Jump to content

Shyqri Kushevica

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shyqri Kushevica bëri emër jo vetëm si sportist...

Shyqri Kushevica është njëri ndër sportistët më të njohur të periudhës së tij, i cili me lojën cilësore, që e bëri me përkushtim, me disiplinë të lartë dhe me korrektësi prej sportisti të dinjitetshëm e njeriu fisnik, la gjurmë të thella në sportin kosovar.

Mjafton t’i përmendet emri, që të zgjojë kujtimin për sportistin e dalluar dhe intelektualin -disenjatorin e merituar. Shyqri Kushevica bëri emër jo vetëm si sportist i atyre viteve të arta, por edhe si redaktor teknik (disenjator) në edicionet ku punoi, i cili me pedanteri dhe disiplinë, la gjurmë të thella kudo që veproi.

Është i lindur në Prishtinë më 5.Janar.1937, ku dhe zhvilloi veprimtarinë e tij sportive e kulturore. Ndërroi jetë më 9.Qershor.1986.

Veprimtarinë e tij sportive e filloi që në moshën djaloshare (1954 – 1955), fillimisht si gjimnazist. Luante basketbollin, si lojë më e preferuar nga brezat e atëhershëm, si dhe hendbollin e volejbollin. Mirëpo, në karrierën e tij sportive veçohet në lojën e volejbollit, për çfarë edhe i jepen çmime të larta për cilësi loje dhe si volejbollisti të dalluar. Ndërsa në vitin 1996 (post mortum), në anketën e javores ‘Zëri’ dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës, radhitet ndër 10 sportistët më të mirë të Kosovës të të gjitha kohëve.

Gjatë karrierës prej sportisti, Shyqri Kushevica luajti për disa klube në basketboll e hendboll, por u dallua, siç u theksua, në lojën e volejbollit, fillimisht si anëtar i Prishtinës e më pastaj i Elektroekonomisë së atëhershme e për një kohë të shkurtër luajti edhe për Lypjanin. Fanella e tij me numër 6, ishte përherë e qullosur deri në skajshmëri, pasi ai në çdo ndeshje e jepte maksimumin. Pas ndërprerjes së veprimtarisë së tij si trajner volejbolli, detyrë që e ushtron për shumë vjet në Elektroekonominë e atëhershme e KEK-un e KEDS-in e sotëm, dashuria e tij për sportin nuk përfundon me ndarjen e tij nga terrenet sportive. Kujtimi për të dhe për bashkëlojtarët e tij do të mbetet me organizimin e turneut tradicional në shenjë nderimi të këtij njeriu fisnik. Si sot, nuk na hiqet nga kujtesa kur na bie ndër mend porosia e tij për brezat e rinj: Sporti, si veprimtari fisnike, kërkon po kaq fisnikëri, urti, maturi, tolerancë e korrektësi nga të gjithë sportistët e sportdashësit e sotëm, cilësi këto që e karakterizonin personalitetin e Shyqri Kushevicës.

Ky njeri, me burrëri e njerëzi të rrallë, punoi për shumë vjet në ditoren ‘Rilindja’, në Entin e Botimit të Teksteve Shkollore si dhe në Edicionin e ‘Rilindjes’, emri i të cilit shkëlqente në librat e botuar nga kjo Ndërmarrje Botuese, ku dhe përfundoi karrierën në moshë relativisht të re (49).

Emërtimi i rrugës në lagjen Sofali të Prishtinës, e nderon jo vetëm këtë prishtinas, burrë të shquar, por edhe vetë rrugën, emrin e të cilit e mban. Emërtim meritor.