Shumësi i singularizuar
Shumësi i singularizuar libër nga Eqrem Çabej. Shtëpia botuese: "Çabej". Viti i botimit 2012. Faqet e librit 276.
Fragment nga libri:
Forma e shumësit që ka kaluar në njëjës, pra singularizimi i shumësit është një dukuri gramatikore mjaft e shpeshtë në shqipen. Procesi që ka vepruar në këtë mes në shumicën e rasave ka qenë i dyfishtë: së pari, është përdorur një emër në shumës; pastaj nga trajta e shumësit është formuar një njëjës i ri, pra është singularizuar shumësi.
Ky proces, që shfaqet dhe në të tjera gjuhë, ka zënë shpeshherë rrënjë aq të thella, mbulimi i njëjësit të mëparmë nga ana e shumësit ka qenë aq i plotë, saqë njëjësi jo pak herë është zhdukur pa lënë gjurmë, dhe duhet aftësia gjurmuese e gjuhëtarit për ta diktuar.
Tani del pyetja se pse në të tilla rasa është përdorur shumësi. Përveç detyrave të zakonshme të tij për t shprehur një shumësi objektesh e konceptesh, shumësi ka edhe funksionin e një intensivi, duke shprehur pra ndjenja të ngritura e të dendësuara brenda jetës afektive.
Në disa rasa të veçanta ai është mbetura gjuhësore e fundit e botëkuptimit magjik të njeriut primitiv, sipas të cilit disa objekte e koncepte të caktuara përmbajnë në vetvete një fuqi të fshehtë. Kjo mënyrë mendimi gjen shprehjen e saj gjuhësore në përdorimin me shumës të emrave që shënojnë këto objekte e koncepte.
Në këtë studim, duke marrë shkas nga fjala vise, autori trajton një sasi këso fjalësh. Ato janë shumëse pjesërisht të ruajtura, pjesërisht të singularizuara. Me këtë mënyrë vështrimi disa fjalë, forma e të cilave gjer tani nuk ka qenë dhe aq e qartë, bëhen më të kuptueshme nga kjo anë, dhe kjo ka rëndësi edhe për etimologjinë.