vendburim. Trashësia e djerrinës/mbulesës është 35 m, trashësia mesatare e shtresës së qymyrit është rreth 23 m.

Në bazë të llogaritjeve që janë bërë, rezervat gjeologjike në basenin e Drenicës (Fusha e Skenderajt) janë dhënë në tabelën nr1. Për të njëjtën fushë, masat e djerrinës/mbulesës janë rreth 69,503,000 m3, ku raporti djerrin/qymyr për rezervat gjeologjike është 0,76 m3/m3, ndërsa për rezervat bilance është 1,08 m3/m3.


Rezervat gjeologjike të qymyrit për basenin e Drenicës (Fusha Skenderaj)

Rezerva Sasia (tona)
Rezerva bilance 73,188,000
Rezerva bilance 33,443,000
Minerale metalore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Regjioni i Drenicës është i pasur me një mori xehesh të cilat kanë filluar të eksploatohen nga kohët e hershme, dhe vazhdojnë edhe sot.

Në kuadër të mineraleve kryesore të cilat hasen në basenin e Drenicës janë: Nikeli (Ni), Kobalti (Co), Hekuri, Kromi, Magneziti etj.

Nikeli (Ni) dhe Koblati (Co)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kërkimet e xeherorëve silikat të nikelit në territorin e Kosovës datojnë që nga viti 1958, ku janë përcaktuar shfaqjet e para mineralizuese të nikelit në territorin e Gllavicës, afër minierës së magnezitit në Magurë. Në kuadër të Ferronikelit funksionojnë dy miniera me shfrytëzim sipërfaqësor: Gllavica dhe Çikatova (Dushkaja, Suka). Miniera e nikelit silikat “Gllavica” gjendet në Jugperëndim të Prishtinës në distancë

prej rreth 20 km2. Vendburimi i nikelit Gllavica shtrihet në masivin peridotit të Goleshit në bregun lindor të kodrës Gllavicë. Ai ka drejtim të shtrirjes përafërsisht veri-jug në gjatësi prej 1050 m. Vendburimi shtrihet në formë të mbulesës dhe ka një sipërfaqe prej rreth 32 ha. Vendburimi i nikelit “Gllavica”, i takon grupit të vendburimeve silikate të korës së tjetërsimit. Formimi i vendburimit është i lidhur me formimin e kores së tjetërsimit të serpentiniteve.

Pas hulumtimeve gjeologjike intensive gjatë vitit 1967, është zbuluar vendburimi i ri Çikatova afër Drenasit.Miniera e nikelit silikat “Çikatova e Vjetër” gjendet në regjionin e masivit peridotit të Dritanit (Dobroshevcit) komuna e Drenasit. Nga Prishtina, në drejtim të perëndimit, gjendet në largësi prej 20 km2, kurse nga vendburimi i Gllavicës është larg 12 km2.

Në vendburimin e nikelit “Çikatovë e Vjetër“ ekzistojnë dy vendburime (trupa mineral): “Dushkaja“ dhe “Suka“. Rezervat gjeologjike në dy minierat janë vlerësuar të jenë rreth 13 Mt me përbërje mesatare të nikelit 1.31% dhe të kobaltit 0.06%

Shfrytëzimi i xehes së nikelit ka filluar në vitin 1982, ndërsa shkritorja ka filluar punën nga viti 1984. Mes viteve 1982 - 1999, janë shfrytëzuar 7092090 tonë xehe me 1.21 % Ni, ndërsa mes viteve 1984-1997 janë prodhuar gjithsej 36728 tonë nikel metal. Puna në minierat sipërfaqësore u ndërpre në vitin 1999 për shkak të luftës. Pas privatizimit nga kompania NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.- (prill 2006),shfrytëzimi ka rifilluar në të dy minierat, gjatë vitit 2007.

Popullsia në hapësirën e Drenicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Treva e Drenicës që shtrihet në zemër të Dardanisë, përherë ishte e banuar me popullatë iliro-dardane, paraardhës të shqiptarëve. Ky komunitet i pranisë së popullsisë shqiptare në këto anë ka vazhduar gjatë tërë historisë, nga kohët më të hershme, nga antika ,mesjeta e deri në ditët e sotme. Megjithatë, deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XV mungojnë të dhënat për numrin e banorëve. Pas pushtimit të këtyre viseve nga ana e Perandorisë Osmane, për herë të parë u bë më 1455 regjistrimi i popullsisë ,mandej më 1477, 1478, pastaj i Sanxhakut të Shkodrës , i Kazasë së Novobërdës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe më vonë sallamet e Vilajetit të Kosovës, për shek. XIX dhe fillimin e shek. XX japin të dhëna edhe për popullsinë e vilajeteve, sanxhaqeve, kazave dhe nahive. Por duhet theksuar se burimet Osmane përkitazi me numrin e banorëve në viset shqiptare, pra edhe këtu për Drenicë e Kosovë, nuk bëjnë fjalë përkatësinë kombëtare të popullsisë. Bëhej regjistrimi i shtëpive dhe i njerëzve. Regjistrimet bëheshin për qëllime të mbledhjes së tatimeve dhe të regrutimit, edhe për këtë shqiptarët fshinin numrin e saktë të anëtarëve të familjes dhe shtëpive. Pushteti osman regjistrimin e bënte sipas përkatësisë fetare, e jo sipas përkatësisë kombëtare, duke mos përfillur kështu as gjuhën dhe as kombësinë. Ashtu që mungesa e regjistrimeve jo të plota dhe statistikat e hartuara vetëm në bazë të përkatësisë fetare, më vonë shkonte në favor të politikës dhe qarqeve sunduese ballkanike, në radhë të parë të Serbisë.

Para opinionit evropian paraqiteshin shënime për kinse numrin e vogël të shqiptarëve dhe numrin gjoja të madh të serbëve në këto vise shqiptare. Nëpërmjet kësaj ata përpiqeshin t’i arsyetonin aspiratat pushtuese të tyre ndaj trojeve shqiptare, që aktualisht akoma ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Historianët serb, thirreshin edhe thirren në të dhënat jo të sakta të shek. XIV, ku dihet që sipas kanunit të car Dushanit që ishte shumë i ashpër ndaj banorëve të fesë katolike, duke i konsideruar e dënuar si heretik, dhe në kanun parashihej kthimi i katolikëve në ortodoks dhe i shndërrimit të kishave katolike në kisha ortodokse- sllave. Priftërinjtë e besimit katolik dënoheshin nëse mbanin, predikonin ose përhapnin fenë. Me ligjet e këtilla drakonike kisha ortodokse ndikonte që pjesa më e madhe e popullsisë vendase t’i pranonte emrat e fetarë ortodoks e sllav, ose të pranonin parashtesat sllave në emrat shqiptar.

Këtë e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë në paraqitjen e numrit të banorëve sipas qëllimeve të caktuara të vendeve të tyre, në falsifikimin e shënimeve statistikore. Megjithatë, këtu në Drenicë ekzistojnë prova tjera relevante, në bazë të të cilave mund të konkludohet se popullsia shqiptare përbënte shumicën absolute të popullsisë.

Në Drenicë para vitit 1912, serb kishte vetëm në këto fshatra : Bajë, Suhogërllë (tash Suriganë), Runik, Radishevë, Kotorr, Kastërcë (tash Kastriot), Leçinë, dhe Vojnik. Baja ishte fshati më i madh për kah numri i banorëve, mandej vinin fshatrat Runik e Suhogërllë e në fshatrat e tjera numri i familjeve serbe ishte shumë i vogël. Banorët më të vjetër e konsiderojnë veten ata të fshatit Bajë. Për ta ka të dhëna se kah fundi i shek. XVII, aty erdhën 3 familje nga Kolloshini i Ibrit dhe një familje nga Plava, erdhën aty si çipçi të zonave të Pejës dhe u vendosën në pronat e shqiptarëve të cilët e lëshuan fshatin për shkak të një sëmundje dhe u vendosën ne vendin që sot thirret Çitak. Me siguri, banorët e fshatrave tjera të kombësisë serbe duhet të jenë edhe më vonë të vendosur nëpër ato fshatra. Nuk u përmenden familjet tjera koloniste të vendosura këtu nëpër Drenicë pas luftës së parë Botërore ( numri i atyre familjeve koloniste është dhënë kur është bërë fjalë për secilin fshat të Drenicës veç e veç ). Edhe në pronat e Manastirit të deviçit ishin të vendosura 2-3 familje serbe të cilat kujdeseshin për pronat e kishës.

Kah fundi i vitit 1912, me largimin e ushtrisë së Perandorisë Osmane, Drenica u pushtua nga ana e ushtrisë serbe, e cila në vitin tjetër (1913) bëri regjistrimin e popullsisë. Dhe sipas shënimeve statistikore rrethi i Drenicës që ishte në suazë së Qarkut të Zveçanit, kishte 7 komuna 72 fshatra dhe 23.821 banorë disa vendbanime të Drenicës administrativisht ishin të përfshira në rrethin e Graçanicës i cili i takonte qarkut të Kosovës. Mungojnë të dhëna për numrin e banorëve gjatë Luftës së Parë Botërore. Por me përfundimin e luftës, ushtria serbe me ndihmën edhe të asaj franceze hyri edhe në Kosovë (kah fundi i vitit 1918) dhe filloi ndarjen territoriale në qarqe, rrethe dhe organizimin e pushtetit civil (me disa ndryshime, ngeli sipas ndarjes së vitit 1913).

Sipas regjistrimit me 31 janar 1921, në rrethin e Drenicës ishin 19.450 banorë, prej tyre 17.808 shqiptar, 1572 serbë-kroatë, 19 sllavë, 8 turq, 1 gjerman, 1 hungarez dhe 41 të tjerë. Këtu nuk janë llogaritur banorët e fshatrave që ju takojnë rretheve tjera. Sipas këtij regjistrimi del se në këtë rreth 91.55% e popullsisë së përgjithshme ishin shqiptarë. Ndërsa në komunat e këtij rrethi përbërja e popullsisë shqiptare sillej kështu :

1. Në komunën e Bajës, prej gjithsej 2307 banorëve 1228 ishin shqiptarë ose 53.22 % (1051 ishin serbë ).

2. Në komunën e Krasmirofcit, prej gjithsej 2960 banorëve, 2933 ishin shqiptarë ose 99.08 % (serbë nuk kishte fare).

3. Në komunën e Llaushes prej gjithsej 3461 banorë, 3198 ishin shqiptarë ose 92.40 %, (në këtë komunë ishin gjihsej vetëm 251 serbë).

4. Në komunën e Kopiliqit prej gjithsej 2602 banorë, 2351 ishin shqiptarë ose 90.35 %, (ndërsa numri i serbëve ishte 251).

5. Në komunën e Abrisë, prej gjithsej 3685 banorëve, 3678 ishin shqiptarë ose 99.81 % (në këtë komunë numri i serbëve ishte vetëm 7 banorë).

6. Në komunën e Polacit prej gjithsej 2292 banorëve të gjithë ishin shqiptarë.

7.Në komunën e Prekazit, prej gjithsej 2143 banorëve 2128 ishin shqiptarë ose 99.30 %, (serbe ishin 14 ).

Në periudhën 1921-1941 popullsia e Drenicës ndryshoi për kah përbërja nacionale pasi u sollën 563 familje koloniste. Që nga viti 1921 e deri më 31 dhjetor 1932, në Drenicë u vendosën 426 familje kolonistësh. Të cilët u vendosën nëpër territoret e 7 komunave diku më shumë e diku më pak.

Nga të ardhurit u formuan vendbanimet e reja si : Fshati Serbicë (ashtu është i shënuar në dokumente) me 53 familje, lokacion i ri në mes të Llaushës dhe Klinës së Poshtme. Në jug të Serbicës Novosella me 12 familje, në komunën e Polacit, Kralica me 45 familje, Tomisllavi me 15 familje si vendbanim i ri në mes të Klinës së Epërme dhe Ternavcit dhe Novokosjera me 18 familje në pronat e Ҫitakve, në mes fshatit Ҫitak dhe Runik.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 në territorin e rrethit të Drenicës ishin gjithsej 35.144 banorë.

Në vitin 1953 rrethi i Drenicës kishte 4986 familje me 37.923 banorë, përafërsisht përqindja gati e njëjtë me regjistrimin e mëhershëm.

Në vitin 1961 Komuna e Skenderajt kishte 30.479 banorë ndërsa Komuna e Drenasit kishte 22.044 banorë.

Në territorin e Komunës së Skenderajt sipas regjistrimit të vitit 1971 kishte 36.660 banorë.

Në territorin e Komunës së Drenasit sipas regjistrimit të vitit 1971 numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 29.329 banorë.

Sipas regjistrimit të vitit 1081 në Komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit, që përfshinë pjesën më të madhe të territorit të Drenicës ishin 87.541 banorë . Në këtë numër nuk janë përfshirë banorët e fshatrave të Drenicës që u takojnë komunave tjera si Lipjanit, Malishevës, Vushtrrisë, Shtimes dhe Suharekës.

Regjistrimin e popullsisë ,popullata shqiptare e kishte bojkotuar, megjithatë, sipas disa shënimeve statistikore del se në vitin 1991 në territorin e Komunës së Skenderajt ishin 58.399 banorë ndërsa në Komunën e Drenasit ishin 53.802 banorë.

Regjistrimi i fundit (2011) -Sipas entit statistikorë të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, në Komunën e Skenderajt ishin gjithsejtë 51.255 banorë, kurse në Komunën e Drenasit numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 58.531 banorë. Gjithsej numri i përgjithshëm i popullsisë në këto dy komuna pa përfshirë numrin e banorëve të fshatrave që u përkasin komunave tjera është 109.786 banorë, ndërsa numri i popullsisë që u takon komunave tjera është 6646 banorë .

Vendbanimet e Drenicës sipas popullsisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuna e Drenasit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendbanimet e komunës së Drenasit sipas popullsisë

Numri i popullsisë 0-500 500-1000 > 1000 Gjithsejtë
Vendbanimet 2 10 24 36

Komuna e Skenderajit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendbanimet e komunës së Skenderajit sipas popullsisë

Numri i popullsisë 0-500 500-1000 > 1000 Gjithsejtë
Vendbanimet 15 20 17 52

Komuna e Lipjanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendbanimet e komunës së Lipjanit sipas popullsisë

Numri i popullsisë 0-500 500-1000 > 1000 Gjithsejtë
Vendbanimet 1 2 4 7

Vendbanimet e komunës së Shtimes sipas popullsisë

Numri i popullsisë 0-500 500-1000 > 1000 Gjithsejtë
Vendbanimet 0 1 1 2

Vendbanimet në hapësirën e Drenicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Drenica si regjion i Kosovës ka disa tipare të veçanta etnokulturore. Në pikëpamje të konfiguracionit dhe në pikëpamje të sipërfaqes, Drenica përbën një tërësi ovale, që fillon në jug me fshatin Pjetreshticë dhe mbaron në veri me fshatrat Radishevë e Padalishtë. Pjesa dërrmuese shtrihet në luginë jo aq të pëlleshme, rreze maleve te Blinajës dhe Goleshit në jug, malet e Qyqavicës dhe të Kosmaqit në pjesën qendrore deri te malet e Brusit e të Suriganës në veri.

Drenica ka 103 fshatra, që shtrihen në dy komuna kompakte etnike, Në Drenas dhe Skenderaj. Disa fshatra të tërësisë kompakte të Drenicës administrativisht u takojnë komunave: Shtime, Lipjan, Vushtrri, Mitrovicë, Burim, Malishevë dhe Therandë.

Rreth 40% e vendbanimeve të Drenicës administrohen nga komunat jashtë saj, siç janë:

Luzhnicë, Javor, Dukë, Karaçicë, Shalë (ish-Sedllar), Risinovc, Mirenë, Galicë, Mikushnicë, Dubovc, si dhe disa fshatra të Mitrovicës, Burimit dhe të Klinës.

Sa i përket pozitës gjeografike të vendbanimeve të Drenicës, ato paraqesin një tërësi të veçantë natyrore dhe gjeografike. Drenica ka pozitë qendrore etnografike në Kosovë. Ajo ka një shtrirje meridionale nga malet e Radishevës në veri deri tek malet e Caralevës në jug.

Komuna e Skenderajt zë vend qendror në Drenicë, shtrihet në një sipërfaqe 378 km2. Në veri kufizohet me Komunën e Mitrovicës, në lindje me Vushtrrinë, në jugperëndim me Drenasin dhe Klinën, ndërsa në perëndim me Burimin (Istogun).

Territori i komunës së Skenderajt ka konfiguracion kodrinor-malorë me një lartësi mbidetare mesatare prej 500–700 m, kurse pika më e lartë është ajo e Qyqavicës me lartësi 1117 m.

Relievi- Ka reliev të butë, përshkohet me lugina lumenjsh të vegjël, kryesisht dominon klimë e mesme kontinentale që karakterizohet me dimra të ashpër, vera të thata me temperatura të larta e reshje të pakta, ndërsa ka një florë dhe faunë të pasur.

Popullsia – Në komunën e Skenderajt banojnë mbi 72.000 banorë ku 99% janë shqiptarë. Në strukturën e popullsisë kryesisht dominon mosha e re dhe atë: 47% deri në moshën 20 vjeçare, 48% nga 20-60 vjeç, ndërsa vetëm 5% më të moshuar se 60 vjeç.

Pozicioni gjeografikë- Komuna e Skenderajt ka pozicion gjeografik qendror në Kosovë, 50 km në veriperëndim të kryeqytetit të Kosovës ,Prishtinës.

Klima- Në komunën e Skenderajt si makro klime mbizotëron klima kontinentale me verëra të nxehta dhe dimra të ashpër e të ftohët. Meqenëse ka një terren kodrinor- malor me siguri ka edhe mikroklima të caktuara në pjesë të caktuara të territorit të saj, por në mungesë të një stacioni meteorologjik nuk ka të dhëna të sakta. Të dhënat për kushte klimatike të komunës merren nga stacioni meteorologjik i Mitrovicës.

Vendbanimet e Komunës së Skenderajit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendbanimet e komunës së Skenderajt janë:

Arbneshi (Luboveci), Kotorri, Abria e Poshtme, Kruebardhi (Krasaliqi), Aqareva, Kuqishti (Kuçica), Baja, Luqina, Baksi, Likoci, Bunjaku (Krasmirofci), Lekaj (Rakinica), Buroja, Llausha, Qirezi, Makermali, Qitaku, Marina, Qubreli, Mikusha, Dardani (Krusheci), Murga, Dashesi, Pemishta (Padalishta), Trimori (Tërrnafci), Prekazi i Epërm, Ermali (Bezhniku), Prekazi i Poshtëm, Gojfile (Prelloci), Radisheva, Gurelezi (Kozhica), Rezalla, Polaci, Rrezina (Plluzhina), Runiku, Surigana, Izbica, Shpati (Tërrnava), Kastrioti, Tica, Klina e Epërme, Turiqeci, Klina e Mesme, Tushila, Klina e Poshtme, Vojniku, Klysyra (Lludeviqi), Vitaku, Kodërniku (Kllodernica), Kopiliqi i Epërm, Kopiliqi i Poshtëm.

Territori i komunës së Drenasit(ish-Gllogocit) shtrihet në pjesën e Kosovës qendrore. Sipërfaqja e gjithmbarshme e kësaj komune përfshinë 290 km2 apo 2.66 % të sipërfaqes së territorit të Kosovës. Gjithë kjo trevë ,e cila përbëhet nga 42 vendbanime është e rrethuar me Malet e Berishës, Kasmaqit, Qyqavicës, Goleshit dhe Lipovicës (Blinajës). Këto male shtrihen në të dy anët e Luginës së lumit Drenica. Sipërfaqet e tokës së Luginës së Drenicës i përshkon sistemin e ujitjes “Ibër-Lepenc”. Pasuritë natyrore- E veçanta tjetër e kësaj treve është miniera dhe shkritorja e “Ferronikelit”,si dhe disa gurore. Nëpër këtë komunë kalojnë lumi Drenica dhe Vërbicë, uji i të cilave shfrytëzohet për nevojat e ujitjes së tokave bujqësore. Lidhja me pjesët e tjera- Kjo komunë, ne pikëpamje të ndërlidhjes tokësore lidhet më pjesët tjera të Kosovës më anë të hekurudhës Fushë Kosovë-Pejë dhe rrugës magjistrale Prishtinë – Bushat (Komoran)-Pejë ,dhe rrugët ndër kommunale Shalë- Lipjan dhe Bushat-Drenas-Skenderaj.

Popullsia- Sipas regjistrimit të fundit, kjo trevë kishte një popullsi prej mbi 67,000 banorëve ,ndërkaq sipas vlerësimeve të fundit tani janë mbi 73,000 banorë. Popullata e kësaj komune jeton në 42 vendbanime : në 36 fshatra, 2 qendrave urbane, 3 lokaliteteve dhe qendrës së Drenasit. Vështruar nga përbërja gjinore, popullatën e Drenasit e përbëjnë 51.3% meshkuj dhe 48,7% femra. Komuna është e banuar ekskluzivisht vetëm nga Shqiptarët.

Vendbanimet e Komunës së Drenasit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendbanimet e Komunës së Drenasit janë:

Abria e Poshtme, Pokleku, Arllati, Qëndresa (Tërrsteniku), Bletari (Gllobari),Shkabaj (Gllobari), Çikatova, Shpati (Godanci),Damaneku, Zabeli i Epërm, Dodona (Gradica), Zabeli i Poshtëm, Drenasi (Gllogovc), Drenari (Shtrubullova), Dritani (Dobroshevci), Flamurasi (Sankoci), Fortesa (Vërbofci), Fushtica e Epërme, Fushtica e Poshtme, Grykasi (Tërrdci) ,Gjergjas (Gjerfjica), Kodra (Shtutica), Komorani, Krojeti (Krajkova), Korrotica e Epërme, Likoshani, Qëndresa (Baicë), Llapushniku, Malishti (Vasileva), Ndrekaj Negrosi, Nënkalaja (Vuqaku), Nikaj (Nekoci), Palluzha.

  • Ҫitaku, I. : Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004.
  • Osmani, J. : Vendbanimet e Kosovës- Drenica, Prishtinë 2005.
  • Qeriqi, A. : Krojmiri (1455-1999), Prishtinë 2007.
  • Pushka, A. : Atlas, Kosova dhe vazhdimësia etnike shqiptare, Prishtinë 1997.
  • Qeriqi, A. : Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë 2002
  • Pushka, A. dhe Krasniqi, N : Gjeografia e klasës së IX,Libri Shkollorë, Prishtinë 2013
  • Final Draft Strategjia Minerare[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  • Seferi, H : Resurset natyrore në pellgun e Drenicës, Punim masteri, Prishtinë.
  • Resurset natyrore të Kosovës[lidhje e vdekur]
  • Ҫavolli, R. : Geografia e klasës së VI, Pejë 2004
  • Instituti Inkos –“Studimi për Vlerësimin e hulumtimeve dhe rezervave gjeologjike të qymyrit në Kosovë”, Baseni i Kosovës,Prishtinë 2007
  • Shoqata e Inxhinierëve të Kosovës-“Zhvillimi i qëndrueshëm tekniko-teknologjik dhe mjedisi”,(konferencë shkencore), Prishtinë 2002,fq. 157-164 dhe
  • Ferronikeli - “Raporti i pyetësorit për miniera”, Prishtinë, 2006.